top of page
Search

KONISPOLI

Shkruan: Hamit Taka

KONISPOLI

Lumbardha qilim me luleshqerra

Me tufa delesh -simfoni e hareshme,

Ato shpella të lashta me mistere

Ç’m’i shërojnë sot plagët e djeshme.


Veç Naimit kush mund t’u këndonte

Atyre kullotave, rrafshina pa kufi

Nga Narta yllore në Çukën e Ajtoit

Ku trëndafilat çelin për zili;

Kuajt hergjele çaireve harbojnë

Me galopin-furi të papërmbajtur

Djemtë asganë në gara i shalojnë

Frerë vringëllojnë si të çartur;


Më shfaqen fushëbetejat me romakët

Luftëtarët e Halikarnonit* diellor

Me klithma skifterësh, të pakët

Suleshin tufan mbi barbarët mizorë;


Gjithmonë ata dilnin fitimtarë

Se krahun e zemrën vinin te shpata

Dhe këndonin në ato festa-llahtar

Për vashat me gërshetat e gjata…


Njëri pas tjetrit vinin lakmitarët

Nga lindja, perëndimi përtej detit

T’ia shuanin emrin që të parët

Me gjak dielli ia kanë shkruar qytetit;


Nga ishulli i Feaçëve sytë Odiseut

Ç’i mbetën mbi shtatë kodrat përballë

Nausika e bukur, kjo lule e Mesdheut

Embël ia shqiptoi: “Qyteti i bardhë” ;


Tej nga ujdhesa e Korfuzit helenët

“Qytet i afërt” e quanin miqësisht

Mes tyre Joni i kaltër, i kthjellët

Brigjet përkëdhelte me valën e brishtë;


Po ç’t’ju themë për ato zonjat franceze

Që rrudhat s’i duronin në gushë e faqe

Prej Konispolit merrnin qumësht delje

Erë trëndëlinë e erë manushaqe;


Kontesha me kontër të dashuruara

Me qumëst Lumbardhe faqet i lanë

Zonjat fisnike nga Parisi i praruar

“Qytet i Kontit” Konispolit i thanë;

“Vardar” Lumbardhën e quan sllavët

“Fusha e kuajve” e pagëzuan qytetin

Po s’mund të linin gjurmë nomadët

Nomadët nga ana tjetër e planetit;

Vetëm një emër të parët kanë lënë

Në zenit të qiellit me shpirt i shkruar,

Shkëlqen nën diell e shndrit nën hënë

Halikarnoni antik, qytet i praruar-.


*Halikarnoni=Qytet i diellit(emri antik i Konispolit)

Comments


bottom of page