Joni Çaushi tashmë në klasën e shtatë. Rrugëtimin e tij në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” e ka nisur që në parashkollor. Viti që ka mbyllur ishte i pari me sistemin me shumë mësues, pasi deri në klasë të pestë ai kishte vetëm një mësuese. “Shumë fëmijë mendojnë se kalimi me shumë mësues është i vështirë, ndërkohë që mua më është dukur i thjeshtë, sepse secili mësues është më i specializuar në lëndën që jep”, thotë Joni.
Në rrugëtimin e tij në shkollë, ai vlerëson shumë mësuesen e klasës së parë, Nimete Halilaj, e cila e ka shoqëruar deri në klasë të pestë. “Ajo është një mësuese shumë e mirë, e duruar, shpjegonte mësimin shumë qartë dhe në formë argëtuese. Prej saj kam mësuar shumë dhe shumë shprehje të veçanta frazeologjike”, thotë ai.
Por çfarë vlerëson më shumë Joni nga shkolla? E para është shoqëria që ka krijuar në klasë. Ndihet shumë mirë dhe kuptohet shumë mirë me shokët. Ai tregon se ka shumë nxënës të mirë në klasën e tij, gjë që e nxit të mësojë dhe punojë edhe më shumë për të qenë i pari”.
Rreth një vit më parë, Joni fitoi vendin e parë në olimpiadën e organizuar nga shkolla Konica. Ai thotë se, “u ndjeva mjaft mirë, jo vetëm për veten time, por edhe sepse nderova prindërit. Shkolla që organizonte olimpiadën më dhuroi një orë elektronike, ndërsa prindërit dhuratat që u kisha kërkuar. Por, gjëja që më pëlqeu më shumë ishte organizimi i ceremonisë së dorëzimit të çmimit në ambientet e shkollës në prani të të gjithë nxënësve të shkollës time. Ishte një emocion i veçantë të ndiheshe kaq i vlerësuar përpara të gjithëve”.
Sukseset e Jonit nuk janë të rastësishme. Janë rezultat i një pune sistematike dhe të duruar. Dita e tij është e organizuar midis mësimit dhe argëtimit. Ai zgjohet herët në mëngjes që të arrijë në orar në shkollë. “Kur kthehem nga shkolla, kohën e ndaj midis mësimit dhe kurseve. Aktualisht ndjek kursin e futbollit që është i preferuari im, kurs anglishtjeje dhe gjermanishteje, kurs shahu dhe matematike”, thotë Joni.
Në fitimin e olimpiadës, atë e ka ndihmuar nxitja e prindërve dhe kursi i matematikës, të cilin e bën me gjyshen e tij, ish mësuese matematike. “Gjithmonë prindërit kanë dashur që të punoj shumë në matematikë, sepse sipas tyre kam prirje për këtë lëndë. Por edhe vetë kam dashur gjtihmonë të fitoj olimpiadë matematike, sepse më pëlqen të jem i pari. Është kënaqësi e veçantë kur ti fiton dhe i tregon vetes se mund t’ia dalësh”.
Ndërsa kursin e matematikës e zhvillon me gjyshen, një pjesë të mirë të kurseve, Joni i Zhvillon në Qendrën Kallz. “Mua më ka pëlqyer mënyra se si funksionon qendra dhe aty kam patur mundësi të krijoj shoqëri shumë të mirë. Qendra ofron shumë kurse të cilat më pëlqejnë, sidomos kurset e sportit dhe ato të gjuhëve të huaja. Vazhdoj ta frekuentoj qendrën sepse është mënyra më e mirë e menaxhimit të kohës sesa të rrija në shtëpi duke parë televizor ose mjete të tjera elektronike.
Më pëlqejnë shumë festat e veçanta që organizon Qendra, veçanërisht ato të Halloween. Këto festa janë një mënyrë shumë e mirë argëtimi për ne, pasi janë të organizuara me shumë fantazi dhe ashtu siç na pëlqen ne.
Lirdi është vëllai i vogël dhe i vetëm i Jonit. Joni tregon se përpiqet ta ndihmojë me detyrat dhe e këshillon të mos nxitohet, të shkruajë me qetësi dhe pastër. “Lirdi është në një moshë që ka shumë kuriozitet dhe ka nevojë për të rritur që t’i shpjegojë gjëra dhe këtë rol përpiqem ta bëj dhe unë. Kur shohim film së bashku, ka shumë qejf t’ia përkthesh dhe t’ia shpjegosh filmin dhe të “mbyt” me një mijë pyetje. Ai është fëmijë i lëvizshëm dhe nga pakujdesia mund të lëndohet. Unë dhe prindërit kujdesemi gjithmonë që ai të jetë më i kujdesshëm për veten e vet”.
Joni është shumë i apasionuar pas futbollit dhe i pëlqen të bëhet një futbollist i madh. Që i vogël ka ndjekur shumë ndeshje futbolli dhe i pëlqente loja e ekipit të Barcelonës. “Më frymëzojnë shumë emra të mëdhenj të futbollit si: Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Neymar Jr, etj... Të gjithë këta emra të shquar kanë arritur majën e suksesit falë dëshirës së tyre të madhe dhe vullnetit të vazhdueshëm. Gjatë rrugës drejt suksesit në futboll mund të ketë dëmtime ose të ndodhin gjëra të paparashikuara, kështu që nëse nuk plotësohet dëshira ime për të qenë një futbollist i madh, do të dëshiroja të bëhesha biznesmen. Prandaj në asnjë moment nuk lë pas dore mësimet për të qenë i sukseshëm dhe në fusha të tjera”, thotë Joni për revistën Kallz.
Burimi: https://kallz.al
Comments