top of page
Search

Ja propozimet e shoqërisë civile për reformën zgjedhore

Katër organizata të shoqërisë, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS), Instituti i Studimeve Politike (ISP), Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG), të grupuara në nismën “Artikulli IX” i janë drejtuar sot partive politike, parlamentit dhe opinionit publik me disa propozime konkrete per reformen zgjedhore, sistemin zgjedhor dhe legjislacionin mbi partite politike dhe financimin elektoral.


Konkretisht, ne deklarate thuhet se ne, organizatat e shoqërisë civile, të fokusuara në çështjet e shtetit të së drejtësi, procesin e integrimit evropian, problematikat e përfaqësimit politik dhe të reformës zgjedhore, duke mbështetur kushtet prioritare të adoptuara nga parlamenti gjerman gjatë sesionit të muajit shtator 2019 dhe pjesa më e madhe e vendeve të BE ndaj Shqipërisë; duke theksuar rëndësinë që reforma zgjedhore dhe ndërtimi i Gjykatës Kushtetuese ka në listën e prioriteteve drejt nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE dhe shtetin e së drejtës; duke vlerësuar nevojën emergjente që Shqipëria ka për krijimin e një baze ligjore efikase, të besueshme dhe të qëndrueshme për zgjedhje të lira e të ndershme; duke njohur e vlerësuar rolin e partive politike si aktorët kryesorë vendimmarrës në legjislacionin lidhur me zgjedhjet; duke mbajtur shënim angazhimet publike të partive kryesore politike për reformë transparente dhe integrale zgjedhore; duke çmuar faktin se ka një vëmendje të madhe ndërkombëtare për asistencë dhe mbështetje në këtë drejtim; duke konfirmuar mbështetjen e madhe publike të qytetarëve për ndryshim të sistemit zgjedhor, shprehur kjo në sondazhe dhe në mbledhjen e peticioneve nga grupe civile; duke rikujtuar se Shqipëria mbetet një prej vendeve të vetme evropiane me kontestime e problematikë serioze në organizimin e zhvillimin e zgjedhjeve; duke shprehur mbështetjen për rekomandimet e ODIHR 2013, 2015, 2017, 2019, kërkojmë publikisht nisjen urgjente të një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe serioz për të mundësuar aplikimin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të një sistemi zgjedhor të ndryshuar, si dhe për reformimin tërësor të ligjit mbi partitë politike, financimin elektoral dhe administrimin e zgjedhjeve.


Institucioni i zgjedhjeve të lira është një nga kriteret bazë të demokracisë. Në mënyrë që të përmbushet ky kriter është e domosdoshme që sistemi elektoral të sigurojë përfaqësim sa më proporcional e cilësor, stabilitet qeverisës dhe hapësira më të gjëra konkurruese e reformuese. Një sistem që krijon përfaqësim qytetar dhe stabilitet qeverisës kërkon edhe nivel më të lartë konkurrueshmërie, subjekte politike demokratike dhe të afta të ofrojnë alternativë, transparencë financiare dhe korrektesë maksimale në administrimin e votave.


Ndryshimi i vazhdueshëm i sistemeve zgjedhore nuk ka çuar në rritjen e standardeve të përfaqësimit, në garantimin e llogaridhënies nga parlamenti dhe as në stabilitet qeverisës. Pothuajse të gjitha sistemet janë vendosur nga vetë aktorët kryesorë politikë, pa konsultim dhe vendimmarrje transparente e publike dhe në interes të strategjive të tyre afatshkurtra elektorale. Mungesa e legjitimitetit të gjerë, e produktit përfaqësues, llogaridhënies, efektivitetit, kontrolli dypartiak i administrimit zgjedhor dhe kontestimet e vazhdueshme kanë pasur dhe kanë pasoja të shumëfishta negative për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri.


Aktualisht, në kuadër rekomandimeve të OSBE/ODHIR për reformës zgjedhore, nga aktorë shoqërorë dhe segmente politike është kërkuar edhe rishikimi i sistemi zgjedhor. Tryeza e gjerë politike e iniciuar nga OSBE me 25 shtator e konfirmoi dhe e trajtoi gjerësisht këtë problematikë. Ne, në emër të organizatave që përfaqësojmë, duke qenë njëherësh edhe zëra publike që kemi adresuar vazhdimisht rekomandime në parlament lidhur me reformat politike dhe kemi monitoruar prej vitesh proceset demokratike e zgjedhore, – jemi të bindur se është në interes të vendit dhe të procesit të integrimit përfshirja në axhendën prioritare të kërkesës për rishikimin e sistemit zgjedhor.


Duke njohur dhe respektuar legjitimitetin e institucioneve politike për vendimmarrje kushtetuese, por edhe praktikat negative të së kaluarës, ne kërkojmë që procesi i debatit mbi reformën në sistemin zgjedhor dhe legjislacionin plotësues (ligji mbi partitë politike, financimi elektoral dhe administrimi zgjedhor) të realizohet kryesisht mbi bazë ekspertize (përmes ekspertëve të pavarur shqiptarë e ndërkombëtarë dhe ekspertëve të partive politike). Vendimmarrja politike të jetë vijim i produktit të ekspertizës dhe jo e kundërta.


Konkretisht, duke u kufizuar në përzgjedhjen e sistemeve tek përvoja e mëparshme në Shqipëri dhe përvoja në rajon, si dhe duke marrë të mirëqenë ruajtjen e numrit të njëjtë të deputetëve, ne propozojmë që të shqyrtohen me prioritet këto sisteme për tu aplikuar në zgjedhjet e ardhshme:

Sistemi proporcional me lista të hapura shumëemërore të partive (ku zgjedhjet e votuesve përcaktojnë rendin në listë), me një zonë zgjedhore (kombëtar), me prag elektoral 2.5 përqind për partitë dhe 4 % për koalicionet.Sistemi miks i aplikuar më 1992 në Shqipëri, me 100 zona në mazhoritar dhe formulë kompensuese me 40 mandate në proporcional kombëtar me prag elektoral 2.5 përqind.


Zgjedhja e njërit prej dy sistemeve do të ishte një hap i madh drejt një reformë të rëndësishme në përfaqësimin politik dhe mirëqeverisjen e vendit. Megjithatë, duke qenë të vetëdijshëm gjithashtu se asnjë sistem, sado pozitiv, nuk është në vetvete garanci për zgjedhje me standarde të larta nëse nuk shoqërohet me vullnet politik e institucional për respektimin integral të tij, ne apelojmë për të marrë në konsideratë edhe nevojën për një ligj të ri bashkëkohor për partitë politikë, një ligj të ri mbi financimin elektoral në përputhje me parimin e transparencës të nenit 9 të Kushtetutës, si dhe shqyrtimin e formave më efikase për shmangien e konfliktit të interesit dhe heqjen e monopolit të partive mbi procesin e administrimit zgjedhor. Ky ligj gjithashtu mund të marrë në konsideratë edhe aplikimin e standardeve të demokracisë së brendshme në funksionimin e partive politike përmes kufizimit të mandateve të Kryetarit të Partisë.

Comments


bottom of page