top of page
Search

Kina dështoi në ftesën për paqe në prag të sulmit rus ndaj Ukrainës.

Nga Businessmag

Lojërat olimpike janë pasqyrim i paqes dhe kjo ishte një nga arsyet pse Kina i kërkoi Rusisë të shtynte pushtimin në Ukrainë deri në përfundim të lojërave të Pekinit.

Por, a është kjo paqja e vërtetë?!

Në fakt, e mira është t’i kërkojë një sulmuesi, e ta nxisë që të mos e bëjë asnjëherë. Presidenti kinez Xi Jinping ka thënë se Kina me Rusinë kanë një miqësi pa kufij. A nënkupton kjo miqësi që Kina i pranon shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës në Ukrainë nga Rusia?!

Pas zhvillimit të Lojërave Olimpike, Ambasadori kinez në Shqipëri dha një intervistë për mediat shqiptare ku është shprehur se Sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet, duhet të respektohen qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së, shqetësimet e ligjshme të sigurisë të të gjitha vendeve duhet të merren seriozisht dhe të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës duhet të mbështeten, por nga ana tjetër nuk dëshiron të sanksionojë Rusinë për shkeljen e sovranitetit të Ukrainës. Ai shprehet se Kina dëshiron që lufta të mbarojë sa më parë po ndërkohë Kina nuk ka bërë asnjë përçapje për ta ndaluar si kanë bërë mjaft vende të tjera duke marrë vendime në unanimitet kundrejt Rusisë.


Ndërkohë që ambasadori shprehet për respektim të sovranitetit dhe të drejtave të njeriut duke e treguar rolin e Kinës si një faktor të rëndësishëm në mbrojtjen e këtyre të fundit, pretendimet dhe sulmet provokuese ndaj Tajvanit krijojnë paradoksin, midis asaj që Kina mundohet të tregojë edhe asaj që është në të vërtetë. Kina flet për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të popujve, por nuk rezulton t’i aplikojë ato në territorin e saj. Madje vlerësimet e studiuesve të gjeopolitikës tregojnë se ajo i shkel mizorisht këto të drejta brenda Kinës, si në Provincën XinJang, ku jetojnë pakicat myslimane si ujgurët në Tibet dhe në HongKong.


Ambasadori kinez në Shqipëri ka theksuar me krenari, se Presidenti kinez Xi Jinping ka shkëmbyer telefonata me shumë udhëheqës për të arritur negociata për paqen por bota akoma nuk ka parë ndonjë veprim konkret për të arritur atë. Kina është në kontradiktë totale me qëndrimin mbi sovranitetin, integritetin territorial dhe mosndërhyrjen.

Nisur nga këto, edhe pse diplomacia kineze synon të shfaqë një imazh të mirë të Kinës në raport me pakicat brenda vendit apo edhe në raport me politikën e jashtme, nuk shmanget pesha e politikave të gabuara të Kinës, të cilat rëndojnë në kurriz të shteteve të tjera të pavarura.


Duhet të kujtojmë se, ndryshe nga zyrtarët ndërkombëtarë, që nuk udhëtuan drejt Kinës për të ndjekur Lojërat Olimpike Dimërore për shkak të shqetësimeve për të drejtat e njeriut, Presidenti rus Vladimir Putin e zhvilloi këtë vizitë, ndërsa ishin rritur tensionet për grumbullimin e trupave ruse në kufirin me Ukrainën. Putin dhe Presidenti kinez Xi Jinping u takuan ballë për ballë, për të parën herë që nga viti 2019 dhe bisedimet e tyre synuan forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes Moskës dhe Kinës dhe koordinimin e politikave të tyre përballë presionit perëndimor. Ishte pikërisht ky takim ku ata shpallën midis dy vendeve një “miqësi pa kufij”.

Presidenti Putin vlerësoi karakterin vërtet të pashembullt të marrëdhënieve Kinë-Rusi, një marrëdhënie dinjitoze, që ndihmon këto dy vende të zhvillohen. Pavarësisht mungesës së një aleance formale Kina dhe Rusia janë afruar shumë vitet e fundit gjë e cila tregohet qartë edhe në marrëveshjet që u nënshkruan gjatë takimit duke e shprehur si diçka e mirë për të gjitha vendet e botës po në të vërtet rezulton e shfrytëzuar në funksion të mbrojtjes së interesave të tyre dhe forcimit të kësaj miqësie në të ardhmen. Veprime këto, që të bëjnë të besosh se Kina po përpiqet të fshehë atë që është në të vërtetë, veprime që bihen në kundërshtim me atë që deklarohet nëpër intervista edhe konferenca.


Agjencia kineze e lajmeve Xinhua, theksoi në Shkurt se presidenti Putin u shpreh se Moska dhe Pekini luajnë një "rol të rëndësishëm stabilizues" në çështjet globale dhe ndihmojnë që çështjet ndërkombëtare të bëhen "më të drejta dhe gjithëpërfshirëse". Deri aktualisht duket se kjo aleancë po luan një rol të rëndësishëm vetëm në funksion të interesave ekspansioniste reciproke të Rusisë e Kinës duke injoruar çdo të drejtë e parim ndërkombëtar.

Duke lexuar intervistën e ambasadorit kinez në Shqipëri dhe duke parë strategjinë dhe taktikat e Kinës të lind dyshimi nëse ambasadori Zhou ka njohuri të mjaftueshme mbi parimet e sovranitetit, është nën censurë mediatike dhe nuk ka mundësi të shohë se çfarë ndodh realisht apo i duhet që të shprehë gjëra të cilat edhe vetë nuk i beson.

Si përfundim, duket shumë qartë pozicioni i Kinës, tashmë për fat të keq i çimentuar!


Burimi: https://businessmag.al/kina-deshtoi-ne-ftesen-per-paqe-ne-prag-te-sulmit-rus-ndaj-ukraines/

Comments


bottom of page