top of page
Search

Fobitë - opinion nga Gladiola Jorbus

Fobia nga greqishtja e vjetër (φόβος)është një çrregullim psikologjik që prek një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së botës. Pothuajse një në rreth njëzet njerëz vuan nga një fobi.

Ajo (fobia) tregon një frikë të paarsyeshme dhe neveri ndaj situatave të caktuara, objekteve, aktiviteteve, kafshëve ose njerëzve, të cilat mund të arrijnë në rastet më ekstreme, të kufizojnë pavarësinë e personit që e përjeton. Gjithashtu mund t’i shkaktojë atij çrregullime të theksuara fizike si: dridhje të pakontrollueshme, marramendje, djersitje, madje dhe sulme paniku. Shkaqet e shfaqjes së fobive nuk janë gjithmonë të qarta.


Shumica e tyre e kanë origjinën në fëmijërinë e hershme, por kjo s’duhet ngatërruar me frikën normale që shoqëron pothuajse gjithnjë, këtë periudhë të brishtë. Fakti që e përligj më së miri këtë është se fobitë vazhdojnë të zhvillohen edhe në moshë të rritur, atëherë kur personi është plotësisht i vetëdijshëm, se frika që ndjen është e pabazë dhe irracionale.

Ndonjëherë, edhe vetë prindërit padashje, mund t’ua transmetojnë fobitë e tyre fëmijëve. Numërohen rreth pesëqind fobi; disa janë vetëm femërore, specifikisht (frika nga minjtë dhe gjarpërinjtë). Ekziston një spektër i gjerë fobish të njohura si klaustrofobia (frika nga vendet e mbyllura), triskadhekafobia (frika nga numri 13), e të tjera me radhë. Një fobi që spikat në ditët e sotme (sidomos në botën e artit) është padyshim gerontofobia- frika intensive dhe e pakontrollueshme e plakjes. Të gjithë po bëjnë çmos, jo vetëm ta vonojnë këtë proces të natyrshëm, por mundësisht ta shmangin përfundimisht, takimin me dimrin e jetës. Ndonjëherë fobitë shkaktohen dhe nga eliminimi i ideve, i dëshirave apo impulseve të papranueshme, - sipas S.Freud. Por ato (fobitë) mund të shkaktohen dhe si rezultat i eksperiencave të pakëndshme e të papëlqyeshme. Sepse e kaluara është e destinuar të shenjojë çdokënd.


Shumë njerëz vuajnë nga endomofobia (frika nga insektet), ekofobia (frika e të ndenjurit vetëm në shtëpi), demofobia (frika nga turma), patofobia (frikë e pakontrolluar nga sëmundjet), akrofobia (frikë nga lartësitë), monofobia (frikë nga vetmia), ksenofobia (frikë e pakontrolluar ndaj gjithçkaje të huaj, person apo kulturë qoftë), thanatofobia (frikë obsesive nga vdekja), kriofobia (frika nga akulli dhe i ftohti), aviofobia (frika nga fluturimi me avion), hidrofobia (frika nga uji dhe lëngjet).

Ndoshta jemi përballur dhe vetë me ndonjë nga nocionet e mësipërme, ndoshta të afërmit tanë i vuajnë, ose njohim a shoqërohemi me njerëz që janë të ndjeshëm ndaj këtyre dukurive. Si mund të luftosh dhe të fitosh mbi një fobi? Fobitë mund të kurohen e shërohen duke iu drejtuar specialistit përkatës (mjekut, psikologut ose psikiatrit). Secili prej tyre mund të ofrojë ndihmën e tij, fillimisht duke evidentuar zanafillën, burimin, e më pas mund të jetë i nevojshëm nënshtrimi ndaj hipnozës, marrja e ilaçeve adekuate për të kontrolluar ankthin etj. Kjo vlen për rastet e rënda. Shpeshherë, fobia është një frikë ireale, ndaj duhet gjetur motivimi i duhur për ta kapërcyer atë.

Etapat duhen ndjekur me radhë: të përcaktojmë fobinë, të ndërgjegjësohemi për të, ta pranojmë, dhe të çlirohemi përfundimisht prej saj. Sepse një fobi me pushtetin e saj të padukshëm, mund të na frenojë për të realizuar qëllimet tona në jetë. Prandaj është një këmbanë alarmi që duhet dëgjuar, në mënyrë që të shërohemi e të gjejmë qetësinë e humbur. Roli paralizues i fobisë mund të jetë më i rrezikshëm dhe më kompleks nga çka imagjinojmë ne, ndaj nxitimthi, me shumë kurajo e pak fat duhet ta mposhtim atë, edhe pse kjo do të thotë të mposhtim alter egon dhe grackat e trurit tonë. Njeriu duhet të jetojë pa frikë, sepse siç thotë shprehja e vjetër spanjolle: “Të jetosh me frikë do të thotë të jetosh përgjysmë”.

Comments


bottom of page