Nga Pajtim Çaushi
Dikur në vitet '60
Më kujtohet kur Myzafer Çuberi vinte në Konispol tek shtëpia jonë. Në atë kohë ishte mësues në shkollën e Mursisë. Sapo ishte fejuar me Balen, vajzën e hallës sonë, Nadusë. Babai (Bajram) ishte dajua. Megjithatë, jo ngase ishte dajua, por atyre u shkonte shumë biseda dhe e respetonin tepër njeri tjetrin.
Isha ende fëmijë, por edhe sot i kam para syve të ulur në dy qoshet e manxetos tek pinin ndonjë gotë dhe bënin biseda të llojllojshme.
Ditën e martesës Muzua dhe Balja u dukën një çift shumë simpatik. Ashtu qenë gjithë kohës sa jetuan bashkë... se Muzua e la pak si herët këtë jetë...
E njëjtë, jeta dhe dukja si emri
Kur e lindën, emrin ia regjistruan Gëzim. Myzaferi dhe Balja e shënuan me këtë emër pa e ditur se djali i tyre dylind do të ishte gjithë jetën një njeri gazmor. Gëzimi nuk gëzoi shumë për vete, por i gëzoi të tjerët gjithë jetën. Nuk u kursye për t'i dhuruar çaste gëzimi familjes dhe miqve, të afërmve dhe shokëve të vet kudo që të qenë.
Eshtë ndër rastet e rrallë kur krijohet një përputhje harmonike mes shfaqjes dhe thelbit, pra mes emrit dhe natyrës vetiake gjatë jetës. Shaqja janë pesë shkoronjat e emrit të regjistruar. Thelbi është sjellja e tij në raport me të tjerët.
Gëzimi gurgullonte gëzim për të tjerët pa kursim.
Portret i shkurtër
Edhe segmenti i jetës së tij është i shkurtër. Ai u lind në 27 qershor të vitit 1966. Iku papritur nga kjo jetë në vigjilje të Vitit të Ri, më 31 dhjetor të vitit 2023. As mendohej, as pritej. Ishte një largim i beftë dhe tejet i dhimbshëm. Qe i tillë pasi e pamenduara përherë të godet më rëndë nga e pritura në kohë.
U lind nga Myzaferi dhe Balja në familjen Çuberi, fis shumë i njohur e i nderuar në qytetin e Gjirokastrës. Njerëz fisnikë, të gjindur, me merita atdhesie dhe prurje intelektuale.
Gëzimi erdhi në jetë dylind (binjak) së bashku me djalin tjetër, Kujtimin. Për arsimin tetëvjeçar u shkollua në qytetlindje e mandej radhaz në shkollat ushtarake të kohës, të njohura për edukatë dhe cilësi.
Në fillim të viteve '90 emigroi në Greqi, si mijëra të tjerë. Edhe atje, sikundër dhe në shkollë, u njoh nga bashkatdhetarët si njeri korrekt, i drejtë dhe i pa tjetërsueshëm në etninë e vet. Dihen presionet e fqinjëve për këtë në ata vite, megjithatë Gëzimi, me kurajo e mençuri, u thoshte sivëllezërve të vet:
- Tregoni pa frikë atë që jeni, jo ndryshe... Ju e dini, e vërteta i mban duart më të pastra se sapuni.
Shumica e dëgjuan dhe e besuan, pakica jo. Ata u shpërfytyruan në shpirt dhe etni.
Familje model
Gëzimi u martua me Silvana Abdallin. Si të thuash, gjetën njeri tjetrin pasi ngjanin si dy pika uji. Edhe ajo e qetë, e urtë, e punës dhe tejet respektuese. Një vajzë gjirokastrite që vinte nga një familje e nderuar e qyteti të gurtë e të stolisur të Jugut.
Lindën dy fëmijë, Aleksian dhe Enin. I edukuan me virtytet e tyre, larg veseve të këqia të kohës. Balja fliste përherë me dashuri për këtë nuse të vyer dhe e donte shumë si ta kishte bijë të vetën.
- S'e kam dëgjuar kurrë një fjalë të keqe nga goja e saj, asnjëherë nuk u bezdis në shtëpi, thoshte ajo për Silvanën e Gëzimit.
Thuhet se të mirën e gjurmon dhe e kërkon gjithmonë e keqja. Nusen e mirë e gjeti dhe e mori e keqja shpejt. Ikja e saj e parakohshme la në dhimbje jo vetëm Gëzimin dhe fëmijët, por gjithë familjen Çuberi: Balen, Rudinën, Ilirin e Kujtimin.
Një kafe morti tek Villa Vecchia
Në kafen e mortit të të ndjerit ka dhimbje e keqardhje, por jo heshtje me lotë e ulërima. Në krye motra, Rudina e kudondodhur. Krah saj dy fëmijët e Gëzimit, Aleksia dhe Eni. Në radhë tezet Drita, Nexhmije, Firdez e Myrvete. Thëniet e zakonshme në raste të tilla: "ngushëllime", "t'i rrojnë fëmijët" e të tjera, përfundojnë tek formula e njohur:
- Askush nuk është i përjetshëm... Kush sot e kush nesër, të gjithë atje do të shkojmë.
