top of page
Search

Fotografia e jetës

Nga Gladiola Jorbus

Kjo e sotmja, me siguri duhet të jetë epoka më e fotografuar ndonjëherë, madje deri në detajet më të vogla. Ngado të hedhësh sytë, shkrepje celularësh dhe aparatesh pa fund…

Të gjithë i sheh duke filmuar e fotografuar me një babëzi të tillë, a thua se vetëm në këtë mënyrë, s’do të humbasin asnjë copëz jete. Mania më e fundit janë selfies, e cila rezultoi të ishte fjala e vitit në 2013-tën.

Fotografitë janë memoria jonë, në kohën kur kujtimet tona fillojnë të humbin,- shprehet poetja italo-kanadeze Silvana Stremiz.

Mendoj se ato i qëndrojnë besnikërisht stoike, dëshirës së pandalshme për të zbuluar, memorizuar, përjetësuar - momente, persona, vende, dukuri.

Fotot tona janë intimisht sintezë e jona. Këtë e kupton sa herë që rivendos kontaktet, me çastet e përgjumura nga indiferenca a neglizhenca. Të gjitha shkrepjet na rikujtojnë ngjarjet, emocionet, stilin e dikurshëm të jetës, pasi secila shkrepje përmban në vetvete një frymëmarrje të papërsëritshme.

Njerëzit, teksa shikojnë dhe hulumtojnë albumet stimulojnë kujtesën. Kjo ndihmon trashëgiminë familjare, sepse përmes fotove u transmeton fëmijëve origjinën, traditën, kulturën e së kaluarës. Pra, fotot shërbejnë për të përmirësuar jo vetëm memorien, por pse jo për të kristalizuar ndjenjën e krenarisë, dhe kështu tranversalisht, përforcohen lidhjet shpirtërore mes brezave.

Fotot, ndonjëherë janë të mbushura me kreativitet, shtrembërime të realitetit, lojëra qesharake.

Lajm i mirë është se sot, shumëkush mund t’i drejtohet një programi si photoshop për të sendërtuar një ëndërr në sirtar, si p.sh.: të pozojë me Al Pacinon apo Sofia Loren, të ndryshojë irisin e syve sipas dëshirës, të gjendet virtualisht në Bora Bora, Akapulko e kudoqoftë. Shkurt të retushojë çka apo kë s’ia ka fort ënda. Sepse në foto, kushdo mund të shfaqet më i ri, më i bukur, më i sigurtë në vetvete, më i lumtur, më inteligjent. Pra – fotografia qenka dhe një shprehje irracionale e jetës.

Fotografitë qeshin, flasin, këndojnë, vallëzojnë, sfidojnë plakjen dhe vdekjen. Impakti që ato kanë tek ne është unik. Por jo gjithmonë gjejmë në to, riprodhimin e dukurive pozitive. Mugulluese, të gjalla – fotografitë pasqyrojnë dhe fatkeqësitë natyrore, varfërinë, tragjeditë, dhembjen, mizoritë. Gjithsesi, një fakt mbetet i sigurtë: fotografia nuk është analfabete. Mes heshtjes së saj, lexojmë dinamikën e jetës.


Ajo “ngrin” njëkohësisht kohën, figurat e shquara, natyrën dhe kujtesën. Prej saj mund të marrim frymëzim, ngushëllim, ndonjëherë dhe urtësi.

Të apasionuarit pas fotografive veçojnë për sensin e spikatur artistik. Objektivit të tyre s’i shpëton asgjë, sepse fotografia është poezia vizuale e jetës, dokument i rëndësishëm, selektim i së tashmes; ajo mbart mistere dhe përçon mesazhe të koduara.


Për njeriun, realiteti është më zhgënjyes se fotografia, ndaj kur e zbulon botën përmes “imazheve të shkruara në dritë”, ndihet më mirë.

Por harron një sekret të rëndësishëm.

Fotografitë i hijeshon buzëqeshja e tij. Ndoshta po t’i buzëqeshte jetës, siç i buzëqesh objektivit, ajo do t’i dukej më e bukur. Kushedi!

Comments


bottom of page