top of page
Search

Gënjeshtari i pandreqshëm / nga Gladiola Jorbus

Kushdo që është i apasionuar pas filmave komedi të aktorit Jim Carrey, e di se ata janë të mbushur plot me momente qesharake dhe skena të paharrueshme. Në filmin “Gënjeshtar, gënjeshtar” Jim Carrey luan rolin e Fletcher Reede, një avokat i babëzitur dhe egocentrik, i fokusuar aq shumë në punën e tij, saqë e ka lënë krejt pas dore, djalin e vetëm Maks.

I biri mendon një dëshirë të çuditshme mbi qirinjtë e tortës, në ditëlindjen e tij të pestë, pikërisht që babai Fletcher të mos thotë asnjë gënjeshtër, të paktën për një ditë. E kështu, bota e Fletcher-it (gënjeshtarit të pandreqshëm) krejt papritur, kthehet kokëposhtë.

Në fakt, gënjeshtari i pandreqshëm është analogu i atij që vuan nga e ashtuquajtura sindroma e Pinokut. Ajo manifestohet si një ankth i vërtetë psikologjik, e cila shkakton shumë vuajtje për të dhe të tjerët. Kryesisht, karakteristikat e gënjeshtarit patologjik janë: të gënjejë edhe kur s’eshtë e nevojshme; të qenit i paduruar, manipulimi, intoleranca ndaj kritikave, apo mosqasja ndaj marrëdhënieve emocionale të pjekura. Gënjeshtra i dhuron joshjen, sigurinë e lirinë e pakufizuar. Të gjitha këto shërbejnë si motive stimuluese dhe karikuese për ta.

Në fakt ekzistojnë njerëz me këtë "sëmundje". Fillimisht, kontakti me ta është normal, por gradualisht vihet re intensifikimi i nervozizmit. Së pari, gënjeshtarët fitojnë besimin e atyre që janë përreth, por brenda një kohe të caktuar përfundojnë keq, sepse askush s’u beson më, as kur thonë të vërtetën. Gjithsesi, ata s’reshtin së gënjyeri. Është shumë e vështirë që gënjeshtarët të ndryshojnë, qoftë dhe për hir të dashurisë, familjes apo miqësisë së vërtetë. Gënjeshtarët e përkushtuar pas leximit apo që kanë nivel të kënaqshëm dijesh, p.sh. falë ndikimit kompetent të një pjesëtari të familjes, janë më të rrezikshëm. Ata mund të mashtrojnë fare mirë të tjerët, se janë të diplomuar në një profesion të caktuar dhe kështu të ndërmarrin inisiativa nga më të ndryshmet, e t’u sjellin gjithfarë telashesh dhe andrallash “viktimave “ të tyre.

Nëse jeni duke diskutuar me një gënjeshtar dhe doni të mbizotëroni situatën, duhet të kontrolloni reagimet emocionale. Disa studime demonstrojnë se gënjeshtari mund të zbulohet përmes tonit të zërit, shmangies së kontaktit me sy, mbajtjes së duarve në xhepa, uljes së kokës, përthyerjes së këmbëve apo ngurtësimit të trupit; i cili duket se nuk është aspak në harmoni me gënjeshtrën.

Por ekziston dhe ana tjetër e medaljes. Disa persona preferojnë t’u besojnë gënjeshtrave, premtimeve boshe dhe iluzioneve për të mos humbur ndoshta një person të dashur, që realisht (mungesë ndërgjegjësimi), e kanë humbur tashmë.

Shtirja padyshim mund të rezultojë më e lehtë se e vërteta, por pasojat do të ishin fatale. Do të shkëputeshin gjithnjë e më tepër nga vetja, nga ajo ç’ka janë e ç’ka u nevojitet vërtet. Sepse dhe e vërteta lëndon, jo vetëm gënjeshtra, por ndryshe nga kjo e fundit të ndihmon të rritesh dhe të ecësh me kokën lart.

Si përfundim, me gënjeshtrat, këto pohime që shtrembërojnë dhe errësojnë të vërtetën përballemi vazhdimisht. Madje disa syresh i kemi emërtuar dhe të bardha, për shkak se ato nuk dëmtojnë, nuk krijojnë tensione, pse jo të nxjerrin dhe nga situata. Për të qenë të sinqertë, askush s’mund ta mohojë se në raste të caktuara ka bërë sikur ka“lëpirë” buzët për një gjellë aspak të shijshme, ka derdhur lot krokodili, ka stimuluar kënaqësi seksusale, ka buzëqeshur me falsitet duke i uruar “ditë të mbarë” apo i ka shtrënguar dorën dikujt, që në të vërtetë, s’e duron dot.

Poeti i famshëm francez Louis Aragon, mjeshtër i së fshehtës dhe i mashtrimit shprehej se gënjeshtrat "janë fjalët që veshim si doreza, për të fshehur duart tona të deformuara".

Megjithatë s’duhet të harrojmë një postulat që vlen sa vetë jeta: “Gënjeshtra nuk e lehtëson dot shpirtin, siç mund ta lehtësojë e vërteta”.

Comentarios


bottom of page