top of page
Search

Klejda Kamberaj, Arkitektja e lëndës dhe e shpirtit


nga Tanush Çaushi


Vitet e fundit në tryezën e poetëve është ulur edhe një vajzë nga Vlora. Në ndenjësen e vet qëndron me dinjitet, pa zhurmë e poza, pa reklama dhe ekrane.

Shumëkush as emrin ia ka dëgjuar dhe as poezinë nuk ia ka lexuar. Veç kur e njeh, pyet veten me vargun e saj:

- A thua rastësisht mbriti gjer këtu?...


Arkitektja e lëndës dhe e shpirtit

Quhet Klejda Kamberaj. Mbaroi gjimnazin Ali Demi në qytetin e vet. Gjimnaz me emër kombëtar. Mandej Universitetin Politeknik për Arkitekturë.

Gjimnazistja vlonjate qe e shenjuar mes shoqeve për poezi të hijshme dhe ese medituese. Shpesh poezia dhe eseja ngjizeshin e zbukuronin shoshoqen siç bën vala e detit me bregun shkëmbor.

Kur mbaroi të lartën, Klejda u duk sikur kthehet në një amforë dy formëshe si gjallesat e simbolizmit. Tek ajo gjalluan dhe u njësuan dy qënie të adhuruara: arkitektja e lëndës ndërtimore ku merrte jetë bukuria e dukshme dhe akrkitektja e shpirtit ku shfaqej bukuria hyjnore e artit.


A thua?...

Në një vështrim pjesor ajo që të bie në sy tek poezia e poetes Klejda Kamberaj është shqetësimi për misteret e jetës e të vdekjes, për dukjen dhe mosdukjen, për qënien dhe mendimi:

- A thua rastësisht mbrin njeriu gjer këtu

dhe rastësisht brenda natës shkon atje?

A thua gjithçka është rastësi?...

Nga e përgjithëshmja e abstraktia kalohet shqetësimi tek konkretja dhe përditëshmëria:

- Çfarë e bën njē mbretëri kaq të lartë

kur logjika e udhëheqësit

s'është prej gjeniu?...

Përfundimi jepet si njē absurd logjik realizuar me kundërshtitë stilistike:

- Ndoshta mendojmë pak

ose më tepër nga ç'duhet!...



Disa dhe disa

Në shkallaret e jetës ndeshesh me tipa, lloje e specie njerëzore nga më të çuditshmet.

Poetja, me vëzhgimin e saj të mprehtë e ka vërejtur kētë larushi dukjesh e kakofoni zërash. Me detaje të përzgjedhur e vargje shpërthyes bën cilësimin e tyre që duket sikur dëshiron të shpëtojē sa më shpejtë prej zagushisë mbytëse të gjallesave të perçudnuara.

Kategorizimi i qënieve bëhet si në rrathët e Dantes:


- ka që jetojnë vetëm për kënaqësinē e gjuhës

- ka nga ata që e shndërrojnë jetën në grumbull jashtëqitjesh

- disa e matin veten me çmimin e mëndafshit që ndërrojnë mëngjeseve

- disa përdorin kavien e të dobtit për të krijuar perandori shërbyesish...

Pastaj vinë poetët, ata që shkruajnë, por nuk flasin... Kujt t'i flasin?... Pastaj vdesin!...


Koha dhe shpresa

Koha filozofike është e pafundme, por koha njerëzore vjen dhe ikën e segmentuar.

Brenda segmentit të vet jetësor individi apo brezi njetëzor ndërton ngrehinën e shpresave. Po a realizohen gjithë shpresat e vizatuara në arkitekturën e jetës?... Shumica jo, ndaj dhe lind zhgënjimi dhe pakënaqësia.

Domosdo se pas absurdit lind revolta.

- A ka më shpresë për njerëzit e mirë,

pêr njerëzit si unë,

për njerëzit e këqinj,

për njerëzit si unë?...

A ka mē kohë

për ëndrrat që lindën e u thyen,

për fjalën e thënë e të pa thënë?...

Për ty, për atë, për ne, për mua?...

Koha e marrë... ikën e çalë!...

Faleminderit poete

Po, faleminderit poete Klejda Kamberaj që me vargun tënd elegant, të përpunuar e modern, me figurēn origjinale e nentekstin shumështresor na fale bujarisht kënaqësi të bukur shpirtërore dhe estetike!...


*************************

A thua rastësisht mbërrin njeriu gjer këtu

Dhe rastësisht brenda natës shkon atje?

Sigurisht nuk do të doja të besoja se ne, qenia inteligjente e universit jemi thjesht të përzgjedhurit e një fati të shkruar nëpër yjësi, dhe vijmë këtu të përmbushim rolin e përcaktuar.

