Është e mahnitshme aftësia e një gjesti të vetëm si shprehje e një forme të diplomacisë së drejtperdrejtë, në një kohë kur mbarë globi rënkon nga pandemia e Covid-19.
Ku të strukesh në strofullën e ngrohtë dhe të respektosh kodin sanitar është kthyer në rregullin e ditës. Ku thuasje çdo proces jetësor është kufizuar dhe zonat e banuara marrin pamjen e qyteteve fantazma, ku sirenat e ambulancave shndërrohen në refren që përsëritet e përsëritet çdo ditë, ekzaktësisht si në filmat fantastiko-shkencor, tek të cilat fantazia e shfrenuar e regjizorit të çon në një tjetër univers.
Megjithëse kjo gjëndje merr trajta gati fantazmagorike, diplomacia nuk mundi të heshtë.
Për herë të parë gjatë gjithë këtyre viteve jetë që mbaj mbi supe dëgjoj të buçasin mediat ndërkombëtare për "Dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë drejt Italisë së gjunjëzuar nga armiku i padukshëm". Kujt do t’ia merrte mendja që veprimi i Kryeministrit shqiptar do të bënte kaq shumë "zhurmë" duke shkundur nga pluhurat parimet dhe vlerat e Schumanit?
Shqipëria që lakohet se ka shumë detyra për të përmbushur për t’u anëtarësuar në BE, u dha një mësim vendeve që predikojnë solidaritetin dhe vlerat e përbashkëta. Ku ishin sot ato vende në kohën që një nga vendet e unionit siç është Italia, kishte më shumë nevojë se kurrë për ndihmën e tyre? Mesa duket përpos mbylljes së kufijve kanë mbyllur edhe zemrat. Ministri i Jashtëm Italian Luigi di Maio shpreh vlerësimin e tij mbi mesazhin e solidaritetit që i vjen nga fqinji përtej Adriatikut.
Po ashtu Kryeministri Giuseppe Conte, ish Kryeministri italian Silvio Berlusconi, ish Ministri i Brendshëm i Italisë Matteo Salvini etj, kanë shprehur falënderimet e tyre për Z. Rama dhe qeverinë e tij. Gazeta sportive "Tutto Sport" gjithashtu e hap faqen e parë të saj me emrin e Kryeministrit shqiptar. Lajmi ka marrë dhenë deri në Hollywood ku aktorja Sharon Stone ka evidentuar gjestin human dhe solidar të shqiptarëve. Ka kaq shumë reagime të mënjëhershme nga politikëbërës, artistë, njerëz të thjeshtë që në postimet e tyre në rrjetet sociale i dedikojnë një status të veçantë shprehjes së mirënjohjes ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Po çfarë është ky kontribut modest në raport më atë çfarë po përjeton Italia që për afro një muaji është kthyer në qendrën e pandemisë botërore. Të jetë kjo një zgjidhje apo një shprehje simbolike e solidaritetit të 30 mjekëve dhe infermierëve vullnetarë apo një ide dhe veprim i Kryeministrit? Natyrisht kjo mbetet thjesht një gjest, i cili përpos mirënjohjes, respektit, humanizmit, shprehjes së marrëdhënieve të mira, është edhe një gjest diplomatik.
Pa dyshim që gjuajtja e rasteve të tilla dhe reagimi me zhdërvjelltësi i elitës politike i jep një lloj vizibiliteti vendit në perceptimin ndërkombëtar. Vënia në përdorim e një gjesti diplomatik të tillë nënkupton qasjen drejt një diplomacie të drejtpërdrejtë.
Ernest Mason Satow në librin “A Guide to Diplomatic Practice ”, e përkufizon diplomacinë si: “Aplikimin e inteligjencës dhe taktit, në zhvillimin e marrëdhënieve zyrtare ndërmjet qeverive të shteteve të pavarura”. Pikërisht ky veprim jo vetëm që ritheksoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe me fqinjin tonë Italinë, por i dha hov edhe mundësive të reja të bashkëpunimit dhe mbështetjes ndërkombëtare reciproke ndërmjet dy vendeve. "Mirënjohja është parametri i madhështisë njerëzore"- do të thoshte Adolfo L’Arco teologu dhe filozofi italian i shekullit të kaluar.
Ne shqiptarët i treguam fuqive të botës dhe atyre skeptikëve europianë që vlerat tona janë të mbrujtura kaq thellë saqë nuk hezitojmë në asnjë moment të ndihmojmë mikun në nevojë që dikur na është gjendur pranë, sikur me këtë duam t’i themi ‘Faleminderit’.
Në situata të jashtëzakoshme vlerë të madhe marrin veprimet e liderit, që përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të vendit dhe në rastin konkret reagimi pozitiv i menjëhershëm ndërkombëtar e ka dhënë vlerësimin e vet.
Një gjest i thjeshtë, ka arritur të sfidojë instrumentat më elegantë të diplomacisë. Nuk u deshën orë të tëra të ulura në sallonet mondane të evropës për t’u shtruar në bisedime për të arritur një zgjidhje, nuk ishin të nevojshme as negociatat. U desh vetëm një gjest i thjeshtë…diplomatik!
[1] Ushëzues për praktikën diplomatike.
* Blerina Serjani: Eksperte në të drejtën Ndërkombëtare dhe Europiane
Comentarios