top of page
Search

Kaligrafia, gjeometria e shpirtit- NGA NADA DOSTI

Updated: Jan 9, 2020

Reportazh Kaligrafia, gjeometria e shpirtit

NGA NADA DOSTI

Kaligrafia islame, ose bukurshkrimi si shprehje vizuale që lidhet me parimet kozmike dhe shpirtërore të atyre popujve që përqafuan islamin ndër shekuj, njihet botërisht si pjesë e pandashme e ashtuquajturës arti islam.

Për kaligrafinë për herë të parë jam njohur në tekstet shkollore ku flitej për dinastitë dhe perëndoritë muslimane, dhe për herë të parë e kam aplikuar në një kurs intensiv tre ditor në një institut të kulturës turke në Tiranë.

Kaligrafia është pikërisht ai lloj arti i cili në pamje të parë duket i lehtë por në praktikë shumë i vështirë. Ndryshe njihet dhe si arti i kalitjes së durimit, për këtë Coelho ka dedikuar dhe faqe të tëra duke shpjeguar lidhjen e mahnitshme të kaligrafisë si art dhe rrugëtimit shpirtëror drejt përmbushjes, vëtëzhvillimit dhe njohjes së Krijuesit “ Dhe vjen një moment kur ti nuk mendon më rreth asaj që shkruan: ti shndërrohesh në gërmën, në bojën, në letrën dhe në vetë fjalën! Kaligrafia na mëson objektivizmin dhe durimin, elegancën dhe respektin”. Me mijëra kilometra larg Portobellos, m’u në zemër të Ballkanit, dy vajza shqiptare e ushtrojnë me shumë talent këtë lloj arti: njëra durrsake tjetra shkupjane.

Dy personazhe aq të kundërta nga natyra, por që i lidh i njëjti pasion për kaligrafinë. Natyrat e tyre pasqyrohen dhe në formën e lëvrimit të këtij arti duke përcjellë karakteristika të ndryshme që përbëjnë pikërisht dhe thelbin e tij kaq të larmishëm, të shumëllojshëm, sa i pasur me diversitet aq dhe unik kur fsheh individualitet në vetvete.


Enerida Toska, nga Durrësi, një vajzë me natyrë pak rebele, e fortë, e shkathët, e cila kaligrafinë e ka mësuar në mënyrë autodidakte dhe e praktikon prej më shumë se dy vjetësh.

Eni, siç i pëlqen ta thërrasin, në fakt ka vite që e ushtron pikturën, mirëpo kohët e fundit është tërhequr nga arti islam dhe kështu nisi të kërkojë forma të ndryshme për të marrë njohuritë bazë dhe metoda praktikimi si trajnime, kurse online, grupe apo forume vetëzhvilluese deri tek videot tutoriale që gjenden në kanalet Youtube. Mirëpo, fatkeqsisht të ushtruarit e këtij arti në kushtet e realitetit shqiptar sjell sfida të ndryshme, si gjetja e materialeve, mungesa e hapësirave për praktikim etj.

Megjithatë kur ekziston dëshira, talenti dhe pasioni, zgjidhja gjendet. Kështu me mjete rrethanore, ka arritur t’i mbikalojë këto vështirësi duke “sajuar” lapsa të posaçëm si zëvëndësues të penelave origjinalë me çfarë ka arritur të gjejë nëpër kinkaleri apo duke përgatitur vetë bojën në mungesë të një boje apostafat për kaligrafinë.

Me modesti të plotë Eni shprehet se nuk e quan veten profesioniste, mirëpo në publikimin e krijimtarisë së saj në rrjetet sociale merr vazhdimisht vlerësime dhe komente pozitive pa fund.

“Për mua, kaligrafia është si një terapi antidepresive, një lloj meditimi që kërkon shumë përqëndrim. S’e di nësë në rrethanat e mija mund të konsiderohet zanat apo jo, por unë gjithsesi vazhdoj ta praktikoj vetëm sepse nuk dua të humbas “ekuilibrin” apo dëshirën për t’u marrë me art,” shprehet ajo.


Xheneta Mamuti, nga Shkupi, është në vit të parë në Universitetin e Arteve të Bukura Mimar Sinani në Stamboll. Ajo merret me kaligrafi prej më shumë se 5 vjetësh, pra që në vit të parë të shkollës së mesme kur ishte vetëm 14 vjeçe.

“Kaligrafia në jetën time ka një rëndësi shumë të madhe sepse dashuria ime ndaj artit dhe arkitekturës është e pa përshkrueshme dhe kombinimi i këtyre aftësive dhe njohurive shkrihen në artin e kaligrafisë. Kaligrafia është vërtetë arti i përsosjes, siç thuhet, aq sa dhe shkrimi im i dorës është shumë i pakuptueshëm ndërsa kaligrafitë e mia pëlqehen dhe vlerësohen”

“Kaligrafinë nisa ta mësoja vetë në formë autodidakte dhe kam filluar me shkronjat arabe. Më pas zbulova se ajo mund të ushtrohet në gërma dhe forma të ndryshme dhe mund të aplikohet jo vetëm në arkitekturë apo në zbukurime të përditshme por mund të portretizohen në fjalë, sende, bimë, gjallesa etj. Dhe ajo çfarë më intrigonte më së shumti tek ky lloj arti ishte dhe fakti se çdo formë e kaligrafisë dhe çdo lloj periudhe e lëvrimit të saj reflektonte natyrën dhe ndjenjat e atij populli. Gjatë një vizite në Zvicër më bëri përshtypje shumë stili gotik i kaligrafisë dhe fillova ta ushtroja dhe atë. Pasi nisa të hulumtoja për këtë lloj arti zbulova se në atë kohë në Shkup ishte një usta turk i cili e ushtronte si zanat dhe unë kërkova të jem “çiraku i tij”.

Falë një projekti m’u mundësua që të organizoheshin kurse intensive dhe jo vetëm unë por edhe të interesuar të tjerë të përfitonim nga kjo mundësi e rrallë që na e ofronte qyteti yne.” Në vitin 2017, Xheneta arrinë të prezantojë punimet e saj në një ekspozitë modeste në Galerinë Koço Racin, me temë “SHKUPI KALIGRAFIK” me më shumë se 20 punime. “Kështu nisa të bëja punimet e mija të para, disa edhe në punishten e ustait, të cilën e kam drejtuar për një perjudhë të shkurtër 2-3 mujore, dhe fillova të merrja porositë e para dhe t’i shisja punimet e mia. Ekspozita qe një mundësi shumë e mirë për mua për të promovuar punën time edhe pse në një moshë shumë të re. Nga ana tjetër falë kësaj ekspozite doja të jepja kontributin tim në lidhje me kaligrafinë në vendin tonë, pasi është një zanat shumë i rrallë. Doja gjithashtu të sillja dhe një formë moderne të përfaqësimit të këtij arti pasi shumica e njerëzve janë të njohur vetëm me atë formën klasike të kaligrafisë arabe.” shprehet ajo.

Planet dhe dëshirat e vajzave përputhen në një ëndërr të përbashkët: të vazhdojnë ta përmisiojnë aftësinë e tyre në kaligrafi, të mësojnë dhe ushtrojnë forma të reja klasike dhe moderne, dhe në fund këtë pasion ta kthëjnë pse jo edhe në një sipërmarrje sociale fitimprurëse jo vetëm për veten por edhe për komunitetin e tyre. *Shkrimi eshte botuar per here te pare ne Revisten Familja Nentor, 2019.

Comments


bottom of page