top of page
Search

Konispoli, vendi ku mund të gjesh gjithçka përveç dritave, koha që qeveria të mbajë fjalën


SHKRUAR NGA BARDHYL BEJKO

1 SHTATOR 2021

Gazeta Sot

FacebookWhatsAppTwitterEmail

Konispoli, vendi ku mund të gjesh gjithçka përveç


(Vijon nga numri i kaluar)


Kultura është busulla e jetës për konispolatët


Konispoli nuk shquhet vetëm për punën e krahut. Kjo zonë tipike e shtrirë në këmbët e malit të Nartës dhe Saraqintit, ka nxjerrë nga gjiri i vet si prodhim i kësaj toke të stralltë, perla të muzikës e këngës. Ka nxjerrë nga gjiri i saj krijues të talentuar, shkrimtarë e poetë, skulptorë në zë dhe valltarë e muzikantë. Violinistë të shquar që zbrisnin mbi telat e violinës mijëra zogj me cicërimat e tyre dhe ftonin bilbilat të këndonin mbi violinë. Rreme Hysa, ishte mjeshtri i violinës. Autodidakt. Klarinistë të njohur. Të lindur bashkë me klarinetën. Baçi i Mursisë, artistë të vërtetë të pentagrameve dhe notave që u buronin si ujëvarë. Kush vjen në Konispol dhe ndalet pak çaste nën rrapin shekullor, simbol i qytetit brenda trungut të gjerë të së të cilit, janë memorizuar mijëra ngjarje dhe histori, mëson se këtu nën këto degë, Osman Taka, djalë konispolat, valltari brilant për arsye se i kishte vënë syrin të bijës së komandantit të forcave turke, para se ta varnin për këtë mëkat pa sens që akuzohej, i kërkoi komandantit që më parë se ta varte ta lejonte të hidhte një valle. Komandanti hijerëndë ra dakord, duke e lënë burrin levend, trup atleti të kërcente. Dhe Osman Taka e kërceu vallen para vdekjes në majë të gishtave aq bukur, me aq sqimë dhe elegancë sa të gjithë të pranishmit mbetën gojë hapur. Të gjithë kërkuan t`i falej jeta një valltari kaq të talentuar, nuk mund t’i ndërpritej vallja në mes, ai duhet të fluturonte mbi këpucët me xhufka. Dhe komandanti turk urdhëroi të mos prekej valltari i famshëm. Pranë bashkisë është krijuar një juri e strëmadhe me krijues, intelektualë, qytetarë e individë të spikatur të këngës dhe valles për të përcaktuar monumentin që do vendoset në sheshin qendror të qytetit. Do të jetë një valltar me hapat në ajër. Janë bërë dhjetëra bocete dhe shumë shpejt monumenti do përjetësojë emblemën e Konispolit.


Vallen e kërcyer ndër shekuj

Vallja i shpëtoi jetën! Kjo traditë e këngës dhe e valles në Konispol lulëzoi ndër vite dhe prej kësaj zone, perla të valleve dhe këngëve, u transmetuan brez pas brezi, duke dërguar në festivalet tona kombëtare krijime mitike. U ekspozuan kostume popullore të qëndisura me fije ari. Krijime të duarartave konispolate që u jepnin kostumeve fytyrën e vet plot nure.


Dhe në këtë shesh në qendër të qytetit tanimë të ndryshuar plot sharm, brezat kanë dëgjuar këngët karakteristike, ison, polifoninë kabanë, kanë njohur emra të këngëtarëve të shquar, si Vesel Kamberi, Nevruz e Velo Beqiri, Hava Papara, Trando Lame e Besnike Mulla. Po sot pas tri dekadave pluralizëm sa është në eficencë kultura dhe a vijon të zhvillohen traditat e shumë brezave? Shuaipi nuk nguron të deklarojë se ka një ngecje në këtë drejtim.

