top of page
Search

Ja hapat për inspektimin e ndërtesave nga tërmeti - nga Markel Baballëku*

Hapat e duhur për kryerjen e një hulumtimi (inspektimi) të plotë strukturor, përpara vendimmarrjes mbi përforcimin dhe riaftësimin e ndërtesës apo për rindërtimin e saj.


1-) Njohja e plotë me projekt-zbatimin strukturor së bashku me relacionin teknik përkatës, dhe, nëse është e mundur, edhe projektet e tjera (arkitektura dhe instalimet inxhinierike).

Studimi gjeologjik dhe, nëse ka, edhe vërtetimin/raportin/studimin sizmik;


2-) Njohje me dokumentet e zbatimit të ndërtesës. Këtu janë me vlerë të veçantë procesverbalet e ndërtimit (muratura, betoni, çeliku);


3-) Ndërhyrjet e mundshme (me dhe pa projekt) në periudha të ndryshme të shërbimit të ndërtesës (ndërhyrje në katet e para, shtesa ndërtimi apo çdo ndërhyrje tjetër potencialisht cenuese/dëmtuese. Këtu përfshihen edhe ngarkesat e tepërta, të paparashikuara në projekt.


4-) Ndërtimi i një modeli paraprak në kompjuter për të kuptuar sjelljen e strukturës në vija të përgjithshme dhe për të përcaktuar vendet ku duhen marrë mostrat për prova laboratorike apo për të kryer prova në vend. Modeli paraprak mund të anëshkalohet nëse struktura njihet mjaft mirë paraprakisht ose nëse inxhinieri strukturist ka përvojë të bollshme në sjelljen sizmike të strukturave;


5-) Hulumtimi i plotë dhe përcaktimi i llojeve dhe numrit të provave inxhinierike:

a-) Hulumtimi i plotë dhe i kujdesshëm në ndërtesë (e gjithë struktura) duke zbuluar të gjitha zonat ku dyshohen dëmtime strukturore dhe krahasime me dokumentet e projektimit dhe ndërtimit;

b-) prova inxhinierike shkatërruese (karrotimi i betonit, shkëputja e shufrave të çelikut, mostra të muraturës, etj., të cilat analizohen në laborator);

c-) prova inxhinierike joshkatërruese, si skanimi i çelikut (armimi gjatësor, tërthor dhe stafat), përcaktimi i nivelit të ndryshkut, përcaktimi i shtresës mbrojtëse, rezistenca e betonit (p.sh. “schmidt hammer test”), tullës, llaçit, etj., të cilat mundësojnë leximin e informacion në strukturë. Sasia e provave varet përsëdrejti edhe nga cilësia e dokumenteve të pikave 1, 2 dhe 3.

Në varësi të rastit mund të jenë të nevojshme edhe prova të ngarkimi statik, prova të lëkundjeve dinamike, prova gjeometrike për vlerësimin e deformimit/zhvendosjes së strukturës si dhe verifikimi i vetive të truallit;


6-) Ndërtimi i modelit strukturor në kompjuter, duke përfshirë të gjitha të dhënat e përcaktuara nga pikat e mësipërme (gjeometrinë, elementet, materialet dhe veçoritë e tyre mekanio-vizike, si dhe ngarkesat vepruese në strukturë. Më tej vijohet me analizat/llogaritjet strukturore dhe vlerësimin e aftësisë mbajtëse të elementeve strukturor, zona të caktuara të strukturës (p.sh. Kati përdhe) si dhe aftësinë mbajtëse të strukturës si një e tërë.


7-) Analiza/llogaritjet dhe vlerësimet përkatëse të pikave të mësipërme, veçanërisht pikës 6, çojnë në përfundimet kryesore mbi gjendjen e strukturës dhe përcaktojnë edhe shkallën e dëmtimit të saj;


8- ) Vendimmarrje mbi shkallën e ndërhyrjes strukturore, për ta sjellë atë sipas kodeve të kërkuara ndërtimore apo për të vendosur për rindërtimin e saj;


9-) Hartimi i projekt-zbatimit për riaftësimin (retrofitting) strukturor dhe rimëkëmbjen e ndërtesës, nëse kjo është vendimmarrja në pikën 8 të mësipërme.


Shënim: Procedura e mësipërme i takon fazës II të vlerësimit dhe shërben kryesisht për ndërtimet që kanë një nivel domethënës dëmtimi strukturor dhe për të cilat vendimmarrja për riaftësim apo rindërtim nuk mund të merret në një kohë të shkurtër. Ajo fillon pas hulumtimit/inspektimit pamor dhe të shpejtë të ndërtesave (faza e parë - tashmë drejt përfundimit).


* Pedagog në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit

Inxhinier Strukturist

Comments


bottom of page