top of page
Search

"Intelektualë" pa asnjë vepër

Nga Rabije Bytyqi


Këtu, sot e gjithë ditën me kokën në thes shkohet drejt të ndjellave mitike. Miti njeriun arriti ta shëndërroj nga diçka në asgjë….

Këtu, mu këtu në këto kotare janë në fuqi shumë ligje dhe nënligje, por tarafi dhe klani që sundonte dikur, sundon dhe sot!

Dordolecëve komikë, të cilët nuk dinë lojë tjetër, pos asaj që në mes të fushës t’ju veshen rrobat e reja për të trembur sorrat dhe, të vazhdojnë të ngjajnë si burra shteti, ku për ta gjithmonë do të mundësohen festa e darka të bollshme; do t’ju këndohen këngë lavdie për së gjalli dhe po ata këngëtarë i do të vazhdojnë të ushqehen nga gatimet e servuara nëpër sahanë partiakë të pakallaisura.

Mirëpo stomaku ynë e (se) ka të lehtë t’i pranojë e t’i përtyp këto leshra. Megjithatë mitet mbeten tipare të popujve primitiv, te i mësuar me sharllatani dhe kapadahi. Hapësirat tona vazhdojnë të lodhen me shumë temena përpara “lisave” të lartë, të cilët qëndrojnë përballë një zbrazëtire guacash.

Fjala “intelektual” është një fjalë me semantikë të lëvizëshme e të paqëndrueshme. Ja ç’thotë për këtë Roland Barthesi:

“Intelektuali është bërlloku i shoqërisë”. Bërllok në kuptimin strikt, në kuptimin ekzakt, d.m.th që nuk shërben për asgjë. Kështu, çdo regjim i fortë o i kalbur mëton që “intelektualët” ose gjysëmintelektualët (nëse i kemi në këto anë) t’i rreshtoj resht për një.

Por, shqiptarët që mund të hynë në rrethin e semantikës së kopesë, nuk dëshirojnë të dëgjojnë se çfarë bëhet jashtë vathës të asaj lumturie viçërore.

“Mirë e kanë, thonë rreshterët e lagjes “Për pesë pare”: bota ka çelsin e vet, ne kemi çelsin tonë. Çka na duhen neve punët e të tjerëve, ne jemi mirë!”. Dhe gjithëherë mblidhen kabareve të çarshisë, ku edhe fërkojnë duartë fshehur nën sedrën e quajtur Atdhe.

Janë endur shumë filozofi mes nesh, por edhe pse përherë kemi rënë nën lëkurë të proshme, ne nuk mbushemi me mend, ne nuk vijmë në vehte, nuk shkojmë në kotaret tona. Kohët ringjallen, ikin e kthehen kur t’ju kujtohet, përderisa ne ëndërrojmë ëndrrën e fundit në kohën kur edhe gjeli i fundit ja thotë lajmit: “dita e re po nis”! Kujtojmë, sa e sa herë edhe në këto mosha të “nderuara” mund të ringjallim dëshirat fëmijërore për Flamur e për Atdhe!

Dhe, ky fiksim demagogjik akoma më thellë na rras me shqelma, derisa të bëhemi lëmsh të mëkateve nga e kaluara. Sikur fjalët të kishin peshë fjale, fjala, “intelektual” do të shfaqej premierë e një shfaqeje ëndërr, e reprizuar përpara haleve publike dhe e duartrokitur në rrokje të çmeduara frenetike.

Gjynah nga Zoti, por revista amerikane “Partisan Reveië”, botim i vitit ’92 quan intelektualë të shekullit të XIX vetëm Marksin, Hegelin e Niçen. Për personazhët e kohës nuk ju ka shkuar mendja aq larg. Çështja e intelektualit, gazetarit dhe e shkrimtarit është një punë e baltosur aq shumë sa, ta hajë huti i natës, s’ke si ta kuptosh si të mos kesh pak dromca truri. Për të ka folur Haveli, Miloszi, Bellow, Brodsky dhe mjaft të tjerë.

Ja ç’thotë ky i fundit: “Intelektuali është një njeri sistematik. Ai përpiqet t’iu japë një sistem, apo antisistem, të krijuar si një përpjekje e vullnetit”.

Nga kjo shihet me sy ndjenjash se intelektuali, pavarësisht semantikës së lëvizëshme, duhet të jetë krijesa që ushqehet me ndjenjën e natyrës së shëndoshë dhe të jetë më i besuari i

Perëndisë. Ndonëse ata që harrojnë të drejtohen nga qielli ose ju merren “mend” sapo ngrenë kokën lart për të pare Dritën, nuk duhen të hamenden, miza është ndër kësulë!

Në koluaret tona sa janë ato, në kafene kulturore dhe akulturore intelektualë quhet çdo i treti i lagjes; në një rresht janë rreshtuar:

-ai që ka para e s’ka lexuar një strofë leximi; në një peshore maten edhe ai që grumbulloi kashelashet e thëna edhe ai që studijoi shumë e shkroi mbi dhjetë libra.

Në rreshtin e parë i takon ata “intelektualë”, gazetar e publicist, mësues e veteran, të cilët mund të identifikohen pa asnjë vepër, pos me letërnjoftim të ofiqarit. Me turpin jemi pajtuar që moti. Atëhere cila është arsyeja për të marrë guximin e të bëjmë dallimin e këtyre punëve?

Sido që të jetë, tani për tani gjithçka është nën kornizat e orvatjeve përpëlitëse. A e kalon miu kodrën?! E kalon, si nuk e kalon….

Intelektuali në radake ka trurin e unifikuar, mbi shpinë bartë peshën e kohës, shpresë të vetme ka Zotin…

Autore :

Rabije Bytyqi Prizren

Shtator, 2022.🇦🇱🇽🇰

コメント


bottom of page