top of page
Search

KOLË IDROMENO, GJENIU DHE HUMANISTI RILINDAS NGA PARGA


Nga Arben Iliazi


Kolë Idromeno lindi më 15 gusht 1860 në Shkodër dhe vdiq më 12 dhjetor 1939. Familja e tij, ishte një nga familjet më të njohura të Pargës në Çamëri, prej ku u larguan në kohën e Ali Pashë Tepelenës, për t’u vendosur në Korfuz në pranverën e vitit 1819.

Në Korfuz gjetën strehim edhe familje të tjera shqiptare nga Suli. Nga familja e Idromenove, në shek XIX-të janë shquar intelektualët Andrea Idromeno dhe Mihail Idromeno. I pari Doktor ne teologji dhe profesor ne Korfuz dhe i dyti Doktor në drejtësi. Këta ishin gjyshi dhe xhaxhai i Kol Idromenos (AQSH, Fondi 71, Dosja nr 13, Dok. nr 1).

Andrea Idromeno kur ishte mësues në Korfuz, përpiloi dhe botoi historinë e Pargës dhe të Sulit, e gjithashtu ndihmoi Grigor Gjirokastritin në përkthimin e ”Ungjillit sipas Matheut” dhe ”Dhjatës së Re” në gjuhën shqipe me alfabet grek. Pjesmarrja e Andrea Idromenos në përkthimin e këtyre dy veprave në gjuhën shqipe, me të folmen e camërishtes, tregon atdhedashurinë e tij dhe dëshirën e madhe për të kultivuar gjuhën amtare.

Në Korfuz Andrea Idromeno ka mbledhur nga historitë e mërgimtarëve shqiptarë të Pargës dhe të Sulit dhe me këto të dhëna ka përgatitur një vepër historike. Andrea kishte dy djem, Mihalin që ishte jurist dhe Arsenin, të atin e Kolës, që kishte lindur në Korfuz. Arsen Idromeno, babi i piktorit te shquar Kol Idromeno, në vitin 1856 u shpërngul përgjithmonë në Shkodër. Ai filloi të punojë si inxhinjer e projektues. Pa asnjë dyshim në shfaqjen e prirjeve të Kolës për vizatimin ka ndikuar puna e të atit si projektues shtëpish. Ai u rrit në një familje, ku babai punonte pas një tryeze të mbushur me skica, libra e projekte arkitekturore. Një fëmijëri e tillë patjetër do ngjallte dëshirë t’i prekte e t’i shfletonte librat, të provonte edhe ai magjinë e vizatimit mbi letër.

Kolë Idromeno është figura më e kompletuar e më multidisiplinare në artin shqiptar. Ai ishte piktor, arkitekt, urbanist (projektues i Shkodrës), fotograf (nxënës i Pjetër Marubit), skenograf, siparist, muzikant, e kompozitor këngësh shkodrane. Gjithashtu ishte dhe fillimtari i shfaqjeve të para kinematografike në Shqipëri.

Në moshën 15-vjeçare në vitin 1875, filloi studimet për pikturë në Venecia të Italisë, ku njihet nga afër me veprat e rilindasve si Civeli, Montegnas, Gentili, etj. Aty vazhdoi mësimet vetëm për dy vjet. Pas kthimit në vendlindje, Kola, përveç pikturës që e ushtronte pandërprerë, po e tërhiqte edhe fotografia që e shihte me kënaqësi në studion e Marubit. Duke parë aftësitë e të birit në lëmë të fotografisë, Arsen Idromeno, vendosi të hapi edhe ai bashkë me të birin një atelie fotografike. Punën në të e drejtonte dhe e përballonte vet Kola i cili shfaqi pasion dhe zell të madh si artist dhe teknolog në proçeset e fotografimit. Gjatë punës si fotograf, Kola, bën lidhje miqësore me shumë njerëz të të gjitha shtresave, duke u bërë kësisoj njeri i njohur në qytet. Gjatë 1871-1874 i përkushtohet veprave të para në akuarel, “Portreti i mësuesit”, “E vorfna”, “Baresha”, etj.

Një nga veprat më të dalluara të Kolë Idromenos është “12 luftëtarët e Pargës në lundër”. Në këtë pikturë ai kujton largimin e parardhësve të tij nga Parga drejt Himarës. Në këtë vepër Idromeno përjetëson në art trimat luftëtarë të Pargës dhe të mbarë Çamërisë. Pas vizatimeve dhe akuareleve të para Idromeno, kur ishte vetëm 23 vjeç, 2 shkurt 1883, punoi portretin e të motrës që është edhe vepra më përfaqësuese e tij, ”Motrën Tone” , e quajtur edhe “Mona Liza” e Shqipërisë. Kjo është edhe e para pikturë realiste e tij dhe kryevepra e artit figurativ shqiptar, ose portreti i parë madhor i pikturës shqiptare, siç e cilëson studiuesi Mikel Prenushi.

