FETANETE ÇAUSHI (BEJZATI)
(për 22vjetorin e largimit të saj nga jeta)
a. E buzëqeshur me fytyrë të pastër si alabastër
Fetanete Çaushi (Bejzati) ishte fëmija i parë i Abedin dhe Çibe Bejzatit. U lind më 16 maj 1933. E rritur dy vjeç nga Luja kur do të martohej, ndaj në pasaportë qe shënuar viti 1931. Fëmijë e shëndetshme, e bukur, e qeshur.
Deri në moshën nëntë vjeçare u rrit me të dy pr indërit. E ëma kujdesej që vajza të mësonte gjithçka që i duhej shtëpiakes së kohës, ndërsa i ati e donte shumë dhe e mësonte t’i respektonte njerëzit. Lozte shpesh me të, e çonte hopa lart ose e mbante kalipaç.
Edhe Fetja e adhuronte dhe e priste deri sa kthehej nga fusha kur vononte në mbrëmje.
Vazhdoi shkollën plotore, por s’e përfundoi pasi filloi lufta. Në nëntor të vitit 1940, gjatë bambardimeve të avionëve në luftën italo - greke, kur ishin duke u kthyer nga Mileja e Bogazi ku
strehoheshin, Fetja plagoset në dorë e shpatull. Bidua e mjekoi me ç’mundi për t’i ndalur rrjedhjen e gjakut dhe e mbajti në dorë deri në Konispol. Sa jetoi e kishte shenjën e plagës së luftës rreth gishtit tregues të dorës së djathtë.
Pas çlirimit të vendit u regjistrua në kurset mësimore që hapi pushteti i ri. Ishte një vajzë e zhvilluar si shëndet dhe e pjekur në mendime. Buzëqeshja nuk i ikte asnjëherë nga fytyra e pastër si alabastër dhe vështrimi i butë e i ëmbël. Sytë i shndritnin nga gazi i hareshëm i moshës së rinisë. Ishin vitet e para të pas luftës kur filluan të organizoheshin aksionet me punë vullnetare të rinisë.
Në shtator të vitit 1946 Fetja u regjistrua vullnetare për të punuar në hekurudhën Peqin - Rogozhinë bashkë me dy shoqe të lagjes së Fundit të Dushkut, Shemon e Adem Toskës e
Mukadezen e Halit Çazes.
Kur e mori vesh Çibeja e qortoi dhe i tha prerë se po të guxonte të lëvizte nga shtëpia do ia thyente kërcinjtë me masha të furrës. Në anën tjetër shkoi tek nëpunësi i regjistrimit të popullsisë Neshet Muderizi me të cilin kishte miqësi familjare dhe i kërkoi që Fetanete Bejzatit t’ia shënonte dy vite më poshtë moshën në kartrat që plotsonte. Ia tregoi arsyen dhe ai e shënuar të datëlindjes 1933, pra nën 14 vjeç moshë që nuk lejohej të shkonte në punë krahu.
E bija e kishte me shumë dëshirë të vajturit në aksion ndaj dhe u mërzit e qau kur mori
vesh veprimin e të ëmës.
Ndonëse ende fëmijë, nga që ishte e bukur, truphedhur, e qeshur e me sy të ëmbël derën e Çibesë e trokitën shumë familje për ta patur nuse në shtëpi, por ajo i kthente pas duke u thënë se
s’kishte vajzë për martesë.
Në të vërtetë ajo s’kishte arsye vetëm moshën e Fetes, por më tepër, si shprehej edhe vetë, donte që lidhjet e krushqisë t’i bënte vetëm me familje nga fis, jo me kopilë.
b. Ka vuajtur shumë zonja...
Në vjeshtë të vitit 1947, në bisedë me Zubon e Veli Qerozit, lagjare e Bejzatëve, Çibeja dëgjoi fjalë shumë të mira për djalin e Kadreshës (Bejaze Çaushit). E quanin Bajram, ishte i pashëm, nga derë e fisme dhe punonte në administratën shtetërore të kohës. Çibe Bejzatit i pëlqeu vetëm fakti që ishte nga fis e jo puna e pamja, ndaj kërkesës që iu bë pas ca kohe, iu përgjigj pozitivisht.
Fetaneten nuse e shoqëroi për tek dera e Çaushëve vëllai dhjetë vjeçar, Myfiti. Me dhëndrin e madh kunatin e lidhi një miqësi e fortë gjithë jetën pasi ai e deshi si vëlla të vogël e kurrë nuk e ndau nga vëllai i tij biologjik, Mehmeti.
