Nga Pajtim Çaushi
Ndrçimi i fisnikërisë mund të zbehet, por kurrë s'shuhet
Izet Jahaj (Izeti) u lind në Konispol më 8 nëntor 1933. Të pakët ishin ata që i njihnin mbiemrin e vërtetë Jahaj, shumica e njihte me përcaktimin Izet libraria ose Izet libri.
Dikush që kishte marrëdhënie më të afërta me të e dinte se atij njeriu të mirë e të ditur i shkonte bukur për shtat edhe ndajshtimi Mençuria pasi i tillë ishte.
Nuk thuhet kot se tek rrjedh, do pikojë.
Lindi në një familje fisnike të Konispolit. I ati, Mehmet Jahaj ka qënë kryeplak në Konispol. Njeri i drejtë, humanitar që i ndihmonte të tjerët kur ishin në nevojë. E shoqja nanë Dizja, fisnike e model i një zonje të nderuar konispolite.
Djemtë Dauti, Esati, Izeti dhe vajza Asije, të lindur e rritur në këtë dritë fisnikërie, u bënë pasardhës të vitytshëm në edukatë, sjellje e punë.
Ilaç më i mirë për kohët fatkeqe është durimi
Ndonëse pjesë e parisë atdhetare të Konispolit, regjimi komunist që u vendos pas vitit '44 s'e kurseu këtë familje për ta vënë në gijotinën e dhunës e të persekutimit.
I miri dhe humanisti Mehmet Jahaj (Izeti) u arrestua në vitin 1945, u mbyll në kalanë burg të Gjirokastrës prej nga nuk doli kurrë. Atje i humbi jeta dhe kockat. As sot familjarët nuk kanë një varr të tij për ta kujtuar me një tufë lule respekti.
Pasardhësit, fëmijë me intelekt e të aftë për çdo punë kur me vështirësi sistemoheshin, kalonin në kalvar mundimesh e persekutimesh.
Sa herë ngrihej dallga e luftës së klasave, i pari që do të largohej nga puna do të ishte Izeti, më i zellshi në punë, më duararti mes shokëve.
I mërzitur, por jo pesimist i thoshte dajo Myfitit:
- Unë ika, po ti ruaj veten se në listë të kanë!
Dhe një rast i shëmtuar dhe qesharak për regjimin e kohës.
Esati, mësues i nderuar, u pushua si arsimtar dhe u dërgua në kooperativë. Bashkë me të edhe mësuesi tjetër i nderuar, Agim Losha. Shkuan në punë prodhuese.
Pas i shoqëroi paradoksi qesharak i byrosë së partisë dhe kryesisë së kooperativës:
- Asnjë makinë mos t'i marrë. Që të kaliten, ta bëjnë me këmbë Konispol - Rrahë e kthim.
Për turpin e urdhëruesve, ashtu u bë!...
Koha fatkeqe i luftoi dhe i persekutoi, por ata duruan dhe mbijetuan.
Punon me diell që lind, pushon me diell që perëndon
Izeti ishte i aftë për çdo punë ndaj dhe bëri disa të tilla në jetë. Kudo e ndiqnin hijet e së keqes, por atij nuk i qëndronte asnjë njollë shpifëse sipër pasi ishte i përkushtuar dhe shumë i zoti i punës së vet.
Në rini punoi si llogaritar tek Ndërmarrja e Tregtisë e Konispolit. Në atë kohë atje punonte edhe nëna jonë, Fetanetja. Nga miqësia që Izeti kishte me vëllain e saj Myfitin, ajo edhe atij i fliste vëlla. Kur binte fjala për punën, buzëqeshte e thoshte:
- Vëllai s'e ka shokun për punë... E fillon pa dalë dielli dhe e lë kur ikën dielli.
Ashtu ndodhte vërtetë, ai s'dinte të linte përgjysmë asnjë lloj pune.
Më vonë punoi në Shtëpinë e Kulturës së qytetit, më pas kujdestar konvikti e së fundi si librar i Ndërmarrjes së Librit.
