Partia Demokratike ka disa ditë, por në fakt ka vite, që denoncon gjendjen e mjerueshme të arsimit në Shqipëri. Ne ndodhemi këtu, dhe mbrapa meje është shkolla “Emin Duraku”, shkolla 9-vjeçare e kryeqytetit e njësisë Nr.5, e cila aktualisht është jashtë funksionit.
Por, si është historia e kësaj shkolle?
Kjo shkollë me tërmetin e vitit 2019-të pati dëmtime të lehta sipas Institutit të Ndërtimit.
I cili e çertifikoi shkollën si të mundshme për të kryer procesin mësimor.
Jo vetëm kaq, por nxënësit dhe mësuesit kanë bërë mësim për 3 vite në këtë shkollë në kushtet që ishin të certifikuara si një shkollë e parrezikshme, pavarësisht dëmeve që kishte pësuar nga tërmeti.
Me insistimin e prindërve ka pasur edhe disa rikonstruksione të vogla në këtë shkollë. 3 vjet më vonë qeveria, bashkia, Ministria e Arsimit kujtohen që shkolla qenka një shkollë për t’u shkatërruar dhe qenka e rrezikshme për nxënësit dhe mësuesit.
Shkollën tani e kanë nxjerrë jashtë funksionit, dhe duan ta shkatërrojnë dhe ta rindërtojnë nga fillimi.
Në këtë rast kemi të bëjmë me abuzim të pastër.
Dy janë mundësitë: Ose shkolla ka qenë që atëherë për tu shkatërruar, dhe nuk e kanë shkatërruar e kanë futur nxënësit dhe mësuesit duke u rrezikuar jetën për 3 vjet këtu. Në këtë rast duhet të shkojnë për ndjekje penale ata që kanë rrezikuar jetën e mësuesve dhe të nxënësve të Tiranës.
Dhe në rastin e dytë kur shkolla nuk ka pasur dëme serioze dhe raporti i institucionit të ndërtimit ka qenë real, dhe sot po e prishin kotë. Po e prishin për të marrë ato fonde e rindërtimit, për t’ia dhënë oligarkut të radhës, apo siç thonë banorët se duan t’i zvogëlojnë sipërfaqen për shkak të një pallati tjetër që do të ndërtohet në krah të shkollës.
Edhe në këtë rast është shpërdorim detyre dhe për burg.
Të dyja rastet i çojnë zyrtarët e ministrisë, zyrtarët e institutit të ndërtimit, zyrtarët e Bashkisë Tiranë në burg. Por, në fund ata që vuajnë dhe ata që e pësojnë këtë gjendje të shpërdorimit të detyrës, të trajtimit të pronës publike si pronë private ata janë pikërisht nxënësit, mësuesit dhe banorët e kësaj zone.
Ata nuk do të kenë mundësi të kryejnë mësim të rregullt, por do të shkojnë në shkolla të tjera me dy turne në mes të Tiranës.
Kjo është gjendja e arsimit, ky është arsimi në rrezik sot. Kjo është ajo që ne flasim çdo ditë, abuzimet që bëhen me paratë e shqiptarëve ne shkollat e shqiptarëve me arsimin e shqiptarëve.
Me këtë lloj qeverisje Shqipëria është në rrezik.
Shumë faleminderit!
Comments