top of page
Search

Hajni dhe Çadra (pamflet) nga Pajtim Çaushi*


Faktet

U ndaluan nga prokuroria pesëmbedhjetë bisnesmenë hajna, vjedhës me anë të TVSH-së.

Tre u mbajtën në kuvli, kusuri u la me arrest në shtëpi. Po kështu edhe me ato dhe ata te Fondit "Bamirës" BESA.

Dakort, deri këtu mirëz a disi mirë!

Edhe të parët, edhe të dytët zanatin e grabitjes (sipas njoftimit të prokurorisë) kishin muaj e vite qe po e bënin.

Dëmi që i sollën buxhetit të shtetit (do të thotë të ardhurave që do pjestoheshin me gjithë shtetasit) arrinte disa miliarda lekë. Alias (ndryshe) disa miliona dollarë apo dhe euro.

Pyetja e parë

Zonjat dhe zotrinjtë që vodhën paret tona gjetën shesh e bënë pershesh apo vepruan lirshëm dhe me kurajo se patën mbi krye çadrën mbrojtëse të organeve ligj moszbatuese?

Pyetja e dytë

Miliardat apo milionat që grabitën nga ne zonjat dhe zotërinjte hajdutë mbetën tek ata apo na u kthyen ne të dëmtuarve?

Dyshim për pyetjen e parë

Të mashtrosh kaq gjatë shtetin dhe të fitosh pa djersë kaq shumë është e pamundur të veprosh vetëm me një dorë e me një këmbë. Mendoj se kanë vepruar të dyja këmbët e duart në unison: merr ti, se shteti s'sheh. Por unë pjesa e shtetit dua pjesën time të majme! Ma dhé - të mbaj, s'ma dhé - të lëshova!

Dyshimi per pyetjen e dyte

Gjysma e së mirës është se ligji i kapi dhe i mbylli në kuvli. Po gjysma tjetër e të mirës a bëhet?

Se mua popullin fukara më shqetëson leku im nga që jam mësuar të ngrohem me paret e mia dhe jo me ato të botës. Pra, hapur dhe troç, a u merren hajdutëve paret e vjedhura, apo ato mbeten në xhepat e hajnave të dyfishtë?

Logjika flet ndryshe

Logjika flet ndryshe pasi i bashkon të dyja pyetjet në një duke e drejtuar mendimin vetëm tek një përfundim.

Besoj që është kështu pasi dihet: kur kokoshët tane nisin, s'dinë të pushojnë derisa të binden që turma u bind.

Nëse do t'u ishin marrë paret e vjedhura do ta kishte dëgjuar gjithë bota nga altoparlantët mediatikë te sikurdrejtësisë e qeverisë.

E kundërta mund të jetë e vërtetë. Propaganda e porositur ngre kot një stuhi në gotë, ndërsa paret rrinë strukur në xhepat ku janë futur.

Ateherë ç'bëmë?... Asgjë, vetëm një zgjedhim të foljes vjedh dhe refren të foljes:

Unë vjedh, ti vjedh, ai dhe ajo leh - leh!...


* Autori është shkrimtar i njohur nga Saranda dhe ka qenë Pedagog i Gjuhës shqipe.

Comentários


bottom of page