Me vjerrën Bejaze nusja rioshe mbajti marrëdhënie të mira. I fliste zonjë. Edhe kur këmbenin ndonjë fjalë (se edhe zorrët e
barkut trazohen e jo njerëzit, thoshte), të nesërmen nxitonte t’i shkonte për bareshë (kështu thuhej në Konispol kur dy persona pajtoheshin) tek shtëpia e Mehmetit ku banonte vjerra.
Mblidheshin shpesh poshtë në manxeto ose në shtëpinë time dhe nuset e radhës u bënin kafe. Mbaj mend që na thoshtegjithmonë:
- Ka vuajtur shumë zonja, thonë mirë mos paç fatin e jetimes! Le me njerkë, po e la edhe burri nuse të re me katër të vegjël.
Kur gatuante ndonjë gjellë të mirë, i nxirrte pjesë dhe e merrte për darkë ose ia jepte të nesërmen në mëngjes. Kur Nana ndërroi jetë në vitin 1986, duke shkuar tek shtëpia e xhaxhait, te
kanali pas shtëpisë sime, psherëtiu dhe i tha Afërditës që e shoqëronte:
- Uh moj zonjë!... Ike e më le radhën mua!
Me kunatën Shefon kalonte mirë. Edhe kur shkëmbenin ndonjë fjalë nga fëmijët, pulat apo kecat, për pak kohë e kapërcenin qejfmbetjen duke i bërë zë shoshoqes për kafe, vaki apo vizita sipas rasteve.
- E ç’kemi për të ndarë?... Këtu do i lëmë si të tjerët, thoshnin e pajtoheshin.
Na kujtohet diçka e bukur kur qemë të vegjël. Ato i bënin zë njera tjetrës dhe uleshin në manxeton tonë apo në magjerinë e xhaxhait bashkë me nanën dhe bënin kafe. Nuset e shoqëronin
kafen me cigare, ndërsa vjerra jo nga që nuk e hiqte. Duhanin e pinin fshehtas burrave por tek vjerra kishin besim ndaj nuk druheshin prej saj. Ndonjëherë ata kuptonin diçka se u mungonte një pjesë e duhanit dhe fijeve të letrës në kuti dhe ua shprehnin grave dyshimin.
Nuset drejtonin vështrimin nga vjerra të ndërhynte si garante.
- Ç’janë këto?... Nuk pinë duhan nuset e mia. E keni rrufisur vetë, po s’e mbani mend! - ndërhynte serioze Nanë Bejazja e biseda mbyllej.
Çuditërisht, edhe ne fëmijët, ndonëse e dinim, s’bënim gëk.
c. Mësoni, s’kalohet jeta në kooperativë...
Ne gjashtë vëllezërit, fëmijët e Bajramit dhe Fetanetes, kemi mësuar në shkollë gjatë gjithë cikleve. Megjithatë, kur me ndonjerin ndodhte ndonjë pakujdesi e vogël, ndërsa babai na
tregonte me gisht fushën e Rrahut afër Vrinës, nëna na thoshte me të butë:
- Lexoni, asnjë mësim mos e lini pas dore se për vete e keni... Nuk kalohet jeta në kooperativë!
Pothujse çdo pasdite loznim me fëmijët e tjerë të lagjes. Lojërat tona më të preferuara në atë kohë qenë futbolli me top llastike, çukat, pilefrënga, rrethi, fiçi, kalaja dibrançe, lojë luftash,
fsheheza e të tjera. Veças në dimër pasditet qenë të shkurtra e ne harroheshim pas lojës duke menduar t’i bënim mësimet në mbrëmje. Fetja na fliste disa herë, por ku të linte të ikje nga loja
Prolua, Sulua, Sheqiri, Idrizi, Murati, Ylli, Rushiti, Flamuri e të tjerët!... I përgjigjeshim kot erdhëm, por në fakt nuk shkonim.
Në darkë Fetja nuk na linte të shtriheshim për gjumë pa mbaruar detyrat e shtëpisë e pa mësuar mësimet. Kur ndonjerit prej neve i varej koka, ajo e tundte dhe i afronte gotën e uji.
Më kujtohet një rast kur kishte ardhur Luja (nanë Çibeja) për të fjetur që nga Fundi i Dushkut. Ne u mblodhëm kur perëndoi dielli. Qemë gjithë djersë e pluhur. E dinim që e kishim tepruar,
por na dha zemër Qeremi:
- Sonte s’do na lerë pa gjumë se kemi Lunë!
