top of page
Search

IKU DHE MYFITI YNË I MIRË...

Nga Pajtim Çaushi

Ekzistencë njerëzore

Të gjithë do ikim, themi rëndom në raste mortesh a humbjesh, E vërtetë pasi shumica dërmuese e njerëzimit ndodhet nën dhe, ndërsa pakica mbi. S'mund të bënte dallim nga kjo rrjedhë ekzistenciale as Njeriu gojëmbël, dajua ynë, Myfit Vejzati.


Ish mesuesi Thanas Mici kujton

“Është një i njohuri im i nderuar, ish mësues në Konispol, njeri i lexuar, pra i ditur. Kisha tri ditë pa e takuar.”

- Ku vrapoje këto ditë o njeri?... Mëkat të humbësh këtë det e me këtë diell!

Pasi i tregova për ikjen e dajos nga jeta, u interesua për emrin. Kur i thashë se quhej Myfit Vejzati, u ligështua në pamje dhe shtoi.

- E kam njohur... Ka qënë mesues në fillim të viteve '60. Në atë kohë ishte një djalë i gjatë, pakëz esmer, elegant, bukurosh, hokatar dhe shoktar i shkëlqyer. Ndjesë pastë Myfiti, ka qënë njeri i rrallë!...

Unë, nipi i Myfitit, nuk mund t'i shtoj asnjë cilësim tjetër portretit që i bëri mesues Thanasi shokut të tij të rinisë.


Mufiti i Çibe çibukut

Kështu i flisnin të njohurit e shokët: Mufiti, jo Myfiti. I ati Abedini, e la shumë të vogël pasi vdiq shpejt. E rriti e ëma nanë Çibeja dhe e mbajti si princ deri ditën që ndërroi jetë. Edhe i biri kurrë nuk ia bëra fjalën dy. E adhuronte si perëndeshë. Nga kjo lidhje e fortë mes tyre në ligjërimin bisedor, të gjithë i ngjitnin përcaktorin e pandashëm: Mufiti i Çibe cibukut. Ai krenohej për këtë.

Nanë Çibeja kishte edhe dy vajza, Fetaneten dhe Dëshirën. Bashkë me ato edhe mbesën, vajzën e motrës, Senon të cilën e ëma e pati lënë foshnjë.

Të tria e donin shumë vëllain e tyre që dallohej mes shokësh për cilësitë e tij të admirueshme. Edhe ai i donte shumë dhe i respektonte si respekton vëllai i mirë motrat e veta të shtrenjta.


Momente nga jeta dhe puna

Segmenti i jetës së Dajos përmbledh vitet 1937 - 2022. Përgjatë këtyre viteve ai u shkollua me arsimin bazë dhe vijoi të specializohej në fushën e arsimit dhe të financës.

Në fillim të viteve '60 punoi si mësues në Dishat e Shalës. Më pas si llogaritar apo revizor në Ndërmarrjen Tregtare e në llogarinë qendër të Kooperativës së Konispolit.

Në secilën punë që kreu ishte zot i saj dhe nuk iu dha asnjë masë a ndëshkim për paaftësi e neglizhencë. Përkundër, kudo ku vinte lapin Myfit Vejzati, puna quhej e realizuar shkëlqyeshëm.

Në fillim të viteve '60 u martua me Hatixhenë, një vajzë të urtë e të respektuar nga Pantalejmoni. Lindën, rritën, edukuan dhe arsimian dy fëmijë, Fatmirin dhe Meritën të cilët janë të zotë në punët e tyre.


Kryeplaku i Konispolit

Në vitet '92 - '98 ka qënë zgjedhur Kryeplak në Konispol. U tregua i palodhur për të zgjidhur problemet e shumta të kohës që kishin njerëzit në atë fillim të ekonomisë së tregut.

Të gjithë e kujtojnë me respekt për drejtësinë e tij në zgjidhjen e konflilteve si dhe për fjalët e tij proverbiale:

- Jemi vëllezër e turp të grindemi... Tani të rrimë shtrembër, po të flasim drejtë. Për këtë sherr që bëni ti ke të drejtë, kurse ti nuk ke të drejtë. Po deshët thartohuni, po deshët ëmbëlsohuni, kjo është e vërteta.

Fjalën e tij bashkëqytetarët e dëgjonin dhe e besonin.


Humori - pjesë e pandarë e jetës së dajo Myfitit

Shakatë e tij qenë pa sforco dhe me humor të shëndetshëm. Ishte i folur në biseda shokësh a në mbledhje të rastit.

- Më ka lindur nanë Çibeja me bilbil në gojë mua, ndaj flas e nuk jam vuv, - thoshte kur tregonte ndonjë ndodhi duke buzëqeshur ëmbël.

Në raste kur na ngacmonte ne nipërve thoshte gjasme me zë të ashpër:

- Donit ndonjë dajko si (përmendte një emër që njihej si pijanec e sjellje jo të hijshme kur dehej) jo mua që u nderoj ndaj të më mbani në pëllëmbë të dorës!...

Pas këtyre fjalëve qeshte e na merrte pranë.vetes si vëlla i madh e i dashur.


Dhimbja e thellë

E di, këto sa shkrova janë fare pak për të mirin e të ndjerin Myfit Vejzati, megjithatë janë një nderim, respekt e admirim për Dajkon tonë të shtrenjtë që iku në botën tjetër duke na lënë një dhimbje të thellë në zemrat tona...


Comments


bottom of page