top of page
Search

Inxhinieri Baballëku: Tërmeti, duhet vëmendje ndaj elementëve “dytësorë” dëmprodhues për godinat

Markel Baballëku


Dy vite pas tërmetit - domosdoshmëri për vëmendje ndaj elementëve “dytësorë” dëmprodhues......


Përveç çështjeve të shumta të lidhura me qëndrueshmërinë e ndërtimeve të reja apo atyre të përforcuara, mendoj se duhet treguar kujdes i duhur nga projektuesi, zbatuesi, mbikqyrësi dhe autoritetet përgjegjëse, edhe për ato elemente ndërtimore, të cilat për shkak të rëndësisë së tyre joparësore në qëndrueshmërinë e strukturës, lihen pas dore dhe prodhojnë pasoja domethënëse tek njerëzit dhe banesat e tyre.


1-) dyert kryesore të njësive të banimit:

Mjaft persona e kanë pasur të vështirë/të pamundur të largohen nga banesat për shkak të bllokimit të derës së banesës. Konceptimi dhe ndërtimi i një kornize rezistente ndaj deformimit do të pakësonte këtë pasojë nga tërmeti. Në këtë mënyrë përmirësohet edhe mbërthimi i derës kryesore për qëllime të tjera - siguria fizike e banesës;


2-) shkallët: Dëmtimi i tyre gjatë tërmetit kthehet problem parësor për largimin e njerëzve, veçanërisht kur shumë njerëz duhet të dalin njëkohësisht jashtë ndërtese. Gjithashtu, për shkak të gjeometrisë së tyre dhe lidhjes me strukturën kryesore, shpesh shkallët risin cenueshmërinë për vetdëmtim dhe dëmtimin e strukturës. Rrjedhimisht, kërkohet kujdes për të siguruar aftësi mbajtëse të duhur për vetë shkallët dhe për të kufizuar cenueshmërinë strukturore nga ndikimi i tyre;


3-) energji elektrike dhe ndriçim plotësues të përkohshëm: Vonesa dhe lëndime janë shkaktuar edhe nga mungesa e dritës. Si në banesa ashtu edhe në zonën e korridorit/shkallës së ndërtesës duhet të ketë ndriçim plotësues të përkohshëm në çastin kur ndërpritet rryma parësore elektrike. Kuptohet, pajisjet vetjake elektronike (celularët, etj.) janë një ndihmë e madhe në këto raste, por në çastin e befasisë edhe kjo ndihmë shpesh kthehet e pamjaftueshme;


---------------------------------------------------


4-) muret mbushës/ndarës: Së pari, e mira është që të përdoren mure sa më të lehtë e të thatë në ndërtesat betonarme - të hiqet dorë, aty ku është e mundur, nga muret me peshë domethënëse për shkak të forcës së shtuar sizmike që ata prodhojnë. Së dyti, të tregohet vëmendje e duhur në projektim dhe ndërtim për mënyrën e lidhjes së mureve mbushës/ndarës me strukturën betonarme; në të kundërt, bashkëveprimi i tyre me strukturën mund të prodhojë cenueshmëri të dyfishtë... për vetmuret dhe për strukturën - shumë prej tyre të vërtetuara pas tërmeteve të 2019;


5-) fuga sizmike: Kjo fugë ka si qëllime parësore ruajtjen e rregullsisë strukturore dhe mos përplasjen e njësive të pavarura ndërtimore. Projektimi dhe ndërtimi i saj me gjerësi të papërshtatshme dhe e papajisur me elementët e nevojshëm, përveç cenimit të sigurisë strukturore, prodhon edhe panik të shtuar gjatë dhe pas ngjarjes sizmike - shpesh njerëzit e interpretojmë si çarje strukturore dhe risin pasigurinë ndjesore (për pak sa nuk u shpall e pabanueshme një ndër ndërtesat e spitalit për këtë shkak). Pasiguria ndjesore kthehet e dyfishtë kur kjo fugë bëhet në mes të banesës, p.sh. dhoma e gjumit gjendet në dy njësi të ndryshme strukturore

Nëse nuk merren masat e duhura, fugat sizmike kthehen në problem të përhershëm pas ngjarjeve sizmike edhe për shkak të pasojave të tjera, p.sh. lagështi e shtuar nga uji që depërton në zonën e fugës, me pasoja për ndërtesën dhe banuesit e saj.


6-) kafazi i ashensorit: Shqetësimi në Durrës fillimisht u fokusua në mungesën e kafazeve betonarme, por janë të shumta rastet me dëmtime me përqendrim të mureve betonarme vetëm në zonën e kafazit/shkallëve. Për shkak të lehtësisë në montim dhe të sigurisë ndaj zjarrit, kjo zonë shpesh ndërtohet me bërthamë betonarme, ndonëse as nuk është dhe as nuk mund të jetë kusht i detyrueshëm. Nëse bërthama nuk shoqërohet me shtime muresh betonarme në zona të tjera - shpërndarja e njëtrajtshme e tyre është tepër e rëndësishme për skemën strukturore - ndodh dukuria e përdredhjes e cila prodhon pasoja të shtuara për strukturën kryesore dhe elementet e tjerë ndërtimor në rast tërmeti;


--------------------------------------------------


Çështjet e listuara i kam vërejtur më dendur gjatë tërmeteve të 2019 dhe për të cilat shoh se pak është përmirësuar deri tani. Gjithsesi, nuk përjashtohen elemente të tjera që ndikojnë në mënyrë të menjëhershme në sigurinë dhe cilësinë e jetës dhe ndërtesë pas ngjarjes sizmike.

Comments


bottom of page