Fetja na vuri dy kova me ujë në oborr për t’u larë. Kur u futëm në manxeto, na tha të merrnim çantat e librave e të ngjiteshim në odë për detyrat.
Çanta basme me një fill të gjatë që i hidhnim në krah. Ne vështruam nga Luja. Ajo s’foli. U ngjitëm në odë dhe filluam, por nga loja e gjatë na kishte marrë urija.
- Të hamë një çik bukë njeherë, më pas i bëjmë detyrat, i foli që nga sipër Bati.
- Kur të mbaroni mësimet, do jua shoh detyrat e do ju pyes. Buka këtu është, nuk bën këmbë të ikë! - erdhi përgjigja e prerënga manxetua.
Luja na donte shumë e nuk duronte gjatë. Dëgjuam t’i fliste me inat të bijës:
- Moj, u çmende ti?... Pse u bën adhap fëmilës, të mëdhenjtë e botës do i bësh?... Ata janë të vogjël e duan të luajnë.
Ne prisnim gjithë sy e vesh. Fetja ia ktheu me qetësi të ëmës:
- Janë mësuar ata, nuk u kalon buka poshtë pa bërë detyrat. Ja, për pak e do mbarojnë.
Ne pamë shoshokun, tundëm kokën si për të thënë që s’kemi nga t’ja mbajmë dhe iu përveshëm punës.
Një ndodhi që tregon Pajtimi:
- Edhe sot e mbaj mend sikur të ketë ndodhur dje. Isha në klasë të shtatë. Kujdestar kishim mesues Spiron. Ai më donte dhe më kishte caktuar kujdestar klase. Pas një pushimi të gjatë, bashkë me dy shokë, Vullnet Bejdon e Vait Beqirin nuk u kthyem në
mësim, por qëndruam te kroi i Çiçirikut.
Qe fundmaji, bënte nxehtë e ne freskoheshim herë herë me cërrën e hollë që hidhte kroi. Kur mbaroi ora e gjashtë vamë fshehtas nanë Shekos, sanitares së shkollës dhe morëm çantat me libra.
Të nesërmen mesues Spirua na shpuri tek zëvëndësdrejtori i shkollës, Skënder Mullai. Ai na shkuli veshët dhe na nisi të merrnim prindrit. Hera e parë që më ndodhte diçka e tillë, ndaj kisha zor. Megjithatë shkova se s’kisha nga t’ja mbaja.
E gjeta me magjen e rrobave që lante. I thashë se e kërkonin në shkollë, por pa e saktësuar për cilin nga ne. Tre të parët qemë disi të rritur se Pëllumbi ishte në klasë të parë, Vullneti në shtëpi e Velua i palindur ende.
Vuri duart në mes, më vështroi gjatë e pastaj tha:
- Patjetër ti kë bërë ndonjë xhinosi se Qeremi e Bati s’bëjnë prapësira!
Ndonëse e lodhur nga magjia, u vesh dhe erdhi me mua. Rrugës për shkollë ia tregova të djeshmet. Zëvëndësdrejtor Skënderi i tha ato që Fetja i dinte nga unë dhe shtoi:
- S’e prisnim nga ky këtë veprim, nxënës shumë i mirë e nga familje e mirë. E kemi edhe kujdestar të mbaj rregull, jo ta prishë vet.
Unë kisha ulur kokën. Të drejtën, asnjë fjalë s’më ngjiste përç’kisha bërë pasi e pata vendosur që të mos e përsëritja më. Në përfundim të kritikave më kërkan të jepja fjalën mos ta bëja
prapë.
- S’e bëj, thashë shkurt pa i vështruar.
- Vetëm kaq? - u habit Skënderi.
Ngrita kokën.
- Kaq, s’e bëj! - ia ktheva po shkurt.
- E sheh? - iu drejtua ai Fetes.
Ajo që ma njihte kokën s’foli. Takoi tjetrin, më mori e më futi në klasë.
Në shtëpi askush s’e mori vesh ç’kishte ndodhur atë ditë me mua në shkollë.
d. Mos e provofshi t’u lërë shoku i jetës!...
Pas ikjes së babait në shtator të ’78 - ës, gjatë kohës së ceremonive Fetja u mbajt mirë. I qëndroi te koka të shoqit dhe fshinte sytë herë herë. Peshën e mungesës dhe të hidhërimit e ndieu pas të gjashtave, atëherë kur të gjithë u shpërndanë në punët e familjet e tyre. Qeremi në Ksamil, Baftjari në Kurbnesh,
Pajtimi me Afërditën që banonim ngjitur me shtëpinë e vjetër vazhduan punën në shkollë. Edhe djemtë beqarë që jetonin në shtëpi bashkë me të s’mund të rrinin më gjatë pranë saj. Pëllumbi
rinisi punën në brigadën e frutikulturës, Vullneti ushtar në Lëkurs e Velua nxënës në klasën e shtatë.
