top of page
Search

FAMILJA


Nga: KRISTANA CAPO


Ne mund të zgjedhim gjithçka në jetë por jo familjen. Familja është ajo e cila na ka zgjedhur neve, ajo e cila na jep gjakun dhe vulën e trashëgimisë, na transmeton gjenomën e saj dhe na ushqen shpirtin dhe trupin tonë. Në këtë jetë vijmë pa ditur kujt familje i përkasim dhe cilët janë ata që do të na rritin dhe edukojnë.


Me fat është të rritesh pranë një familje të shëndoshë, një familje që të edukon me normat dhe parimet e shoqërisë, të kësaj shoqërie e cila bie shumë ndesh me parimet që ne jemi mësuar të dëgjojmë nga prindërit tanë. Kam parë shumë fëmijë të cilët nuk kanë një familje, janë rritur si endacak rrugëve dhe të detyruar nga pabesitë e të tjerëve, kanë vulosur fatin e tyre me emra nga më të ndyrët. Shoh dita-ditës familje të cilat përpiqen pafundësisht për tua plotësuar fëmijëve të tyre dëshirat që ata kanë. Jeta është ndërtuar e tillë që të mos ekzistojë barazia midis njerëzve e sidomos në epokën ku ne jetojmë e vëmë re paradoksin e çdo dite që kalon. Shikojmë familje të cilat nuk e kanë prolem të udhëtojnë jashtë shtetit çdo ditë, shohim dhe ata prindër të cilët rropaten, skalafiten për të nxjerr një 1000 lëkësh e për të mbajtur shpirtin gjallë me bukë, shohim familje qe janë në qiell të hapur, ku pikon çatia e ku i ftohti i dimrit ta përcëllon shpirtn, familje ku trokasin lugët dhe presin që një ditë sofra të jetë plotë, shohim familje që lugët e tavolinës së tyre kushtojnë sa një rrogë zyrtari e ku familjarët të shfrenuar nga luksi dhe paraja jetojnë brenda kështjellës mbretërore rrethuar me “hipokrizinë e mirësjelljes”.

Sot jetojmë në shekullin e çudirave ku dalëngadalë po humbet koncepti familje. Është celula bazë e ndërtimit të karakterit, personalitetit dhe virtyteve të pasardhësve të saj. Rëndësia e kësaj fortese gjigande që quhet familje duket se po rrënohet nga koha, nga vet ne njerëzit të cilët dita-ditës e më tepër bëhemi manjak të lekut dhe rendim pas tij duke ikur larg nëpër botë dhe duke braktisur ata që na dhanë jetën, familjen tonë, prindërit, vëllezërit dhe motrat tona, duket se ne më shumë vlerësojmë një rrip toke sesa jetën e një familjari, shohim se gjyqtarët sot më shumë se kurrë po pasurohen se nëna akuzon djalin për rrahje, se motra hedh në gjyq vëllain për një tapi shtëpie, e ku llogaritë për nënë e babë bëhen me laps e lëtër e jo më me shpirt e zemër. E dhimbshme për ne! Godet fort kapitalizmi këtë fortesë dhe ia ka shembur themelet, e shohim aq realisht sa fëmija e ka kthyer prindërin në pronë ineteresi, madje që kur është fëmijë, është e dhimbshme sesi fëmija përbuz prindërit se nuk kanë mundësi ti plotësojnë tekat e akoma më e paduruar është kur i mohojnë ata që i dhanë jetën, kur i degdisin, i harrojnë dhe nuk iu bëjnë një telefonatë, ku të vetmen zjidhje shohin azilin për të strehuar prindërit e vet. Sheh që rriten fëmijë dhe edukohen nga familja me ndjenjën e urrejtjes, smirës dhe zilisë, përbuzin bashkëmoshatarët e vet, shajnë e fyejnë më të mëdhenjtë se këtë edukatë e këtë frymë morali kanë marr nga familja e tyre. Sot më shumë se kurrë dinjiteti i familjeve ka rënë përtokë, mungon dashuria e sinqertë mes prindërve dhe mes familjarëve, e kjo dashuri është zëvendësuar nga interesi, nga padhembshuria dhe inati.


Dot një mendim të kundërt nuk jap dhe madje nuk e them që familjet janë të shëndosha në këto kohëra. Sot është me fat ai njeri që rritet në një gji familjar të ngrohtë dhe është fort e sigurtë se ky njeri nesër do të jetë një njeri i dobishëm për shoqërinë, ku respekton rregullat dhe moralin shoqëror, por përpos kësaj ky njeriu ashtu si evolcioni i vet qënies sonë është i vetëm në mes të një turme të madhe që shkel fort mbi moralin dhe parimet e familjes, përbuz të parët e tij dhe nuk njeh limite. Ky njeri i vetëm nuk e bënë dot progresin por ndoshta këtij njeriu kjo turmë mund ti bëj regresin e ti ndryshoj identitetin. PO PO e vërtetë është, ka ndodhur ky fenomen, fenomeni i tjetërsimit të karakterit nga ndikimi i shoqërisë duke mohuar familjen që të rriti e të dha jetën. Zoti e krijoj familjen si gjënë më të shtrenjtë morale dhe monetare por njeriu e përdhosi këtë shënjtërim familjar, e përdhunoj dhe e flaku tutje si një leckë të vjetër e të zhubrosur.


Vuajnë sot të gjithë nga prishja e kësaj fortese, dikush më pak e dikush më shumë por të gjithë nuk e mohojnë dot se përgjegjësit kryesor që familja sot po shkatërrohet jemi ne njerëzit ku me mendjen tonë të ligë dhe shpirtin e mbushur me urrejtje, nuk e duam dhe e përkrahim familjen tonë. Ky është një mallkim shumë i madh që ja la Zoti si shpangim njeriut, ta paguaj me shumë çmim të lartë mungesën e një familje duke e patur një të tillë qoftë kjo dhe për emër të njerëzimit.


Për ta përmbyllur këtë shkrim do të shtoja diçka që; “Kudo o njerëz ku të shkoni mos harroni familjen tuaj atë me vete si brengë shpirti do ta keni pasi është gjaku juaj dhe gjaku ujë nuk bëhet”. Duajeni familjen dhe respektojeni atë, pasi nuk ka njeri në këtë botë që t´iu dojë më tepër se familja juaj.






Comments


bottom of page