Nëse raporti i publikuar paraprakisht i Komisionit të Venecias është tregues, Ilir Meta ishte i fituari në betejën ndaj qeverisë (për veprimet antikushtetuese të këdaj të fundit për kapjen e Gjykatës Kushtetuese).
Fakti që qeveria e madje, edhe Ambasada Amerikane, kanë kërkuar shtyrje të publikimit të raportit dhe zbutjen e përfundimeve të tij, e përforcojnë këtë bindje.
Rikujtojmë se Komisionit i Venecias përvecse i dha të drejtë Presidentit, goditi edhe vetë zbatimin e reformes në drejtesi (për të cilin mund të lexoni te Exiti), investimi më i madh financiar dhe në imazh i qeverisë e ambasadës bashkë.
Ne këto kushte, ulja e toneve dhe shkëmbimi i sinjaleve paqësore mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta ditët e fundit, kapi shumëkënd në befasi.
Kryeministri përgëzoi Presidentin për qëndrimin e tij korrekt gjatë pandemisë, ndërsa Meta dekretoi ndryshimin e Kodit Penal, propozur nga qeveria në kundërshtim me dispozitat kushtetuese, për penalizimin e thyerjes së masave gjatë pandemisë.
Të zhgënjyerit në masë duket se janë ata që shpresonin, jo te Ilir Meta si politikan i regjur, por te kauza e drejtë që ai përqafoi.
Në të shkuarën kanë qënë pazaret e momentit që Meta ka bërë me kauza të ndryshme publike, që i kanë bjerrur atij dhe partisë së tij ndikimin. Këto pazare, cdo herë, sa kanë fuqizuar qeverinë më shumë.
Prandaj, shumëkush e përkrahu edhe duke menduar se Meta, i zënë në carkun e tij, kishte mësuar nga gabimet.
Për më tëpër që kauza e mbrojtjes së Kushtetutës kishte gati një grup ithtarësh e
nuk u fillua nga presidenti.
Ka qënë një shpurë juristësh, gazetarësh, analistësh e aktivistësh që kanë denoncuar antikushtetueshmërinë e reformës në drejtësi dhe gjithë hapsirat që krijonte për kontrollin e gjyqësorit nga qeveria, qyshkur ajo ishte thjesht një draft në 2015.
Por, edhe këtu, pati nga ata që menduan se atributi i një politikani është të kuptojë nevojat apo kërkesat e qytetarëve e t'i pajtojë ato me interesin personal, në momentin e duhur.
Këtu Metës i shërbeu gjithë përvoja e tij si politikan, e shtrirë në tre dekada.
Ai u dha zë të gjitha problemeve të mësipërme, u tregua sistematik dhe guxoi të prekë hapur edhe rolin që ka patur trupa diplomatike në Shqipëri në shkatërrimin e rendit kushtetues.
Madje, shkoi deri aty sa ta mbulonte kauzën me një tis atdhetarizmi, për t’i shtuar pakënaqësisë edhe ndjenjat sipërfaqësore patëriotike.
Edhe skeptikët, ata që pyesnin veten përse Meta kishte nevojë të bënte shfaqje force në shesh për kthimin e një tjetër ligji, e mbështetën.
Edhe ata që e kuptonin se caktimi i afatit të 15 marsit për kalimin e reformës zgjedhore, afat që mund të sillte vetëm një reformë të keqe, nuk kishte kuptim.
Ndaj, natyrshëm lind pyetja se përse Meta, në pozitat e fuqisë, i ka lëshuar Ramës terren?
E njëjta pyetje që mund t'i ketë lindur shumëkujt kur u zbuluan propozimet e opozitës për qeverinë në dhjetor 2019. Duke harruar retorikën dhe luftën e një viti të tërë, partia më e
madhe e opozitës kërkonte qeveri të përbashkët parazgjedhore si në 2017 dhe një komision i përbashkët për përgatitjen e reformës zgjedhor, me të njëjtën qeveri që kishte vjedhur e manipuluar zgjedhjet.
Me një fjalë, pas djegies së mandateve; nxjerrjes së turmave të pakënaqura 6 herë në Bulevard; përleshjeve me gaz lotsjellës me policinë; avantazhit të jashtëzakonshëm të rrjedhjes së kasetave që tregonin vjedhjen e manipulimin e votave nga qeveria nga një media ndërkombëtare; organizimit të votimeve njëpartiake, që nuk siguruan mbështetje për qeverinë, Partia Demokratike u tërhoq në momentin më kyc të kauzës së saj.
Në momentin kur kishte siguruar përkrahje të gjerë dhe kishte fituar përparësi morale ndaj kundërshtarit.
Arsyet e vërteta të vrasjes së kauzave nga opozita e presidenti, mbasi i kanë ngritur ato në mënyrë të sukesshme, mbase nuk do t’i zbulojmë kurrë.
