U mbars mali dhe nxorri një mì, thotë njeriu i thjeshtë duke ngrënë buzet me dhëmbë e shkulur faqet me gishta. Për rreth një vit u ngjirën si soprano të lodhura liderucët e partiçkave e u fry si gjeldeti gjithë kampi i opozitës me pendët e veta shumëngjyrëshe.
Thanë e çthanë, bënë e çbënë, kërcënuan e kërcyen, u çorrën e kënduan, premtuan e harruan!... Pasi veshën kostumin e opozitës jashtëparlamentare, trumbetuan se do t'i bënin të gjitha ndryshe nga qeveria e korruptuar e radhë.
- Ç'do të bënin? - pyet njeriu i vogël e i butë.
Ja çfarë do të bënin njerëz të nderuar veç shumë të tjerave: - Kurrë nuk do të bëjmë zgjedhje me këtë Kryeministër e qeverinë e tij!
- Kurrë nuk do të ulemi si të barabartë me opozitën e shitur per te bërë Kodin Zgjedhor! -
Kurrë nuk e njohim këtë opozitë të sajuar dhe këtë pushtet vendor!
- Asnje marreveshje pa zgjedhje lira e të parakohshme!
- Kuvendi i ardhshëm kurrë nuk do të ketë më shumë se 100 deputet! (me milionat që do kursejmë do mbyllim vrimat e halleve sa një mal të popullit!)
- Do të hiqen me patjetër njëzetë e dy privilegjet sulltanorë që gezojnë në kurriz të popullit deputetët e Kuvendit! (thonë se vetëm kur shkojnë në banjë për të përmjerrë nuk paguhen).
- Do t'u hiqen dietat e harxhimet perandorake që bëjnë brenda e jashtë vendit etj... etj... etj!...
Njerëzit e thjeshtë e të butë dëgjuan, besuan, shpresuan dhe pritën me durim ditën kur të uleshin bashkë dy thasët me pleshta.
Prit e s'ka... prit e s'ka... sa njē ditë panë se ka. Dhe ja, u ulën... Urra!... Urra!... Urra!... Jepi forca o Bash vëlla, nxirre jashtë mllefin që mba!... Prit e prit e prit dhe HIÇ, gojës kyç!...
Nga sa tha kur bërtiste e ulërinte u tretën të gjitha si sheqeri ne ujë të kripur! Premtuat këte dhe këtë, bëni tē paktën gjysmat... Opozita e mbylli nje vesh me dyll!... I ratë gjoksit edhe për këtë e këtë...
Liderucët i mbyllin të dy veshët me dyll. Pas kēsaj as shohin, as degjojnë, as ndiejnë!
Në anën tjetër Kryeministri dhe Qeveria e tij nënqeshin dhe ia bëjnë:
- He, he, he u bëni be, s'bie shi në Mile, s'bie borë në Myzeqe... se Opozita është me ne
Atëherë, ç'të bëjë njeriu i butë e i shurdhtë? Shfry, rri, agjëron, harron... dhe prapë voton!
Kommentare