Gjeneral Major Qemal SHKURTI është lindur në vitin 1962 në Golëm, Gjirokastër. Ka mbaruar me “Medalje Ari” Shkollën e Mesme Ushtarake "Skenderbej" (1976-1980). Pas mbarimit të studimeve ne Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve (1981-1984), në korrik 1984, u emërua pedagog në këtë institucion për dy vjet. Më pas emërohet në disa njësi të ndryshme të këmbësorisë, kryesisht në detyra të zbulimit ushtarak, deri në vitin 1995, kur ai u gradua “Major”.
Në dhjetor të vitit 1995, pas kthimit në Shqipëri, pas gjashtë muajsh mision paqeruajtës (Observer Ushtarak i OKB-së në Gjeorgji-UNOMIG), ai mori postin e Komandantit të Kompanisë së parë
Paqeruajtëse Shqiptare dhe shërbeu në këtë detyrë deri në janar 2000.
Pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse ishte një përvojë e re për ushtrinë shqiptare dhe për të si komandant i kësaj njësie, ishte një sfidë, e cila u krye me sukses. Gjatë kësaj kohe, ai u dërgua dy herë në Sarajevë, BiH, si komandant i kontingjentit shqiptar të SFOR-it.
Ai u gradua “N/Kolonel” në shtator të vitit 2000 dhe nga ai vit deri në vitin 2008 shërbeu në detyra të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, në stafin e Zyrës të Bashkëpunimit Ushtarak Shqiptaro-Amerikan (MLT), Shef i Zyrës MLT (2001), Shef i Sektorit të Marrëshënieve me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes (MM), Zv/Drejtor i Planifikimit të Mbrojtjes në Shtabin e Përgjithshëm (ShP 2005) dhe Drejtor i Personelit në ShP (2007-2008). Ai u gradua “Kolonel” në shtator 2006.
Më 21 korrik 2008 ai u caktua si Atashe i Mbrojtjes në Londër, Britani të Madhe, ku shërbeu deri në shtator 2011.
Ai u promovua “Gjeneral Brigade” në gusht 2012 dhe, në të njëjtën kohë u dekretua Komandant i Forcës Detare dhe shërbeu në këtë post deri në qershor të vitit 2015, kur ai filloi detyrën Shefit të Misionit Shqiptar në NATO. Në tetor 2015 ai u gradua “Gjeneral Major”.
ka ndjekur studime të ndryshme në Akademinë Shqiptare të Mbrojtjes, siç është Kursi i Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe kualifikime të ndryshme, përfshirë Kursin Ekzekutiv të Qendrës Marshall për Studimet e Sigurisë.
Gjatë karrierës së tij, Gjeneral Major Qemal Shkurti ka marrë disa dekorata dhe medalje ushtarake për punë dhe kontribut të shquar.
Gjeneral Major Shkurti flet anglisht dhe ka njohuri të mira në gjuhën ruse dhe italiane.
Ai është i martuar dhe ka një djalë.
Burimi: Tribuna Ushtarakut
コメント