top of page
Search

Gladiola Busulla Jorbus, poetja durrsake e gjithësisë

" Kur lexon poeten Gladiola Busulla Jorbus, e gjithë gjithësia të fanitet për një çast si në pëllëmbë të dorës. Ecën në kohë me të në gjithësi, por koha në vend që të ngadalësohet shpejtohet nga emocioni që të përshkruan dhe përjetimi artistik"

Ajo mund të vlerësohet si poetja e gjithësisë, pa dyshim.



Poetja dhe autorja nga Durrësi Gladiola Busulla Jorbus, gjatë gushtit të këtij viti është përzgjedhur nga programi i AIR Litteratur Västra Götaland të jetë pjesëmarrëse në një program letërsie, në Stromstad të Suedisë.


Gladiola është shqiptarja e parë e cila ka qenë prezente në këtë rezidencë që i kushtohet tërësisht letërsisë në Bregun Perëndimor, e themeluar në vjeshtën e vitit 2015.

Kjo rezidencë artistësh ka strehuar shkrimtarë, poetë, kritikë arti dhe përkthyes suedezë, por edhe të huaj. Qëllimi i programit është të ofrojë një bursë pune, të mbështesë krijimtarinë letrare, dialogun dhe shkëmbimin.



Gladiola Jorbus ka një bashkëpunim të gjerë me krijues e përkthyes të shumtë në Suedi, ku ndër më të spikaturit është ai me Ullmar Qvick, albanologun e mirënjohur suedez, njohës i madh i kulturës shqiptare, studiues i historisë dhe gjuhësisë shqipe si dhe përkthyes i shkëlqyer nga gjuha shqipe në suedeze dhe anasjelltas.

Ullmar Qvick ka përcjellë në gjuhën suedeze poetë si Zef Serembe, Pashko Vasa, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Migjeni, Ali Asllani, Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Ismail Kadare etj. Në fondin e tij të përkthimeve, tashmë renditet dhe emri i Gladiola Busulla Jorbus.

Gjithashtu, një pjesë e poezisë dhe e prozës së durrsakes Busulla (Jorbus) është e përfshirë në website-n e Rezidencës Letrare të Bregut Perëndimor në Suedi.

Gladiola Jorbus është çmuar me një certifikatë vlerësimi nga Bashkia e Stromstadit dhe Biblioteka e këtij qyteti.

Më poshtë po ju gostisim me disa poezi të kësaj autoreje:










Jam poezi

Jam kurora e hënës,

Një perëndim i zhytur thellësive.

Jam një lug i gjerë,

Murrak e vrungullues.


Mes dhembjes e lumturisë

Mes mëkatit e shenjtërisë.

Bëhem vello e gjatë

Mbi ëndrra të bardha.


Ngjizur ndër tinguj

Mes vargjesh kreshpëruar,

Si pëshpëritje dashurie

Mbi buzën e nxehtë të gruas.


Jam fantazma binjake e kupës qiellore.

Kështjella e fjalës krenare.

E brishtë,e pamposhtur,idhnake.

Jam poezi.


Teatri i jetës Skena e të vërtetave të pathëna Është një jetë mjerane, zbehtake, e shkretë. Dhuroji një buzëqeshje të shkujdesur Kujtdo që gëzimin Dot nuk e preku. Si mund të quhet jetë Sonata arktike, Që fatit i shtillet dhe zhduket sakaq? Kori i yjeve, si aurorë boreale, në qiell u përshfaq. E ti hapin tënd, sërish nuk e ndal. Gjithçka rrjedh furishëm Ndaj, fort mirë e di Se kurrë s’do Të zgjohesh Nga puthja e tij… Vigma e shpirtit, Një sokëllimë Që humbjen vajton Në teatrin e ndjenjës. Dhe gjurmët që le mbi rërën e kohës, Dëshmojnë se nesër një tjetër, Dëshpërueshëm do t’ecë, Nën hapat e tu.


Liridë (shi yjor)

Të prek me gishtërinjtë e zemrës. Lëshohem mbi ty si lirida yjore. Shtruar, me puthje të befta, e gjerb trupin tënd. Si një krijesë hyjnore, zbres nga qielli i ëndrrave. Si dritëz hëne, shkëlqej mbi ty. Me zjarr dhe dëshirë, qëndis luginën e shpirtit tënd. Aromë jasemini kundërmon dashuria.


Dimër

I murrëtyer dimri mbi stalagmitet e zemrës. Dhuromë, pra dhuromë, Një pikëz loti! Të ujësoj akullimën.


Je ti hëna

Ti vezullon sonte!

Retë janë zhdukur

Nga sytë e tu.

Gjethet po bien

lumturisht,

mbi tokë.

Frymëmarrje të paqta.

Këtë mbrëmje

S’ mund ta harroj.

Je ti hëna!

Mbretëresha e yjeve

Që s’ faniten kurrë.





Yorumlar


bottom of page