top of page
Search

Harrojini tokat e premtuara, por premtohuni për tokën tuaj! nga Nada Dosti

Marr shkas nga një shkrim i para disa ditëve postuar nëpër portale i cili, pavarsisht përpjekjes së çiltër, ndoshta deri diku duke dashur të zgjojë ndërgjegjësim, më la një shije shumë të hidhur. Një shkrim depresiv dhe pesimist që rënkonte zbrazëtinë e qytetit dhe përpjekjet e vazhdueshme të rinisë për të lënë vendin.

Unë mendoj se kjo fazë është tejkaluar tashmë, pra faza e ndërgjegjësimit dhe vetëviktimizimit.

Ok, realiteti është ky që është! Kushtet janë këto që janë, por kjo s’do të thotë që duhet të dorëzohemi dhe të mbjellim pesimizëm edhe tek të tjerët. Për sa vite rrjesht janë ankuar shqiptarët e Maqedonisë se sa të diskriminuar janë, se sa të shtypur janë, se si ua kanë prerë krahët e shpresat…Ok! E morëm vesh! Tani është koha që i gjithë ky frustrim të shndërrohet në diçka pozitive: në sukses!

Në botë ekzistojnë popuj akoma edhe më të shtypur, të cilët përballen me trauma ditore, u mohohen të drejta edhe më themelore, por ende arrijnë të qendrojnë në këmbë. Po t’i vizitosh dhe t’i takosh do të gjesh tek ata vetëm pozitivitet dhe motivim. Fytyra të qeshura që shndërrijnë, dhe jo surratë ngrysur me të cilët përballesh rrugëve të Tetovës.


Sado i errët të duket realiteti ende ka shpresë. Mirëpo kur të kaplon pesimizmi është tepër e vështirë t’i shohësh nimetet përreth. Ndaj dhe marr guximin, si një vëzhguese e jashtme por që e njeh mirë dhe realitetin vendas, të ndërgjegjësoj dhe motivoj jo vetëm për një të ardhme por edhe për një të tashme më të mirë.


Që mos të mbetemi vetëm tek teoria, siç e kemi zakon ne shqiptarët, le të kalojmë në hapa konkrete.


Ekzistojnë platforma online dhe programe (Peace Corps North Macedonia, Salto-youth, Erasmus + etj) të fokusuara në zhvillimin e të rinjëve në Maqedoni, aq shumë sa dhe unë vetë do kisha dashur ta kisha një leje qendrimi apo nënshtetetësi të cilat do më mundësonin të perfitoja prej tyre. Në këto momente më duket sikurse një zë ndërgjegje prej miqëve të mi më replikonë: “Po, por këto kuota u jepene vetëm maqedonasve!” GABIM! Këto kuota janë të hapura për më të mirët. Nëse ti je një nënshtetash i këtij vendi dhe nuk e din gjuhën e parë zyrtare, turp! Nëse nuk e ke marr ndonjëherë mundimin të mësosh gjuhët e komuniteteve përreth, ndonjë gjuhë ndërkombëtare si anglishtja, dhe ajo çka është edhe më tragjike, gjuhën tënde mëmë: dopio TURP!


Përveç këtyre platformave ekzistojnë aq shumë organizata, klube dhe forume rinore të cilat për ditë po përpiqen aq shumë për ndryshim, aq sa për t’u pasur zili. Duke u njoftuar me qendrat në fjalë dhe duke u bërë pjesë e tyre keni për të parë se do të ndërmerrni një rrugëtimi jetëndryshues.


Pas mundësive që vijnë nga jashtë, atyre që i keni pranë jush, ekzistojnë dhe mundësi të tjera jashtë vendi siç janë stazhet, punët verore, shkollat verore, këmbimet rinore etj. Këto janë mundësi të mira edhe për t’u rritur individualisht por edhe për të marrë prej vendeve mikpritëse shembuj se si të kontribohet për vendin.


Dhe për të kaluar në rrafshin individual: ekzistojnë me qindra të rinj, që po korrin sukses brenda dhe jashtëvendit me nismat e tyre. E di që vetë mentalitet i ngushtë vendas në këtë rast do të shprehej (siç përsëri e kemi zakon ne shqiptarët që të gjejmë një justifikim për dembelizmin dhe për të pasur ndërgjegjen e qetë): “hajt be se me mik a me pare ka arritur aty ku osht” në rast se i suksesshmi është mashkull. E nëse është femër garant e ka arritur me atribute të tjera. GABIM! Ata janë njërez që kanë lindur dhe janë rritur me të njëjtat kushte dhe janë përballur me të njëjtat sfida me ata që sot vetem ankohen nëpër kafene dhe nuk levizin as majën e thojit për të bërë ndryshim. Janë të rinj që të mahnisin me arritjet e tyre. E nëse nuk më besoni gjurmoni më shumë për jetët e tyre. Njihuni me ta, takojini, flsini me ta! Bëjini ata shembuj dhe një rol model për t’u marrë. Një kolege e dashur, Arlinda, ka përpiluar dhe drejton prej kohësh një projekt fantastik (Emisioni MOTIV) që ka për synim pikërisht të promovojë figura të tilla. Programe të ngjashme keni dhe Pas Mëngjesit në Tv Koha, Paradite me ne në Tv Shenja, etj.


Të gjitha këto do të duken hapa abstrakte dhe të paprekshme për ata të rinj që si mentalitet e kanë pasurimin dhe rritjen e menjëhershme. Ndërsa ata që vërtetë duan të korrin sukses, të rriten si individë por edhe të kontribojnë për komunitetin dhe shoqërinë e tyre u mjafton pak ndërgjegjësim, zgjidhm nga plogështia dhe luftimi i dembelizmit.


Mos u merrni me ata që largohen, as mos i gjykoni! Me siguri kanë arsye e tyre. Dhe mjaft u ankuat dhe vajtuat për rininë që po largohet! Le të bëhemi ne ajo rini që krijon kushte që të tjerë mos të largohen dhe ata që kanë shkuar të kenë guxim të rikthehen!

Comments


bottom of page