Dhe pas kësaj grimca, detaje e ndodhi të kafetarëve për të larguarin. Kuptohet, i larguari fizikisht, se shpirtërisht ishte atje me fjalën, zërin e humorin e tij të pashtershëm.
- Megjithë hallet e shumta, s'u dëgjua një herë të ankohej, thotë Rudina, për çdo herë ai të jepte shpresë me fjalët e tij "mos u mërzitni, hë se do kalojë".
Ndodhitë për Gëzimin të gjithë i shoqërojnë me buzëqeshje se i tillë ishte ai, i qeshur dhe i dashur për të gjithë.
Nënë e sakrificës, biri i përkushtuar
Jo vetëm në lagjen ku banon, por gjithë Gjirokastra e njeh Balen si një nënë të sakrificaës e përkushtimit. Çdo të keqje ajo i rri përballë me kurajo e durim. Dora dhe këmba e saj asnjëherë nuk përtoi t'i shërbente familjes pa u kursyer. Goja vetëm mjaltë nxirrte prej buzës. Nuk u përlot kurrë në sy të të tjerëve, as para fëmijëve të vet.
Pikërisht këto bënë që edhe fëmijët ta duan dh e ta respektojnë si Shenjtore. Njëherësh, të mos i linin asgjë mangut nga ato që mundnin dhe ajo dëshironte.
Gëzimi, kur u kthye nga emigrimi, nuk iu nda për asnjë moment. E shoqëronte kudo, i jepte kurajo, i puthte duart dhe e falenderonte, e donte dhe e respektonte si një Perëndeshë tokësore. Kishte një përkujdesje të jashtëzakonshme për atë dhe vëllezërit. Shpesh e përqafonte me dashuri dhe i pëshpëriste në vesh:
- Durimi është ilaçi për të gjitha dhimbjet, Bale... Ne të dy e kemi, kush s'e, s'ka asgjë.
Largimi i Gëzimit nga kjo jetë, e goditi rëndë Balen. Kuptohet, kur dikush i dashur i ikën jetës, lotët e nënës nuk shterren kurrë.
Kush ka vajzë, botën ka
Edhe Rudina e përjetoi thellë humbjen e Gëzimit. Sytë e motrës gjithë jetën kërkojnë mbështetjen dhe dashurinë e vëllait. Ndaj kur ndodh që e humb, dhimbja e motrës është si oshëtima me jehonë të gjatë e të thellë.
Në mjedisin e kafes së mortit ajo qëndron me dinjitetin e dhimbjes së pastër njerëzore. Pshëritimat për Gëzimin i shoqëron me përbetimin vetsakrifikues.
- Sa të jem unë, atyre kurrë s'do t'u mungojë asgjë... Do t'i marrë pranë vetes që t'i kem para syve përditë.
E dëgjoj dhe sjell në mend motivin e bukur të baladave të moçme gjirokastrite e panshqiptare, ato të sakrificës së motrës për vëllain. Me mend e krahasoj Rudin me Doruntinën (Dhoqinën) e Kostandinit, me motrën e Gjergj Elez Alisë... E përqas me një Nënë Terezë të Re që përbetohet për njerëzit, për jetën...
I lumtë kësaj bije e motre të rrallë!...
Vlera e individit është ajo që jep, se dashuria më e madhe është ajo e zemrës dhe e shpirtit.
Shkoi, por s'ka ikur
Gëzimi ndërroi jetë ditën e fundit të vitit '23. Ishte vetëm pesëdhjetë e shtatë vjeç. Çuditërisht po në atë moshë që e la këtë jetë edhe i ati, Myzaferi. Po aq ishte edhe gjyshi Sulo kur iku...
U largua nga këtu tejet njerëzor dhe human.
Edhe ditën e fundit të ekzistencës si gjallesë, ai pati bërë dy turne pune. Jo nga lakmia se atë s'e kishte, por nga dashuria të cilën e pati të tepërt. Atë e kishte vetëm të sinqertë. Shoku i vet do të merrte një shërbim mjekësor dhe ai e zëvëndësoi pa mëdyshje e kthesa.
Gëzimi shkoi ashtu si jetoi. Ai thoshte se një fytyrë e qeshur nuk kushton asgjë. Ashtu shkoi në tejjetë, me fytyrë të qeshur e zemër të pastër.
Por ndonëse shkoi me krahët e ëngjëjve të Parajsës, ai s'ka ikur. S'ka ikur se do të qëndrojë pranë nesh ashtu si ka qënë:...
Përherë i dashur, i qeshur e gazmor do të jetë Gëzimi ynë...
(Tiranë, 6 janar 2024 )
Comments