Nga Pajtim Çaushi
Thuhet se fat e fatkeqësi jetojnë në të njëjtën shtëpi. Vallë, të jenë shenjuar edhe për ne nga zotat e sotëm si dikur nga hyjnitë e oborrit të Olimpit?...
Eh, s'mund të besohet tani një gjë e besuar para tre mijë vjetësh!...
- E megjithatë ndodh edhe tani në shkurtin e 2021, do hidhet të thotë konispoliti duke menduar të djeshmen dhe shikuar të sotmen.
- Mirë dje, po sot c'pe e c'dëgjove ti o njeri nga cepi më fundor i vendit kur s'shohim asgjë ne nga mesi i tepsisë? - ia pret kaposhi zufo nga ekranet trumcakë të Kryeqendrës.
Atëherë konispoliti i zgjuar i lutet të durojë pak që të kuptojë shumë dhe nis të rrëfejë...
Gjarpërinjtë e Butrintit
Verë 1959. Në Butrint do të vinte Hrushovi i Moskës dhe Enveri i Tiranës. Drejtori i fermës së Vrinës dhe Kryetari i kooperativës së Konispolit morën urdhër nga rrethi të dërgonin brigadat me punëtorë e kooperativistë për të prerë ferrat si pyll dhe vrarë gjarpërinjtë helmues të Qytetit Antik.
Qindra njerëz të thjeshtë nga të dy ekonomitë e kohës u dërguan për të cbërë ferrat e helmuar gjarpërinjtë, duke prerë ferrat dhe helmuar gjarpërinjtë e pyeste vrinjari konispolitin:
- Pse nuk i pastruan ferrat e gjarpërinjtë dje për ne e fëmijët tanë?... Apo ne na ka pjellë lopa e këta të mëdhenjtë i ka bërë nana?
Konispoliti krruan kokën e ia kthen:
- Se ne na njeh ferra e gjarpri e këta s'ka ku t'i njoh... E e, kot tremben se unë të bëj be që s'bie rrufeja atje...
Dhe tregonte me gisht një nevojtore me kashtë në cep të Amfiteatrit antik.
Asnjë fekale, asnjë trazavac!...
Ksamil, Mars 1978. Në qytezën socialiste do të vinte vetë Enveri. Tetë brigadat me tufat e punëtorëve me tetë brigadierët në krye e vet Drejtorinë në ballë u vërsulën për të pastruar të gjitha plehrat e shumta që mbulonin qytezën. u gjet gëlqere, fshesa, furca, shkallë, lecka dhe o burra kush të pastrojë sa më shumë.
- Shpejt, por kujdes mos mbetet ndonjë fekale njeriu apo qensh se e sheh Enveri e na piu e zeza!... Edhe dicka ju brigadierë: asnjë i marrë, leckaman trazavac apo llafazan të mos duket në Ksamil atë ditë,.. Izoloni nëpër biruca!...
Erdhi Enveri deri tek Qafa e Ksamilit, tha dicka për bananet dhe krisi e iku.
- O njerëz, Ai s'erdhi, kot gjithë kjo rrëmujë për pastërti,
se u mbars mali dhe polli vetëm një mi!...
E të thuash se të gjitha duhen vetëm kur duket i madhi!....
Aman Covid, vetëm sot!...
Sarandë, 6 shkurt 2021. Kryeministri në qytet. Që herët lëvizje për pastrim mbetjesh (dje jo).
Makina larëse pastron udhët ende pa gdhirë mirë. (dje jo). Koshat e plehrave zbrazen e u hidhet gëlqere. (dje jo). Mërmërit dikush nën zë:
- Mirë, sot do të ngordhin mikrobet e virusi do zbythet, po dje pse jo,.. Po nesër, po pasnesër?...
drejtori i Pastrimit thërret që nga Bashkia:
- Aman Covid jo vetëm sot,
nesër bridh në cdo derë e portë!...
Comments