Nga: Arben Iliazi
Një qiri i ndezur diku në gjithësi
Për kë digjet vallë?
Me Fatos Arapin, poetin, shkrimtarin, dramaturgun dhe humanistin e shquar, na lidhi një miqësi e gjatë, 43 vjecare, derisa ai, bashkë me poezinë e tij, u ngjit në krahët e Perëndive. Arapi shënjoi rrugën time të artit, duke u interesuar për botimin e cikleve të para me poezi në gazetat dhe revistat e kohës, qysh në vitin 1981, kur isha maturant në gjimnaz. Isha i lumtur në shoqërinë e tij. Për mua mbeti një poet e shkrimtar gjenial, një shpirt i dëlirë, me energji të pashtershme. Nuk u mor me politikë, madje kishte neveri për politikën, megjithëse pati oferta. Fatosi vazhdonte të mbetej skeptik për gjithçka, por njëkohësisht shumë i vëmendshëm ndaj ngjarjeve. Në vitet e para të demokracisë, 1993 - 1994, së bashku me prof.
Pandeli Çinën e disa personalitete të tjerë, krijoi “Forumin e Intelektualëve të Pavarur Shqiptarë”, që pati mjaft jehonë në hapësirën mbarëshqiptare, duke bërë thirrje e promemorje për t’u orientuar drejt në momentet historike që po kalonte vendi. Por disa vite më pas veprimtaria e Forumit u fashit e u shua dalëngadalë, si pasojë e trysnisë që ushtronte tërthoras politika zyrtare. Fatosi dhe kolegët e tij bënë një tërheqje të butë nga misioni i tyre intelektual e atdhetar.
- Pse kaq i tërhequr profesor? - e pyesja shpesh në vitet 2000. Mendimi juaj do ishte mjaft i vlefshëm në demokracinë tonë të re.…Që njerëzit të shohin të vërtetën në sy. Kush mund ta tregojë më mirë të vërtetën se një shkrimtar i njohur, një intelektual i pavarur?
- Njerëz të pavarur nuk ka…Njeriu është i varur nga historia… ma kthente shkurt, duke filozofuar. E po, demokraci është kjo? Kjo është një vorbull ku jemi ngatërruar keq...Nuk e duroj dot anarkinë me pronat e me gjithçka…
***
Fatos Arapi u lind më 1930 në Zvërnec të Vlorës, nga një familje patriote. I ati, Tol Stavre Arapi, kish luftuar me pushkë në dorë për lirinë e atdheut, kurse i vëllai, Vllasi, u zhduk pa nam e nishan në vitet e para të diktaturës komuniste. Fatosi ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, mandej punoi në Tiranë, në fillim si gazetar dhe më vonë, për një kohë të gjatë, si pedagog.
Nisi të shkruante që në vitet e studimeve dhe, rreth viteve 60, emri i tij iu bashkëngjit autorëve si Kadare e Agolli, që po tentonin ta emanciponin poezinë e deriatëhershme. Vargjet në shqip nisën të ishin më të lirë edhe falë Fatos Arapit. Ai e shpalli që në fillimet e kredos së tij poetike se “qenia është liri dhe liria është qenie”.
I përballur me një jetë të stuhishme Arapi, në mbi 60 vjet aktivitet krijues, synoi krijimin e një poezie që zë fill te njeriu, duke refuzuar objektivizmin e mermertë e të akullt të realizmit socialist.
Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet "Shtigje poetike" dhe "Poezi e vjersha". Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Poezia e tij, për gjatë gjysmë shekulli, arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike, me thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit dhe figuracioni i freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”. Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pas tij ai shkroi vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Në anën tjetër pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, Tiranë 1990, “Dafina nën shi”, Tiranë 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, Tiranë 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, Tiranë 1994, “In tenebris”, Tiranë 1996.
Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë, ku ai qëndron në rreshtat e parë dhe ku u kritikua disa here për hermetizëm dhe modernizëm , Fatos Arapi ka shkruar edhe disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në mes,1986; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme.
Fatos Arapi ka dhënë ndihmesë edhe në lëvrimin e dramaturgjisë, duke shkruar disa drama si: “Drama e një Partizani pa emër”,1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”,1995, etj.