Veçanrisht paraditën e kishte të vështirë pasi mbetej vetëm. Qante me zë në manxeto e kur e
dëgjonte Sabua apo Bejazja i venin pranë e lotonin bashkë me.
Një drekë, kur u kthem nga puna, e dëgjuam. Ishte në katin e parë të shtëpisë. Zbritëm me nxitim nga shkallët që lidhin dy pjesët e godinës. Qe ulur në divan. U prekëm shumë. I ndezëm
një cigare:
- Mos bëj kështu, i thamë, ti ke gjashtë djem, të gjithë të duan e të përkrahin.
- U kam e të më rroni sa malet, po mos e provofshi t’u lërë shoku i jetës, na e ktheu duke fshirë lotët.
Kishte të drejtë. Të gjithë u munduam të mos e linim vetëm asnjëherë. Qeremi vinte çdo fund jave nga Ksamili, Baftjari, ndonëse larg në Kurbnesh, s’linte mundësi pa shfrytëzuar për t’u lidhur me Feten, Vullneti megjithëse ushtar, manovronte me ndihmën e Llazit që të
vinte më shpesh me leje nga ushtria. Të tjerët qemë në Konispol e i gjëndeshim përherë. Por trishtimin e vetmisë e të mungesës s’kishte si t’ia largonim tërësisht.
Në fakt disa herë i jepnim të drejtë në bisedat mes nesh. Në fund të fundit për shokun e jetës
trishtohej, me atë kishte kaluar të mirat e të këqiat, kishte jetuar vitet e saj më të bukur, kishte sjellë në jetë fëmijët e gjithçka tjetër.
Mandej, në shumë raste lotët janë bari shërues më i dobishëm
për njeriun.
e. Iku pa qënë për të ikur...
Ikja e saj nga kjo botë erdhi papritur. Ishte mirë, kishte vetëm pak lëvizje sheqeri. Kur u kthyem nga shkolla nuk e gjetëm si përditë. I merreshin mend e fliste disi ndryshe. Zbritëm shkallët. Lëvizte në shtëpi, por buza i kishte ikur pak mënjanë.
Njoftuam mjekun. Erdhi pa u vonuar. Ka patur rritje sheqeri dhe
ka kaluar hemoragji celebrale, tha dhe na tha ta çonim në spital të Sarandës.
U lajmëruan vëllezërit. Erdhën të gjithë veç Velos që punonte në Greqi. Pamë gëzim në sytë e nënës. Kështu lumturohej kur mblidheshim të gjithë bashkë. Kujtuam se e kaloi të keqen.
Për të thënë të vërtetën ishim tërësisht të paditur në atë kohë për shenjat dhe pasojat e sëmundjes së sheqerit. Ajo lëvizte nëpër shtëpi. Edhe gatoi diçka bashkë me nuset. Na kujtohet mirë hëngri, piu edhe një gotë të vogël rakie. Pas buke ndezi edhe një cigare. Pas kësaj vumë re se fjalët filloi rishtas të mos i artikulonte qartë.
Të nesërmen në mëngjes e çuam me taksi në spitalin e Sarandës.
Ishte java e dytë e gushtit. Mjeku specialist konfirmoi pasojat e rritjes së menjëhershme të sheqerit. E shtroi. Qëndroi atje as dhjetë ditë.
I qëndruam pranë të gjithë, veças Qeremi, Nexhi, Baftjari e Marta që ishin në Ksamil e Sarandë. Velua jetonte në Athinë me familje. E kërkoi. Ai erdhi bashkë me Netën dhe nuk iu ndanë derisa ndërroi jetë në mëngjesin e 17 gushtit.
Hidhërimi ishte i madh. E humbëm edhe nënën. E përcollëm në banesën e fundit në orën njëmbëdhjetë të datës 18 gusht 2001.
Para se ta mbulonim e puthëm në ballin e ftohtë. Zemra e saj e ngrohtë kishte ngrirë përjetë.
Ishte vetëm gjashtëdhjetë e tetë vjeç.
Me aprovimin e gjashtë vëllezërve, romani ROBINA E ËNGJËJVE ka kushtimin:
“Kujtimit të nënës, FETANETES”
marrë nga libri ÇAUSHAJT E KONISPOLIT - botim I viti 2019
Σχόλια