Përgatiti: Gladiola Jorbus
Fëmijët dhe teknologjia
Sot jetojmë në një epokë, ku teknologjia mbizotëron në të gjitha fushat.
Fëmijët po rriten në një botë dixhitale dhe është detyrë e prindërve t’u mësojnë konceptet e shëndetshme apo vendosjen e kufijve.
Që në moshë fare të vogël, fëmijët fitojnë një familjaritet të lindur me objekte të tilla si: tabletët apo smartphone-ët.
Shpeshherë, të rriturit nxisin përdorimin e kësaj teknologjie tek fëmijët, pasi ajo shërben për t’i qetësuar dhe mund të konsiderohet një aleat i përkryer gjatë procesit të të ushqyerit.
Tingujt muzikorë apo personazhet e animuar janë pjesë e pandashme e rritjes së fëmijëve të shekullit XXI. Vetvetishëm lind pyetja:
Ç’ ndikim ka teknologjia gjatë fëmijërisë?
“Akademia amerikane e pediatrisë” dhe “Shoqata kanadeze e pediatrisë” deklarojnë se foshnjat nga 0 deri në 2 vjeç nuk duhet të kenë asnjë kontakt me telefonët celularë, tabletët e lojërat elektronike.
Për fëmijët nga 3 deri në 5 vjeç, përdorimi i këtyre pajisjeve duhet të kufizohet në 1 orë, ndërsa për ata nga 6 deri në 10 vjeç, jo më shumë se 2 orë në ditë.
Tejkalimi i orëve të rekomanduara nga mjekët mund të ketë pasoja jashtëzakonisht të dëmshme në zhvillimin e fëmjëve. Përdorimi i teknologjive të reja ka shkaktuar një ndryshim rrënjësor në jetën e përditshme të fëmijëve tanë.
Realiteti ndaj të cilit ata qasen dallon kryekëput nga ai i disa dekadave më parë. Videolojërat, interneti, televizioni dhe pajisjet teknologjike si celularët, tabletët apo kompjuterët janë shndërruar në kryefjalën e përditshmërisë së tyre.
Por nën vigjilencën e kujdesshme prindërore, ata mund të përmirësojnë performancën dhe zhvillimin e aftësive njohëse.
Televizioni në përgjithësi shoqërohet me efekte negative për faktin se fëmijët kalojnë orë të tëra para televizorit, pa bërë asgjë produktive duke i dembelosur njëfarësoj. Ndërsa tabletët ose iPad-ët nëpërmjet shkarkimit të aplikacioneve argëtuese apo edukative ndikojnë që fëmijët jo vetëm të argëtohen vizualisht, por edhe të mësojnë e të ndërveprojnë në mënyrë aktive.
Psh izolimi në shtëpi, gjatë pandemisë i hapi rrugë impaktit të gjerë të teknologjisë dhe influencës së saj. Dukuria e edukimit në distancë mori përmasa globale. Gjithsesi, stimujt mjedisorë ose mungesa e tyre janë ato që përcaktojnë zhvillimin e trurit në moshë të hershme.
Një nga efektet kryesore negative është kohëzgjatja e qëndrimit të fëmijëve para kompjuterit, tabletit ose televizorit, që i distancon ata nga realiteti dhe i zhyt në një botë virtuale apo imagjinare, krejtësisht të shkëputur nga ndërveprimi shoqëror.
Nëse përdoret në mënyrën e duhur, teknologjia dixhitale mund të ndryshojë jetën e fëmijës pavarësisht racës, gjinisë, përkatësisë etnike apo izolimit gjeografik duke krijuar ura lidhëse dhe mundësi zhvillimi apo aftësish. Nga ana tjetër, fëmijët mund të bien pre e shfrytëzimit, abuzimit, trafikimit, por edhe e kërcënimeve të tjera më pak të dukshme, por serioze për mirëqenien e tyre.
Sipas Anthony Lake, ish - drejtorit ekzekutiv të UNICEF – it: “Në një botë dixhitale, zërat e fëmijëve janë gjithnjë e më të rëndësishëm dhe dëgjohen më shumë se kurrë.
Kjo është një botë që jo vetëm do ta trashëgojnë, por ata po ndihmojnë në konfigurimin e saj.
Duke i mbrojtur fëmijët nga më e keqja që teknologjia dixhitale mund t'u ofrojë dhe duke zgjeruar qasjen drejt më së mirës, ne mund të anojmë peshoren drejt një përvoje me cilësi më të lartë”.
Comments