“Drama e një Partizani pa emër” u vu në fokus të goditjeve apokaliptike në Plenumin e XV të KQ të PPSH, për letërsinë dhe artin (25 qershor 1965). Pleniumi, me kritika të rrepta, e paraqiti autorin si kundërshtar të ideologjisë së partisë, kundërshtar të letërsisë dhe artit të realizmit socialist. Madje edhe shtrembërues i së vërtetës për Luftën Antifshiste Nacional Çlirimtare”. Heroi i dramës së Fatos Arapit ngrihej mbi heronjtë e dramave të tjera socreale, të cilët portretizoheshin si butaforikë.
Pasuan privacione të shumta. Autori u godit dhe, si rrjedhojë, Fatos Arapin e hoqën nga puna si pedagog dhe e degdisën në një nga shkollat tetëvjeçare të qytetit të Vlorës. Por megjithë largësinë e pakapërcyeshme që ndante talentin e tij të rrallë me nivelin e ulët të kohës që jetoi, Fatos Arapi mbeti gjithmonë i frymëzuar, i papërmbajtshëm, me një temperament të etshëm e plot tallaze. Poezia e tij sa universale aq edhe filozofike dhe ekzistenciale, edhe sot e kësaj dite mbetet një enigmë, me një shkëlqim engjëllor, me një forcë të jashtëzakonshme, magjiplotë.
Në maj të vitit 2015 ishte takimi ynë i fundit, te kafja pranë Teatrit të Operas dhe Baletit. Binte një shi i hollë me plogështi. Sa u ul në tavolinë filloi të më lexonte i emocionuar, si rrallëherë, në mënyrë gati patetike, disa vargje për Konispolin, që i kish shkruar atë mëngjes në një copë letër:
“Një qiri i ndezur diku në gjithësi
Për kë digjet vallë?
Konispoli si një re lulebajamesh
varur rri
në perëndimin e allët.
Shoh yjet pellazgjikë
që shuhen mbi Qafë Botë
me ahet e ngurosura të çamëve…
Kur të vdes
Atje më shtini
Mes reve me bajame…”
Mbeta i shtangur dhe menjëherë i ngulita në mendje këto vargje brilante. Nuk di ku ka përfunduar kjo poezi, që fare mirë mund të futej në çdo antologji. M’u lidh gjuha për disa çaste. Edhe Fatosi ishte tepër i emocionuar. Iu mbushën sytë me lot. (Aso kohe profesori mallëngjehej shpejt).
- Profesor?...Jeni mirë? - belbëzova.
-Oh, jam shumë mirë…Miku im! Dhe filloi të fliste shpenguar: Do shkojmë bashkë në Konispol, të ngjitemi në Çukën e Aitoit, pastaj kafen e pimë lart në Buar, përmbi Qafë Botë, të shohim detin e Sajadhës, ku vjen aroma e peshkut dhe e kripës së bardhë. Aty ku fryjnë erërat e Jonit dhe mblidhet gulsh malli për Çamërinë…
U kujtova se Fatosi, vite më parë, kish shkruar për Konispolin reportazhe e skica. Madje ngjarjet e një novele të tij z hvilloheshin atje. Por kjo kërkesë e tij, e shprehur poetikisht, më la pa mend.
-Edhe Zvërneci është po aq i bukur, i lashtë dhe i magjishëm…i thashë.
-Nuk më pëlqen të shkoj në vendlindje, ma preu shkurt. - Tokat tana i kanë zaptuar “peshqit e mëdhenj” me dokumenta false…Nuk e ke marrë vesh se ç’bëhet te Gryka e Pashës? Atje dua të prehem…në Konispil! Konispoli është hyjnor…Nis që nga koha e Paleolitit. Edhe atje është një vend që quhet Mali i Nartës. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se vendbanimet i përkasin shek. III para Krishtit. Konispoli është i vetmi që na ka mbetur nga Çamëria. E ku ka më mirë se të prehem atje? Të thërras në ndihmë mitologjinë… Çamëria është toka e shenjtë e Shqiptarisë!
Kaq do të mjaftonte që ky personalitet i shquar kombëtar të shpallej “Qytetar Nderi i Konispolit” pas vdekjes.
Ashtu u ndamë atë ditë dhe nuk e pashë më rrugëve të Tiranës. Telefoni dilte jashtë linje. Kur pyeta më thanë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar dhe nuk dilte nga shtëpia. Vitet më pas nuk komunikoi me njeri, derisa u shua mbrëmjen e 10 tetorit 2018, në moshën 89-vjeçare, për të mbetur i pashlyeshëm në kujtesën e brezave.
Comments