Mungon shtëpia e kulturës, si godinë për të ringjallur vallen dhe këngën, ison e famshme dhe artet e bukura që me aq bollëk i ka Konispoli. Është emergjente gjallërimi i traditave dhe ngjitja e tyre në majat më të larta. Sepse qytetarët, kanë nevojë, jo vetëm për punën dhe prodhimin, po edhe për ushqim kulturor, njohjen e traditave dhe zhvillimin e tyre. Ishte kjo mungesë që në ditën përkujtimore të rezistencës 55 ditore, si pjesë e aktiviteteve, bashkia, sektori i kulturës, drejtuesi i saj, Vangjel Taho në nje event me pjesëmarrje shumë të gjerë, me të rinj e të reja, intelektualë e qytetarë, artistë në profesionet e tyre, promovoj veprat e krijuesve shkrimtarë, poetë, piktorë, skulptorë të Bashkisë së Konispolit.

Kjo trevë ka nxjerrë nga gjiri i vet krijues me rrezatim mbarëkombëtar. Poema në vargje e Muhamet Kyçykut “Erveheja” njihet si një nga krijimet e para në vendin tonë për poezinë e shkruar. Numrit të madh të shkrimtarëve të kësaj zone do t`i shtoheshin ndër vite dhjetëra poetë dhe studiuesë që nga Ibrahim Hoxha, Bashkim Kuçuku, Pajtim Caushi, Skënder Mullaj, Hekuran Halili, Bardhyl Maliqi, Alush Avduli, Ibrahim Didati, Hamit Taka, Lediona Braho, Lumturi Plaku, Eduart Veli, si dhe poetin me vlera në shkallë kombëtare, Agim Mato e dhjetëra krijues të tjerë. Skulptori i talentuar Idriz Balani, piktori Servet e Pëllumb Beqiri apo Urim Arapi, valltari i talentuar Taip Madani që i thonë edhe Taip Taka.

Po tërë këto forca krijuese duhet të kenë një strehë, një shtëpi të tyren që bashkia duhet ta korrigjojë urgjentisht. Në Bashkinë e Konispolit, kjo mangësi pranohet dhe cilësohet si një objektiv i pazgjidhur. Ashtu si koha kërkon gjallërimin e bujtinave dhe zhvillimin e turizmit pasi klima dhe peizazhin e favorizon këtë.


Konispoli, vendi ku mund të gjesh gjithçka përveç


Monumentet natyrore dhe ato kulturore simbole krenarie


Siç thamë, Konispoli i ka të gjitha. Ka ekonomi të fuqishme. Monumente natyrore e kulture. Vende historike, kështjella e kala, shtëpi tip saraje, shpella, ku kanë jetuar njerëzit në prehistori, siç është shpella Krëshmojtë, ku arkeologë të njohur amerikanë pas gërmimeve disa mujore e kanë cilësuar si një nga vendbanimet më të lashta të njerëzimit. Më tej në jug, në pllajën e Buarit mbi Manetë, janë zbuluar nga arkeologu i kësaj zone, Halil Shabani, qypat brenda në tokë, ku ushtritë e Çezarit dhe Pompeut në marshimet ndërkontinentale rezervonin drithërat për ushtrinë e tyre. Në malin përballë, Cuka e Ajtoit, kjo piramidë natyrore e pangjashme me askënd tjetër në brinjë të saj nga lindja, ka mbi të muret e qytetit antik i njëkohshëm me Butrintin. Porta hyrëse e qytetit është vendosur pas studimit dhe gërmimeve disa vjeçare nga një prej arkeologëve më të shquar të Shqipërisë, bir i kësaj zone, profesori i shquar, Selim Islami në oborrin e Muzeut Kombëtar, si dëshmi e qytetërimit në këtë zonë. Prej këtij qyteti kacavjerrë në pjerrësinë e malit hinkë e përmbysur niste rrugëtimin një qumështdërgues, ndërtuar prej qeramike që përcillte qumështin e freskët e të bollshëm të bagëtive të kësaj treve drejtë e në Butrint. Ky qumësht, jo vetëm shërbente si ushqim, po edhe për banjo të aristokracisë së qytetit të lashtë. Traktate të këtij qumështsjellësi edhe sot gjenden në fushën e Xarrës. Është Xarra një tjetër qendër e hershme, pjesë kësaj treve të Bashkisë Konispolit, ku janë zbuluar vegla pune të kohës së bronzit dhe më parë që janë edhe pjesë e lëndës së historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë që nga prehistoria.


