Hey ti, ku po shkon, prit pak, ndalo, dëgjo pak pastaj vepro.
Po, po unë po të flas. A nuk po më njeh?
Sigurisht që jo, jam mësuesja jote që të kam mësuar të bësh llogaritje matematikore dhe që të kam thënë që mos u nxito kur bën veprimet se ndoshta përfundimi del gabim.
Mendohu, arsyeto më pas vepro.
Të kam thënë që jeta është matematikë, por ti nuk më beson. Po më thua që po largohesh, po largohesh nga vendi yt Shqipëria? Po largohesh se ndihesh e zhgënjyer dhe jo e sigurt ketu? Po braktis gjithcka dhe cdo gjë për një jetë më të mirë? Po përse? Pse po ikën?
E kuptova, mos fol më mirë. Nuk ke kurajo të luftosh në Tokën tënde por do që të jesh skllave diku tjetër, nuk ndihesh e sigurt dhe do që të mbyllesh në murin e vetmisë tënde diku tjetër. Ëndrrat e tua nuk i bëre realitet në Shqipëri dhe po ikën për të realizuar ëndrrën në gjumin trishtues larg ëmbëlsisë së krevatit të shtëpisë tënde.
Hey ti moj vajzë, e shikoj që është e kotë të të flas, e paske vendosur të ikësh, ok, shumë mirë ,ik, por të lutem, ik vetëm, mos mbjell vrer aty ku ke korrur dikur ëmbëlsi dhe dashuri.
Të lutem ik, ik me këpucë të pastra në rrugën e gjatë në të cilën mos kërko shokë dhe shoqe, por ik vetëm. Mos bëj zhurmë kur të ecësh në atë rrugë se të gjithë nuk duan të dëgjojnë hapat e tua trishtuese. Mos kërko të të kuptojnë kur ti nuk ke kuptuar akoma ushtrimin e matematikës që lidhet me zgjidhjet e duhura në jetë.
Cfarë po më kërkon, të të uroj rrugë të mbarë? Patjetër që po e dashur nxënësja ime, në shqiptaret e kemi në gjak mikpritjen dhe përcjelljen. Të shkoftë mbarë andej ku je nisur!
Ec me kokën lart, me hapa të heshtura dhe pa fjalë! Kështu unë do jem krenare që numërimin e ke mësuar saktë në matematikë dhe të gjithë shokët, shoqet, të afërmit nuk do shqetësohen se TI ike.
Cfarë po më kërkon tani të pimë një kafe bashkë?
Eh moj vajzë sa shumë që e do kafen shqiptare. Do vonohesh nëse ulemi në kafe. Më pas do të të them mos ik, ka akoma, prit dhe pak...
Comments