top of page
Search

Fatosi - Tosi ynë i nderuar ...

Nga Pajtim Çaushi*


Nuk ishte vetëm shtysa e Indritit që të shkruaja për Fatosin e mirë, por edhe vet e ndieja si detyrim të bëja një shkrim përkujtimor për këtë njeri që buzëqeshte para se të fliste. Ndaj u ula me dëshirë për ta përmbushur këtë detyrim njerëzor.


Segmenti i një jete njerëzore


Secili bën udhën e vet në jetë. Dikush e ka segmentin jetësor të shkurtër, dikush të gjatë. A ka rëndësi kjo?... Mendoj se jo. Rëndësi kanë shenjat (gungat, thoshte Dino Buxati - shkrimtari i shquar italian). Pra, njeriu cilësohet i mirë apo i keq në varësi të shenjave që ka lënë përgjatë segmentit të jetës së vet. Ato nuk fshihen se janë e njihen nga pasardhësit e gjallë.

Vërejtur nga sa thashë, i ndjeri Fatos Demce ka lënë pas ikjes shenja të hijshme njerëzore si në familje ashtu edhe në shoqëri.


Familja është rrënja


Lutfi e Shano Demçe lindën e rritën gjashtë fëmijë të pjestuar në propocion të drejtë: tre djem e tri vajza. Të gjithë të urtë e të zotë në punë, të respektuar e të sinqertë në shoqëri. Si mund të ndodhte ndryshe me ata prindër aq korrektë e shembull për fëmijët e të tjerët në lagje e qytet?...

Xha Lutua (Lutfiu) kishte shumë shoqëri me tim atë, Bajramin. Më kujtohet si tani ngacmimi i tij hokatar që bënte. Ishte shitës në shitoren ushqimore të Konispolit. Unë fëmijë. Kur më dërgonte nëna për të blerë ndonjë kile kripë a sheqer, xha Lutua ngacmonte me shaka:

- I kujt je ti more djalë se s'të njoh?... A,,,ti je i Bajram Currit!... Më njeh mua?.. Mirë, jepi të fala babait.

Babai quhej Bajram, ndaj ai shtonte mbiemrin e atdhetarit tropojan.

Për nanë Shanon, nëna jonë Fetja thoshte vazhdimisht:

- Nuk ka grua si Shano Demcja!... S'e ka shoqen në Konispol!...

Pra, të tillë individë me tipare tejet njerëzore qenë prindërit ndaj dhe djemtë Tahiri, Fatosi, Avduli dhe vajzat Havaja, Zana,e Lana ishen modele në sjellje e në komunikim me cilindo që punuan dhe jetuan.


I qeshur dhe i dashur


Nëse do të pyesësh sot disa që e kanë njohur apo kanë punuar me Fatosin, jam i bindur se të gjithë do të thonë të njëjtat fjalë dashurie e respekti për të:

- E ku gjen si Fatosi një tjetër?!... I qeshte fytyra që tutje kur të shihte e të fliste.

I tillë ishte Tosi, nuk dinte të prishte fjalë me asnjë, Nuk dite të thoshte kurrë plaç. Ç´do gjaknxehtësi të ndonjë tjetri apo fjale fyese të thëne kuturu, ia kthente me qetësi të plotë:

- Mirë, mirë hidhu një vrap deri në Shelq të ftohesh, pastaj eja të flasim!...

Kjo qetësi e dashamirësi humane çarmatoste cilindo që fryhej e ziente si kazani i rakisë.

Tosi ishte një njeri i punës dhe kohën nuk e harxhonte kot. Më kujtohet një detaj i para viteve nëntëdhjetë. Atëherë argëtimi më i madh i djemve konispolitë ishin ndeshjet e kampionatit kombëtar të futbollit. Loja ndiqej në televizor. Sapo mbaronte ndeshja, një pjesë e mirë e tifozëve konispolitë grumbulloheshin tek sheshi i pazarit dhe diskutonin me zjarr aspekte të ndryshëm të ndeshjes. Fatosi nënqeshte, më kapte për krahu e më thoshte vecas:

- O mësues, s'kanë punë të bëjnë këta?!... Mbetën e lagu a s'e lagu bishtin dhelpra!... Ndeshja mbaroi, e pamë të gjithë, fjalët më pas janë të kota... Ti si thua?...

I jepja të drejtë. Ai cdo gjë e donte me masë

Mori një shoqe simpatike e punëtore


Fatos Demçe u martua me Adile Zenelin, vajzën e Xhevizit nga Dishati, njeriut të zgjuar e të fjalës së mënçur. Sapo mbarova të lartën më emëruan mesues në Vërvë. Dishati e Vërva janë afër si motra me vëllain. Xheviz Zeneli erdhi e më takoi:

- E di që jam miku i babait tënd? - më pyeti me buzëqeshje.

