top of page
Search

Katalogu i zgjidhjeve të Jozefina Topallit


Në një intervistë zonja Topalli u ka paraqitur shqiptarëve një katalog zgjidhjesh. Shqiptarët pra, nuk duhen të lodhen për të menduar se cila është zgjidhja e situatës në vend, pasi zonja Topalli ka përgatitur një katalog zgjidhjesh dhe shqiptarët duhet veçse të zgjedhin mes zgjidhjeve që ka dhënë zonja Topalli.


Duke respektuar përkushtimin e zonjës Topalli, është e udhës që këto zgjidhje para se të zbatohen të analizohen. Le t’i shqyrtojmë me radhë zgjidhjet e katalogut të hartuar nga zonja Topalli.


1. Zgjidhja e parë. Të ngrihet një revoltë e brendshme brenda Partisë Demokratike për të rrëzuar kryetarin e kësaj force 7 muaj para zgjedhjeve.


Zgjidhja e parë që jep zonja Topalli, është krejt e pazabatueshme 7 muaj para zgjedhjeve, për sa kohë zonja Topalli ka pasur vite në dispozicion për ta konkretizuar si nismë dhe nuk e ka bërë.


E për sa kohë zëri i Topallit ka qenë i pafuqishëm për disa vite, nuk mund ta përftojë fuqinë e tij për 7 muaj.


Pra, zgjidhja e parë nuk është zgjidhje.


2. Zgjidhja e dytë- Një lëvizje e re për ndryshim


Zgjidhja e dytë që jep zonja Topalli, është themelimi i një lëvizjeje të re për ndryshim. 7 muaj para zgjedhjeve, zonja Topalli këshillon themelimin e një lëvizjeje të re, që përmbys në zgjedhje Partinë Socialiste, Partinë Demokratike dhe Partinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Paradoksalisht zonja Topalli, shpreh edhe shqetësimin se Ndryshimet në Kodin Zgjedhor e bëjnë të pamundur përfaqësimin e një force të re në Parlament.


Atëherë, natyrshëm lind pyetja: Si mund të quhet zgjidhje një forcë e re pa përfaqësim në parlament?

Pra, zgjidhja e dytë nuk është zgjidhje.


3. Zgjidhja e tretë- Mosvotimi


Zgjidhja e tretë që jep zonja Topalli, është mosvotimi. I kujtojmë zonjës Topalli se mosvotimi përkthehet në një mandat të tretë të Edi Ramës, pasi ushtria e Rilindjes do të shkojë të votojë dhe do të mjafonte vetëm kjo ushtri që Rivdekja Shqiptare të qeveriste vendin për herë të tretë.


Për një “”rastësi”” të mbrapshtë ka një harmoni mendimi mes zonjës Topalli dhe zonjës Hajdari.


Zonja Topalli ka një shqetësim të dukshëm për lëvizjet e reja në Shqipëri dhe nënvizon faktin se refuzon të votojë për opozitën e bashkuar ndaj këshillon mosvotimin.


Zonja Hajdari njëkohësisht i fton shqiptarët të votojnë partinë e saj.


Mosvotimi dhe votimi për Hajdarin përkthehen në një mandat të tretë për Rivdekjen Shqiptare.


Post Scriptum- Mosvotimi është mungesë vote, ndërsa votimi për Hajdarin është votë e çuar dëm. Qoftë mungesa e votës, qoftë vota e çuar dëm mbështesin veçse mandatin e tretë të Rivdekjes.



Nga: Elona Caslli

Comments


bottom of page