Kastriot Fetahu/Nga Çikago, Tre poezi si tre botë prej shpirti…
Ku njerëzit rrinë varur akrepave të orës/ në kohë të pamatura/ lëkura shpirti ndriçojnë një meridian
ANTI REKUIEM
Në një kopsht trëndafilash
me rrënjë shpirti
dhe petale gjethedielli,
diku në një rrugë pa muzgje ditëve me shi fshehur rri
në kurorat e luleve të bardha të shtogut,
më lart se çdo lule tjetër.
Degët e lagura
nga lotët rridhnin
si litarë deri në tokë.
Orët e pritjes
bashkë me pikat e lëngut
të një gonxheje të plagosur
nga sqepat anonimë,
po kalbeshin në njomështinë
ngjyrë kafe të errët
të mungesës.
Këmbët të burgosura
në qelitë e dëshirave rozë,
vriteshin në rrugën gungaçe,
zhytur në ditët me hënë.
Që t’i shpëtoja një rekuiemi
pa tinguj,
muzikës së meshës,
mbaja në kapakët e syve
skelete buzëqeshjesh kronike të mbledhura,
harruar në ajrin e lagësht
të puthjeve.
Dashuria një emër pa lakim
në kohë të pamatura.
Chicago 2022
AKULLNAJË E DJEGUR
U grindëm…
…për të ndarë globin.
Zaptove Hemisferën e Veriut
në kohën e zhurmës
së një rrufeje marsiane
dhe rrëmbeve në një natë pa hënë
ca meridianë ekzotikë.
Në vënd të shpatave magjistare,
me alfabetë poetësh nomadë luftuam.
Si Nefeli faraonin, më skllavërove…
Pyjet i përmbysa
për të dhënë më shumë qiell,
malet i mbyta në det
e, përsëri dielli nuk e kapërceu Groenlandën.
Me arinjtë polarë
luante në akujt e shpirtit.
Gjumë letargjik
lindja e mjegullt e diellit,
si poezi të vrara
me flatra të gjakosura.
Me lëkura arushash të bardha,
të lara me dëborën e Kilimanxharos,
mbulova mjegullën
në shtratin e ekuatorit.
Me guacka arrash kokosi
derdha shira në venat e gjakut
të vargjeve.
Copëra lëkure shpirti
ndriçuan paralelet e mia
dhe një meridian.
Chicago 2022
DHEMBJA E NDRYSHKUR.
Nuk jam Ahmatova
që të ngjyej dhembjen,
me errësirën e gulagut sovjetik.
Nuk jam as Eluard
që të peshkoj
në mendime.
Më mungon grep i mendjes,
karemi për të gënjyer
peshq të bukur
e Cironkën e artë.
Në një botë me detra të lotuar
ku dhe kukullat
i qepim me penj të vrarë,
kur dita zë e ndryshket
në një dhembje,
pellgu i lotëve
e ngushëllon atë.
Përtej Grinuiçi
më buzëqesh me sytë e tu
e më fsheh ofshamën,
në kërcitjen e ingranazheve
të kohës.
Ca njerëz varur në akrepa,
dhembja rënkon në numrin 12.
Chicago 2022
Comments