Ironia e punës së fundit qëndron në faktin se mjedisi i librarisë ishte ndërtesa e babait të tij. Pra shtëpia e vet ishte marrë, shtetëzuar e kthyer në librari nga rregjimi komunist.
Ai që lexon libra flet me të gjitha kohët e vendet e botës
Për Izetin si librar do të ndalem pak më gjatë. Kjo për faktin se gjatë atyre viteve e njoha më mirë atë njeri të mençur e të gjendur. Në funksion të lëndës së Letërsisë që zhvilloja në gjimnaz, kisha bibliotekën e shkollës. Fatkeqësisht, kur e mora atje mungonin shumica e librave që kërkonte programi mësimor. Më duhej t'i gjeja për nxënësit. Ia thashë problemin Izetit.
- Më bëj listën nip, të tjerat m'i lerë mua, u përgjigj.
Nga këmbëngulja e tij dhe lidhjet me kushërinjtë Mushi në Tiranë (fisi i njohur intelektualësh konispolit), furnizimi i Librarisë së Konispolit bëhej jo nga Saranda si të tjerët, por direkt nga Ndërmarrja e Librit në qendër.
Kështu, fal tij, gjimnazit të Konispolit s'i mungoi kurrë asnjë libër artistik apo shkencor që i duhej nxënësit a mësuesit.
Vet Izeti lexonte shumë. Im bir Tanushi, më thoshte shpesh:
- O babi, asnjëherë nuk e shoh xhaxhi Izetin të rrijë kot në librari... Ose lexon, ose shkruan diçka. Sa i palodhur ai njeri!
Më kujtohet se një herë gjatë muajit të letërsisë e ftova në vitin e tretë gjimnaz në një bisedë për librin. Erdhi, foli për botimet e reja dhe vlerësoi autorët shqiptarë. Kur një nxënëse që lexonte shumë, i kërkoi një këshillë për sjelljen ndaj leximit, Izeti i mençur dhe i pasionuar i tha:
- Mos lexo me vrap, po me hap... Atë pjesë që e lexon, mos e kalo në stomak, po përtype mirë që të shkojë e të qëndrojë në mendje. Dhe mos harro se ai që lexon libra, flet me të gjitha kohët e vendet e botës.
Gjendet përherë një bletë për të ëmbëlsuat zemrën e helmuar
Izeti u lidh në një martesë fatlume me Luizën, vajzë me vlera e virtyte nga fisi fisnik i Kuramajve të Konispolit. Ajo solli dritë e lumturi jo vetëm për bashkëshortin, por dhe për nanë Dizen e gjithë familjen. E zgjuar, e sjellshme, me kulturë e intelekt të lindur.
Ajo e ëmbëlsoi me mjaltin njerëzor jetën e hidhur të kësaj familje fisnike të goditur e të mënjanuar nga diktatura e kohës moniste.
Lindën katër vajza si katër ylle. Ato janë Enerjeta, Majlinda, Ildishani dhe Arta. Bija të rralla të dy prindërve të veçantë. Me sjellje të hijshme, me kulturë e dije, me gëzim në sy, me mirëdashje në buzë.
Mes shoqesh në shkollë të shenjuara për rregullsi, studim, pastërti, sinqeritet e respekt pa cak.
Të tillë edhe fëmijët e tyre, të njëjtë si të parët dhe të sotmit e vet.
Vajzat e Izetit e të Luizës janë në përputhje të plotë me thënien e mençur:
- Pema e shëndetshme frutat i rrit me shije e dritë...
Iku, por pas la gjurmë të bukura
Izet Jahaj (Izeti) iku nga kjo jetë më 16 nëntor të vitit 2010. Pas kësaj Konispolit i mungoi një qytetar i nderuar, i zgjuar dhe i kulturuar. Një mik i të gjithve.
Ai la pas gjurmë të bukura sjellje e diturie në jetën familjare e qytetare, ndaj do të kujtohet nga të afërmit e bashkëqytetarët me mall e respekt të vijueshëm...
Tiranë, 25 shtator 2023
Commentaires