Sot në lokalin simbolik të Sarandës, mes autorve të këtij qyteti si Pajtim Çaushi, Spiro Thomari, Hekuran Halili, Halil Shabani, Arif Hadëri, Vangjel Papakristo, Agim Nelaj, mësuesve të letërsisë si Sami Alimema e ndonjë autor tjetër që nuk më vjen ndër mënd tani, u promovua romani i Xhevdet Ahmetit.
Kryetari i shoqatës së krijuesve jonianë , shkrimtari Pajtim Çaushi, ka prezantuar në parimshmëri romanin duke ua lënë krijuesve të flasin mendimin e tyre.
Unë po postoj mendimin tim.
JETA E NJERIUT TË THJESHTË E PASQYRUAR ME VËRTETËSI DHE DASHURI.
=Shënime nga romani i Xhevdet Ahmetit ”Ende rron Didini...”=
Nga Agron MEMA
Pas suksesit që pati në rrethet letrrare e artistike të krijuesve të rajonit Sarandë-Delvinë e më gjerë me botimin e librit me tregime, Xhevdet Ahmeti vjen pranë lexuesit me librin e tij të dytë, përsëri në prozë, por këtë rradhë në prozën e gjatë, me romanin “Ende rron Didini...”.
Është një temë e veçntë e trajtuar vitet e fundit dhe mënyra e trajtimit nga autori përbën një spektakël artistik, një mozaik ndjenjash e një panorame veprimesh, ku në qendër të subjektit është personazhi i thjeshtë, Didini. Kjo i jep veçantinë artistike romanit, shijet estetike dhe homazhin për jetët e thjeshta.
Pothuaj të gjitha personazhet që përbëjnë subjektin janë njerëz të thjeshtë, të ndershëm, punëtorë dhe fukarenj, por në kënaqësinë që u jep djersa e tyre e punës. Asnjë personazh pushtetar nuk është në qendër të vëmendjes, por në hije si pjesë e jetës që vijnë dhe mbeten hije me një gjurmë dhe shije të keqe. Tagent përmendet dikush dhe institucione që shpërfytyrojnë personalitetin e njeriut, ngritën lavdinë e tyre dhe të pushtetit mbi fatkqësinë e njerëzve të pafajshëm, duke u bërë spiunë e servila, njerëz të prapaskenave dhe të intrigave, por duke vijuar edhe në ditët e demokracisë së sotme shqiptare me besimin e verbër se dikur do të rikthehen përsëri vitet e arta të diktaturës. Pra njerëz që mbeten tagent në jetë dhe s’mundën t’i brendashkruhen vrullit të jetës, dashurisë njerëzore, ëmbëlsisë familjare, sinqeritetit shoqëror, ndershmërisë së punës tënde.
Këto ilustrime janë një shuplakë e fortë e autorit ndaj pushtetarve të të gjitha kohërave dhe sistemeve ku shpërfillet njeriu punëtor e i ndershëm, shpërfillet drejtësia dhe vlerësohet paraja e korrupsionit dhe e fëlliqësirave më të ndyra të jetës dhe këto janë elemente figuracioni që e ngrenë në pika kulminante dhe emocionale kompozicionin e romanit.
Ndaj autori i shpërfill aq keq sa nuk denjon t’i vërë as personazhe në roman se ja bëjnë pis atë dhe lexuesin dhe nuk i ka vendosur në qendër të romanit siç ndodh rëndom në krijimet letrare të viteve të fundit. Me një përkushtim dhe mirënjohje të veçantë vjen jeta e njeriut të thjeshtë, dashuria e pastër dhe e çiltër njerëzore, humanizmi i tyre, ndihma reciproke dhe pa interes, respekti për njëri-tjetrin larg luksit të rremë dhe jetës servile që bëjnë njerëzit e lidhur me pushtetin, jeta e të cilëve i ngjanë një peme të thatë pa lëng e sythe jetësore. Struktura e romanit është ndërtuar me mjeshtëri dhe është treguar kujdes në sintaksën e fjalisë, ashtu si edhe në qasjen estetike.
Brenda dialogut dhe përshkrimeve ka një theks të spikatur humori dhe sarkazme, sidomos kur flet për investimet në qytetin e tij të vogël dhe të lënë në harresë edhe sot, qytet të cilin e personifikon edhe me tre personazhet; Dejvidi-Didini-Didinela dhe që nënkupton Delvina. Ndryshimet e pritshme, në këtë periudhë trazicioni të tejzgjatur,Xhevdet Ahmeti i kthen në ëndërr dhe aludon se të tilla do të mbeten në qytetin e tij. Ndryshimet në qytetin e tij të dashur, por të hedhur në harresë sikur të mos ekzistojë, vijnë me nota ironie përmes ëndërrimeve dhe sjellin një panoramë se me bashkëpunimin me njerëzit e thjeshtë e të punës investitorët e huaj qasen dhe investojnë, por fatkeqësisht kjo nuk ndodh dhe bashkëpunimi me pushtetarët i largojnë ata të tmerruar nga tmerri i zarfeve të rryshfeteve, pjellë e korrupsionit që na ka mbërthyer shtetin, ndaj kjo mbetet ëndërr në qytetin e tij dhe hieja e sarkazmës e ndjek pas qytetin dhe qytetarët që presin. Një goditje në subjekt i jepet ish armës së sigurimit të shtetit në veprimtarinë e tyre ndaj depersonalizimit të njeriut, shkatërrimit të dashurisë së perëndishme, fuqizimit të rrënjëve të tyre në trashëgiminë e pushtetit politiko-ekonomik. Autori jep panoramën me idenë se ndryshimet nuk vijën vet.
Asgjë nuk vjen duke pritur. Duhet punë dhe ndershmëri. Ana tjetër që sjell autori është mardhënia njerëzore, shpirtërore dhe ndjesore mes personazheve të thjeshtë që mbajnë boshtin e romanit dhe atyre pushtetarë që janë në hije të subjektit, thjeshtë për të denoncuar jetën e pështyrë, të jargavitur, të degjeneruar e të degraduar të tyre në përballje me jetën e njeriut të tjeshtë e punëtor.
Autori hap dimensionet e karakterit të thjeshtësisë, jetës së bukur, vështirësive në përballimin e jetës të këtyre njerëzve të thjeshtë që kanë në buzë e sy buzëqeshjen plotë dritë mirësie, në gojë fjalën e mirë e të ëmbël, në zemër dashurinë dhe jo urrejtjen, në karakter besnikërinë dhe humanizmin, në ëndrra të bukurën dhe zhvillimin, vizion ecjen përpara.
Suksese autorit!
Comments