Mbase tashmë është e qartë që, sado të drejta ishin ato kauza për qytetarët e pafuqishëm, janë thjesht mjete shkëmbimi në luftën e politikanëve tanë për pushtet.
Si presidenti dhe Partia Demokratike kanë patur mundësi të arta për të treguar se janë të sinqertë në luftën ndaj qeverisë.
Por, kjo do të kerkonte që secili të bënte transformime të thella në mënyrën se si operojnë si individ dhe organizata. Në këtë mënyrë, do të largonin një qeveri abuzive, duke i paraqitur publikut një model tjetër, një produkt tjetër, duke provuar se janë të aftë të ndryshojnë dhe të sjellin ndryshim.
Për ironi të fatit, e vetmja gjë që kanë arritur është t'i tregojnë publikut atë që Rama ka vite që thotë. Që të gjithë politikanët në Shqipëri janë njësoj; që çdo kundërshti e opozitës është e motivuar nga interesi i ngushtë i pushtetit; që opozita është për të qarë hallin sepse nuk i shkon dot asnjë kauze në fund.
Dhe mos kini iluzione! Në politikë, çdo humbje e njërës palë, kalon automatikisht në fitore të kundërshtarit. Sa më e madhe kauza e ngritur dhe e humbur, aq më e madhe fitorja e palës tjetër.
Kryeministri Rama ka fituar kur uli pikërisht Demian Gjikurin, të implikuar në manipulim votash, në tavolinën zgjedhore me opozitën.
Kjo e fundit, lejoi që kauza e saj e një viti, të shkërrmoqej me një veprim simbolik.
Rama fitoi kur, në mes të nëntorit, shembi shtëpitë e banorëve të Astirit. Opozita, që kishte premtuar t’i mbronte me trupin e saj, nuk u duk gjëkundi vecse në konferencë për shtyp.
Rama fitoi kur u publikua një shkrim jetëshkurtër në Bild këtë fillimviti, ku përsëriteshin pretendimet e Mother Jones për lidhjet e Bashës me lobistët rus. Shkrimi misterioz u hoq dhe lidhjet e Bashës me lobistët rus janë pak të besueshme, por kjo nuk ka rëndësi.
Përkrahësit e PD që kishin mbrojtur integritetin e Bild nga sulmet e Ramës, u panë ta sulmojnë atë me të njëjtën egërsi.
Këto episode mbyllën kapitullin e kauzave të marra përsipër e të vetsabotuara nga Partia Demokratike.
Mund të themi se pandemia ka qënë një bekim për ta, sac ka qënë për kryeministrin, pasi u ka dhënë një justifikim të hiqen si bashkëpunues të detyruar nga situata.
Pa pandeminë, gjasat janë që ky vit të vinte nxirrte më shumë në pah pafuqinë e PD si opozitë, derisa kryeministri ta begeniste për një qeveri parazgjedhore për sy e faqje (ose qeveri tranzitore, sic preferon ta quaj opozita).
Edhe dekretimi i ashpërsimit të Kodit Penal nga Meta, kur Kushtetuta e përjashton ndryshim e tij në kohë fatkeqësie natyrore, është një tjetër fitore e Ramës.
Mbrojtësi i Kushtetutës nuk e ka më problem shkeljen e saj.
Mbyllet kështu gjithë saga e kauzave opozitare të frymëzuara, me të drejtë, nga reforma skandaloze në drejtësi.
Rama, përkundër cdo parashikimi, ka arritur të kthejë cdo dobësi e cdo dizavantazh, në fitore.
Marketimi ndërkombëtar i imazhit të tij në kohë pandemie, kombinuar më shuarjen e cdo kundërshtie, e kanë konsoliduar më tej pushtetin e tij.
Nuk shoh asgje, vec ekonomise ta rrezikoje.
Mund të presim një qeveri të përbashkët parazgjedhore vitin tjetër, që Rama të jap idenë e një lideri bashkëpunues e demokratik, para marrjes së mandatit të tretë.
Nuk e ka të nevojshme të pranojë propozimin e opozitës, pasi kjo e fundit nuk ka asnjë mjet presioni ndaj saj.
Por, mundësia për ta përdorur opozitën edhe një herë për interes të tij është një fitore ekstra e kryeministrit.
Postscriptum:
Ka nga ata qe nuk do të bien dakord me tonin e këtij statusi, do ta quajne fatalizem apo edhe sherbim ndaj Rames (Bujrum!), por mendoj se njerezit e angazhuar ne opozite me pushtetin, aq sa kanë mbetur, duhet të jenë objektiv.
E ritheksoj: ky është fundi i iluzioneve!
Rama sot ka fituar.
Shpresa dhe arma jonë e vetme është të jemi objektiv, largpamës, serioz dhe të vërtetë, duke bërë opozitë largëpamëse, serioze dhe të vërtetë.
Nëse nuk e bëjmë dhe mbajmë shpresë te klasa jonë e korruptuar politike, ai do të fitojë prapë nesër.
Comments