- E di, i thashë.

- Derën e shtëpisë e ke të hapur, - tha shkurt dhe u largua

Im atë më kishtë treguar për miqësinë e gjatë që kishte me atë njeri të shkëlqyer. Vitin që isha mesues në Vërvë unë qëndrova disa herë për kafe me mikun e mirë të babait tim.

E tregova këtë episod për të kuptuar secili se Adileja ishte nga një familje shumë e respektuar në zonë të Konispolit. Kjo do të thotë se u lidhën bashkë në martesë dy të rinj nga familje me taban e rrënjë. Fatosi elegant, i dashur, i qeshur me Adilenë, vajzë shumë e hijshme, e zgjuar dhe punëtore e rrallë.

Çifti i ri solli në jetë tre djem si yje: Arianitin, Indritin dhe Anisin. Të tre simpatikë, të dashur, të zgjuar, të respektuar. E si mund të qenë ndryshe fëmijët e dy prindërve aq arsimdashës e të kujdesshëm?... Ata u nxitën djemve të tyre dashurinë për shkollën e mësimin, respektin për mesuesit dhe shoqërinë.


C'thonë këta trimat e mi o mesues?...


Fatosi dhe Adileja interesoheshin vazhdimisht për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkollë. Sa herë vinte Fatosi, u fliste me humor mesuesve të klasave e lëndëve të ndryshme:

- Hë more mesues, c'thonë këta trimat e mi?... Si e kanë sjelljen?...

Ne na bënte përshtypje se ai, ndryshe nga prindër të tjerë që ngulmonim për rezultatret në mësime, së pari pyeste për sjelljen. Kur dikush nga ne e pyeti për këtë, ai u përgjigj:

- Së pari të bëhen njerëz... Po u bënë njerëz, do bëhen edhe të ditur.

Fatosi kishte të drejtë. Fëmijët e tij dhe të Adilesë u bënë njerëz të shkelqyer si prindërit e gjyshët e tyre, u bënë edhe të ditur e të aftë në punët që zgjodhën të bënin në jetë.


Ne jemi vëllezër, partitë janë skuadra futbolli


Pas vitit 1990 tifozëria e futbollit u kthye në tifozëri partish politike. Pluralizmi u dha njerëzve lirinë e fjalës. Partitë e shumta që u krijuan, në disa raste e për interesa të tyre, me këtë liri fjale nxitën sherre e përçarje, ofendime e dhunë. Mirëpo, njerëzit janë të ndryshëm si gishtat e dorës. Dikush mban e tërheqet, një tjetër tendoset e këputet.

Shumë që s'kishin as mjetet minimale të ekzistencës jetësore, grindeshin e përlesheshin për dy emra: Nano e Berisha, për dy parti PS e PD. Komshiu zihej me komshiun, shoku me shokun, vëllai me vëllain e deri dhe gruaja me burrin. Pamje tragjikomike.

Ishin muajt e vitet e parë se më pas të dy emrat e sikurliderëve dhe dy partitë sikur demokratike e sikur socialiste u bënë më të fandaksurat e shqiptarëve.

Më kujtohet si sot ajo ditë tek rrapi i Konispolit e më pas tek Bregu i Kalasë. Banorët u kacafytën keq. Donin të merrnin gjithcka e të flisnin pa radhë e logjikë. Edhe bishtin e gjarprit kërkonin ta ndanin e ta rrëmbenin. Instiktet dolën lart e vetëdija ra në katua.

Fatosi m'u afrua dhe më pëshpëriti:

- Ç'bëhet kështu o mesues?... Kështu si veprohet në vend të vinim vetulla, nxorrëm sytë. Ne jemi vëllezër, partitë janë si skuadrat e futbollit, ato sherre duan që të bëjnë sehir...

Fatosi i urtë e i mencur kishte të drejtë.


Ike shpejt o Tosi!...


Vjet Fatosi na la. Këto ditë bëhet viti pa fjalën e pamjen e tij. Nuk mundi të udhëtonte një segment më të gjatë në jetë. Ai erdhi më 1954 dhe iku vjet, pra në të gjashtëdhjetat. Nuk ishte shumë. Por të shumta janë ato që mbetën prej tij.

Tosi la pas fëmijët e tij të pashoq për nga gjithcka, plot vityte dashuri njerëzore...

La pas bashkëshoqen e jetës, Adilenë e mirë, punëtore e të zgjuar,..

La pas produktet e djersës së tij të shpërndarë në ekonominë familjare...

Dhe kryesorja...

Fatos Demcja la pas emrin e tij të nderuar e të merituar: NJERI I SHKELQYER!...


*Shkrimtar dhe Drejtor i Portalit miremengjes.net


Comments


bottom of page