Po kështu pranë fshatit Shkallë, buzë lumit, gjendet gurorja më e madhe nga ku janë shkëputur blloqet ciklopike të shkëmbinjve me të cilët janë ndërtuar muret fortifikues të Butrintit. Gurët janë transportuar me trape përmes lumit të rrëmbyeshëm në kohën e vërshimeve të tij deri në Kepin e Stillos, ku ngarkoheshin në varka drejt e në Vivar, buzë qytetit antik të Butrintit. Janë pikërisht ata gurë, tre e katër tonësh që të habisin për teknologjinë e përdorur për të ngritur në ato lartësi dhe aq më shumë për t`i sjellë deri këtu. Të gjitha këto nuk janë gjithçka dhe nuk mund të themi se i ezauruam në kaq radhë jetën e punën, njerëzit dhe arritjet, mangësitë e pësimet, lulëzimin e problemet e një treve nga më të begatat në Shqipëri.


Po nuk mund të mos përmendim edhe pse jo drejtpërdrejt pjesë e kulturës po tek e fundit këtu nis tradita dhe fillon kultura për produktet simbol të zonës së Konispolit. Dhe le të përmendim: Djathë Konispoli. Marka më cilësore ndoshta në Ballkan. Djathi dhe mjalti i Konispolit, është i pakrahasueshëm ndaj dhe shumë bulmetore në Tiranë abuzojnë me reklamën: Djathë - mish Konispoli. Po është kulturë është edhe përpjekja për rehabilitimin e figurave të Konispolit anatemuara dhe denigruara deri dje. Kështu në qendër të sheshit kryesor, sot ka zënë vend busti i Rexho Plakut, i cili kaloi një jetë nëpër burgjet e diktaturës. Dhe me radhë, figura të njohura si, Alush Taka e Teme Sejko apo komandanti i parë i çetës Çamëria, Haki Rushiti apo profesori Sami Murati. Është koha për vlerësimin e vlerave të kontributorëve të kësaj krahine pa lënë mënjanë ata që dhanë jetën për lirinë dhe të tjerët që rindërtuan këtë trevë ndër vite. piedestalet presin edhe ata që u anatemuan për gjysmë shekulli. Fare pranë Konispolit është fshati Vërvë. Ditë më parë u mblodhën për të festuar. Vërva është një fshat i vogël, po me zë në Bashkinë e Konispolit.


Është fshati që ka nxjerrë talente, intelektualë të shquar. Po diktatura komuniste i dënoi shumë rëndë disa prej fshatarëve. Mes tyre edhe një djal të ri. Xhamal Bali. I burgosuri politik që vuajti 28 vite në burgjet më të egra. Në Spaç e Qafë Bar. Për qëndrueshmërinë e treguar cilësohet Mandela i Shqipërisë. Simboli i rezistencës dhe mirësisë, pa urrejtje, veç dashuri.


Konispoli, vendi ku mund të gjesh gjithçka përveç


Shkolla e mesme e Konispolit, një Ballkan në miniaturë


Nuk mund të kuptohet Konispoli pa shkollën e mesme që gjendet në një nga kodrat më piktoreske. Është nga gjimnazet më të vjetër. Mbi pesëdhjetë vite që ka hapur portat. Në këtë shkollë, kanë studiuar mijëra djem dhe vajza, jo vetëm nga krahina e Konispolit, po deri në Dropull e Bregdet, Vagalat e Muzinë, Jermë e tërë fshatrat e zonës së minoritetit. Shkolla ka pasur gjatë tërë viteve konvikt, ku qëndronin nxënit e zonave të largëta. Në këtë shkollë ishin ulur në të njëjtën bankë, djem e vajza që flisnin gjuhë të ndryshme. Greqisht e vllahisht. Po të gjithë ishin bashkë dhe në këtë kuptim, shkolla e Konispolit, ishte një Ballkan në miniaturë.