Më 1898 piktori u ftua në një ekspozitë ndërkombëtare në Budapest. Më 1904 punoi portretin e Ndoc Xhuxhës, njëri prej anëtarëve themelues të Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip. Në këtë periudhë kemi “Bardhejt” e “Lugu i kaçakeve”. Me këto vepra shpreh dashurinë për natyrën. Vepra të tjera janë “Dy rrugët” dhe “Fajda”, “Kur hin dreqi mrena”. Në 1898 merr pjesë në një ekspozitë në Budapest dhe në 1923 në ekspozitën e pikturës në Shkodër. Në 1924 mbaron pikturën “Darsma Shkodrane”, ku tregon me realizëm të veçantë lumturinë e vashës që po martohet.

Në periudhën 1924-1937 vjen “Zezaku i Beldijes”. Me këtë vepër autori shpreh simpatinë për njerëzit me ngjyrë. Një vepër tjetër është “Autoportreti”, “Portret i një fshatari”, “Bariu”, “Fytyrë fshatari”.

Piktura e fundit e Idromenos është “Plaku i Postribës”, ku shpreh situatën ekonomike të fshatit. Më 1878 i bashkohet lëvizjes patriotike të Lidhjes së Prizrenit për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë dhe dhënien e Camërisë mbretërisë greke; pra për Idromenon nuk diskutohet vetëm në rrafshin artistik. Ai qe një përfaqësues i shquar i Rilindjes Kombëtare, patriot i madh që aspironte pavarësinë e Shqipërisë. E gjithë veprimtaria e Idromenove tregon jo vetëm shqiptarinë e tyre, por edhe qëndrimin patriotik në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Veprat e Kolë Idromenos janë ekspozuar në ekspozitën e parë kombëtare në Tiranë, në vitin 1931, ekspozitë e organizuar nga shoqata “Miqtë e Artit”, si dhe në ekspozitat ndërkombëtare në Budapest (1898), në Romë (1925), në Bari (1931), në Romë (1936) dhe në Nju Jork (1939).

Kolë Idromeno, Mjeshtri poliedrik i artit shqiptar, konsiderohet si babai i pikturës së parë realiste shqiptare, me një stil krejtësisht të veçantë dhe virtuoz. Realizimi i tij evidentohet fuqishëm në vështrimin stilistik. Ai krijoi dhe konsolidoi stilin e tij vetjak, që shpaloset nga vepra në vepër me një ekuilibër koloristik dhe kompozicional, me mjete artistike të kursyera, me një ngrohtësi shpirtërore dhe dashuri për njeriun. Arti i tij vendosi për herë të parë në qendër të krijimit ralizmin humanist shqiptar.

Kolë Idromeno i dha historisë së artit dhe bashkë me të historisë së shoqërisë shqiptare, jo vetëm mjeshtërinë e madhe të krijimit, teknikave, zhanreve të reja, por edhe filozofinë e madhe të artit të ri, duke përcollë mesazhe të rëndësishme për gjeneratat që do të vinin. Idromeno ishte mjeshtër i peizazheve, po aq sa mjeshtër i tablove kompozicionale dhe portreteve. Në realizimin e portretit i përdor penelatat në mënyrë të zhdërvjellët, duke krijuar një harmoni perfekte të ngjyrave, Idromeno, duke i portretizuar subjektet e tij me gjallëri dhe spontanitet të rrallë, me koloritin e tij të veçantë, duke kapur lehtë butësinë, buzëqeshjen, pa qenë kurrë i detyruar të paraqesë pozicione të sforcuara apo të trishtuara.

Te punimet e tij si “Portret i Skënderbeut”, “Bardhaj”, “Lugu i kusarëve”, “Portret burri”, “Portret i Marubit” etj. piktori e ka përqëndruar dritën në portretin e figurës, i cili realizohet me një kolorit delikat, me kalime sfumature nga drita në hije dhe me realizim shumë të kujdesshëm të tipareve e detajeve të portretit. Portretet e tij, për nga racionaliteti, harmonia, çiltërsia, idealizmi, ekuilibri, moderimi, bukuria dhe madhështia, janë një miksim i shkëlqyer i realizmit me ato të teknikave impresioniste.

Idromeno orientohet kryekëput drejt lirisë së plotë që i ofronte Impresionizmi, i ndjeshëm ndaj ngjyrave të veshjeve dhe peizazhit. Pra Kolë Idromeno ishte një mjeshtër madh i penelit midis realizmit, impresionizmit dhe imagjinatës, duke mbetur i pakrahasueshën në stilin e tij.

Në historinë e pikturës shqiptare të traditës, do të spikati përjetësisht emri i Kolë Idromenos, këtij gjeniu të papërsëritshëm të piktures me rrënjë nga Camëria, që ka lënë gjurmë të pashlyera në artin shqiptar. Veprat e tij, tablotë, portretet, peizazhet, si “Motra Tone”, “Dasma shkodrane”, “Dy rrugët”, “Shkrepi i Ulqinit”, “Portret fshatareje”, “Plaku i Postribës”, etj. do të mbeten “gurë të çmuar” në historinë e pikturës shqiptare të traditës.

@followers @top fans

Comments


bottom of page