A thua gjithcka është kotësi?

Se njeriu krijon pasuri të paluajshme në një botë kaq të lëkundshme?

Atëherë ckuptim ka kjo? Nëse s'vlen dashuria, ckuptim ka besnikëria?

Nëse familja është gjithë kombi a qyteti, atëhere përse duhet të jetë e shenjtë?

Nëse njerëzit nuk njohin limitet, përse ngrejnë mure dhe vendosin dyer?

C'kuptim ka rruga e qumështit në qiell, kur e përshkojmë në tokat e mistershme të Egjiptit, dhe cfarë e bën një mbretëri kaq të lartë, kur llogjika e një udheheqësi nuk është prej gjeniu?

Nëse një ditë na pret një rrugëtim i panjohur, ckuptim kanë pasuritë që dot nuk i marrim, planet e largëta kur së afërmi dot nuk njohim,

Dhe mbi të gjitha c'kuptim kanë standartet kur njerëzit në përditshmëri përdorin etalone vlerash e morali të papërcaktuara?

Ndoshta mendojmë shumë pak ose..., më tepër nga c'duhet.

K.K

*********************

Të kuptosh filozofinë e jetës miku im nuk është çështje kohe a fati, a se ndoshta në ty qëlloi casti.

Ka prej të cilëve rrojnë për të përmbushur kënaqësitë biologjike të gjuhës dhe me grykësinë e tyre ta shndërrojnë jetën në një grumbull jashtëqitjesh.

Disa të nderuar vlerën e vetvetes e matin me cmimin e mëndafshit që ndërrojnë mëngjeseve si fytyrë për tju prezantuar diellit dhe të tjerë lakuriqësinë e paturpesive duke pritur hënën.

Disa kërkojnë të përmbushin vetveten me metoda brutaliste të përdorjes së kavjes më të dobët për të krijuar perandori shërbyesish në liri.


*********************

Ka edhe të tjerë...

Secili sipas dhuntive ndërton teorine e tij të filozofisë së jetës.

Ka filozof nga vuajtjet, filozof nga papunësia, nga drumendësia, filozof nga fshati, nga qyteti, filozofa interneti...

Pastaj vijnë poetët, ata që shkruajnë por nuk flasin...Kujt ti flasin!?...

Pastaj vdesin..

K.K


*********************

Dashuri në kornizë

Pikturë n'kornizë t'pahijshme

u ba e jemja dashni,

se ndjesive t' mija t'fisme

liria iu ba fli,

E flakën si skicë e pavlefshme

n'heshtje e lanë mënjanë,

se s'panë kurrëfarë pasunije

prej pleshtit nuk nxirret dhjamë

Abstrakt në një botë t'cuditshme

askush s'mundet me e kuptu,

abstrakti flet sende të madhnishme

askush s'din me e lexu.

Ia zhgarravitën bojrat, ngyrat, pastërtinë,

i vunë një kornizë t'shpifme

për me ja humb madhështinë...


*********************

Ka njerëz që mbahen më të madh,

Perëndizohen, e lartësohen

Sikurse ka të tjerë trutharë

Para pasqyrës zbukurohen

Por këta janë shumë

E rrugëve dynden,

Sic ka dhe të tjerë që në heshtje

ndrydhen

Janë dhe ata të urtë te Zoti

Që jeta u fali një histori koti

Ka sharlatanë, të lajnë e të lyejnë,

Psikopatër të mbeten në dyer,

Ka arrogantë me llogjikë prej idioti

Nga këta të na ruaj Zoti

Ka bota plot, e plot do të ketë,

Gjersa hajduti do të jetë mbret,

Gjersa e përdala bëhet nënë,

dhe dukimi që ka dhënë...

Lëri të rrojnë, leri të flejnë


*********************

A ka më shpresë?

Për njerëzit e mirë, për njerëzit si unë,

Për njerëzit e këqinj, për njerëzit si unë

Për ata që janë larg, për ata që janë pranë

Për ata që u nisën, e dot nuk vanë

A ka më kohë?

Për ëndrrat që lindën, për ëndrrat që u thyn'

Për fjalën e thënë e atë të pathënë

Me nis nga e para, të njëjtën punë

Ndoshta më qetë të biesh në gjumë

Për ty , për atë, për ne për mua,

Për njerëzit e thjeshtë për ata që i dua,

Më nis rrugëtim në dritë të diellit

Me ja len kohës së vjetër dhimbjet e helmin

A ka më kohë?

Koha, thesar, koha trishtim, koha e çmendur

Koha e marrë, koha stë fal

Ikën shpejt, ikën e çalë...

Comments


bottom of page