Nuk ka pasur në këtë shkollë asnjë ndasi. Asnjë ndarje. Asnjë veçim. Jo vetëm për nxënësit, po edhe mësuesit që vinin nga çdo skaj i rrethit deri nga Gjirokastra. Dhe prej saj janë të shumtë ata që u bënë profesorë në universitete. Që mbrojtën grada shkencore në Paris e Romë, Vjenë e Berlin, Oslo e Kopenhagen. Londër e Harvardin e famshëm, siç ishte Bora Toso nga Konispoli, e cila doli me medalje ari nga auditoret e këtij universiteti me prestigj ndërkombëtar.


Edhe sot vijon e njëjta traditë. Bukuri Braho, Papara, mbiemri i parë për arsye se fisi nga vjen ishte aq i varfër sa ushqim i përditshëm ishte papara dhe ndaj morën këtë mbiemër. Sot është drejtore e kësaj shkolle me emër.

Nga klasa e parë deri sot në drejtim është bijë e këtyre mjediseve. Bukurie Papara, Braho, është nxënësja dhe mësuesja, po edhe drejtorja e kësaj shkolle nga ku kanë nisur udhëtimin e dijes mijëra nxënës. Dhe siç thotë ajo edhe këtë vit pesë maturantë fituan bursë në degë shumë të zgjedhura në universitetet më të mira në Turqi pa asnjë shpenzim.


Po gjeografia e studentëve të kësaj shkolle nis me Italinë e mbaron me Kembrixhin në Angli. Është vatra e dijes, krenaria e Konispolit nga ku kanë dalë gjithë ata që kanë drejtuar këtë trevë dhe më gjerë në tërë Shqipërinë, emra të njehur dhe të talentuar me dije e kulturë, intelektualë në zë dhe individë me dinjitet që ia kanë ngritur emrin kësaj treve në majat më të larta. Është shkolla model e Konispolit e adhuruar prej të gjithëve që kanë qënë nxënës të saj dhe kanë ndjerë kujdesin e mësuesve të njohur si, Skënder Mullaj, Bashkim Kuçuku, Jani Vaja, Abaz Mullaj, Pajtim Çaushi, Astri Tatari, Ladi Tatari, Urim Jupe, Luan Nele, Bardha Memko, Ziso Kote, Jorgo Apostoli, shumë prej të cilëve u bënë profesorë në universitetet tona. Po tani shkolla edhe si godinë është shumë më solide dhe mjedise të shumta sportive, me palestër e kabinete, muze dhe oborr qindra metër, mbushur me lule.



Sytë nga Edi Rama, do ta mbajë premtimin për t`i dhënë fund tmerrit me dritat?

Në mes të fjalimit, kryetarit të bashkisë i humbi zëri. I mbeti mikrofoni në dorë. U fikën dritat.


U ndërpre energjia elektrike.

Në Konispol është e njohur sentenca komike dhe kritike njëherësh: Po ra shi në Korfuz dhe fryu era në malin e Milesë, fiken dritat nga Konispoli deri në Janjar. Ky është problemi më i madh i konispolatëve që u shpalos edhe gjatë eventit të festës. Edhe pse ditë pa shi. E tërë zona që nga Livadhjaja deri në thellësi në Vërvë e Shalës, Markat, Ciflik, Ninat, Dishat, Janjar, Konspol e më poshtë në Vrinë e Xarrë e Mursi, problemet me energjinë janë kthyer në makthin e qytetarëve.


Në dimër me ditë të tëra nuk ka energji. Fermerët flenë që me pula. Informacionet mungojnë, të rejat i marrin të përmbysura përmes rrëfimeve të shtrembëruara pasi nuk i dëgjojnë përmes informacioneve të medias apo televizioneve. Dhe kjo për faktin se prej pesëdhjetë vjetësh, një nënstacion mikroskopik në Livadhja është i vetmi garantor për të ruajtur tensionin dhe për të zgjidhur fuqinë. Linja, Bistricë-Konispol, kalon përmes shtigjeve dhe luginave. Është një gjatësi e pafund. Përcjellësit, sa herë lagen këputen. Njëherë çahen izolatorët. Bien shtyllat. Humbet energjia nëpër përcjellës të kohës së qepës. Kabinat janë tip karakollësh që janë ndërtuar me punë vullnetare. Konispoli dhe tërë krahina kanë investimet e kohës së diktaturës. Investim që ka mbi pesëdhjetë vjet që është bërë. Me teknologji të vjetërsuar.

Linja përballonte një numër të vogël konsumatorësh pasi gjithçka kryhej me dru zjarri. Gatuhej me dru dhe mjeti i vetëm për gatim të shpejtë ishte furnela me vajguri. Një në pesëdhjetë familje kishte një aparat televizori. Për frigoriferë as që bëhej fjalë. Ata pothuajse ishin sende luksi. Për kondicionerë as që mund të flitej. As emrin nuk ua dinte kush.

Kjo linjë jashtëzakonisht e amortizuar shkakton ndërprerje të energjisë, ditën, natën me shi, me erë dhe vapën e gushtit. Është tmerr pafund. Gati legjendë e cila shkakton trauma tek çdo familje. Është ndoshta zona me linjat më të konsumuara në tërë Shqipërinë. Kohë më parë përmes një shkrimi enkas, i kemi bërë thirrje OSHEE dhe KESH të vënë dorë dhe të investojnë në këtë katrahurë që është gjendja e linjave të shpërndarjes së energjisë elektrike në zonën e Konispolit. Po zoti Çela as që na e vari fare. Asnjë përgjigje. Asnjë reflektim. Investimi mungon. Premtime ka.


Deputetja e sapozgjedhur, ministrja e Financave, Anila Denaj e mori si detyrë emergjente për ta zgjidhur. Edhe kryeministri, Edi Rama, ka premtuar. Sot me situatën katastrofike që gjendet transmetimi dhe shpërndarja e energjisë e bën këtë zonë më problematiken në vend. Kërkohet ndërhyrje urgjente. Investim i plotë për të shëruar këtë gangrenë që po i shkatërron pajisjet e familjeve të fshatrave dhe qytetit të Konispolit. Është gangrenë që kërkon operacion urgjent. Në të kundërt linjat do bien në shesh.

Energjia do mungojë. Errësira do mbulojë netët e konispolatëve që sot pas premtimit të kryeministrit për zgjidhje të shpejtë i kanë sytë vetëm tek ai të cilin janë duke e monitoruar se kur do ta fillojë autostradën elektrike të furnizimit dhe transmetimit të energjisë në trevën e Konispolit. Zoti Çela, ish-drejtori i Përgjithshëm edhe pse iu kërkua publikisht nuk e vuri ujin në zjarr. Asnjë reagim. Asnjë fjalë të vetme. Asnjë impenjim. Kryeministri ua ka këtë detyrim konispolatëve.

T`ia largojë këtë tmerr dhe ankth dhe më në fund Konispoli të ndriçoj, ashtu siç ndriçon në të gjitha fushat, ku nuk kërkohet ndërhyrje nga qeveria. Energjinë e ka në dorë vetëm shteti, kompanitë energjitike. Tani. Sot.

Nesër është shumë vonë! Konispolatët kanë besim, se vetëm Edi Rama do vërë dorë për zgjidhje në themel për t`i dhënë fund tmerrit me energjinë e munguar. Dhe presin që kryeministri t`i nisi investimet në këtë mandat të tretë me qeverinë e re nga autostrada energjitike e trevës së Konispolit!


SHKRUAR NGA BARDHYL BEJKO

1 SHTATOR 2021

Gazeta Sot

Konispoli, vendi ku mund të gjesh gjithçka përveç


Commentaires


bottom of page