top of page
Search

Kontrolli i cilësisë së materialeve / Ass.Prof.Dr. Fisnik Kadiu

Më vjen mirë, që shqetësimet dhe problematika që na krijoj tërmeti, kanë hyrë në një fazë të Re si për zgjidhjet ashtu dhe kontributin për opinionet dhe sugjerimet profesionale. Shumë mendime, sugjerime dhe propozime që janë duke u pasqyruar në këtë faqe sociale, kam besim se do të marrin rrugë, pasi kam ndjekur me shumë seriozitet edhe pjesëmarrjen e vetë të z.Artan Shkreli, drejtues i lartë në MIE. Por, ndryshe nga sa kanë ngritur një pjesë e mirë e kolegëve, të cilat i vlerësoj, dëshiroj të jap edhe unë disa sugjerime kryesisht për kontrollin e cilësisë të materialeve të ndërtimit. Së pari, Kontrolli i cilësisë së punimeve të zbatimit, duhet të ngrihet në një nivel tjetër dhe të qëndrueshëm, historiku i punimeve të ndërtimit në gjitha fazat e ndërtimit (ditari), pranimi në objekt i materialeve me çertifikatat e cilësisë së origjinës, ndihma dhe kontrolli në zbatim nga projektuesi për fazat më të rëndësishme të punimeve, marrja në dorëzim dhe leja e shfrytëzimit, etj. dora dorës duhet të fillojnë të bëhen pjesë integrale e veprimtarisë së specialistëve të lartë që punojnë në fushën e projektimit, ndërtimit dhe kontrollit të cilësisë të materialeve, Së dyti, Cilësia e materialeve të ndërtimit në përgjithësi, por veçanërisht e tre materialeve në top listën e 10 materialeve që paraqesin rrezik për jetën e njerëzve (tërmeti e nxorri në pah më së miri) dhe pikërisht: çimentos, betonit, çelikut, (pra, betonit të armuar) na dikton për masa dhe kontroll të një niveli tjetër; të përditshëm, serioz, të dokumentuar nga dita e parë deri në ditën e dorëzimit të objektit, veprave etj. Së treti, Fatmirësisht, sot në vend kemi laboratorë të akredituar për fushën e ndërtimit dhe që kanë treguar integritet dhe paanshmëri në rezultatet e testimet laboratorike. Testimi i materialeve të ndërtimit, kërkon një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet prodhuesit apo shitësit të materialeve nga njëra anë, zbatuesit të punimeve për marrjen e mostrave të provave dhe kabiratireve të testimit nga ana tjetër. Dokumentimi i të gjitha fazave është i rëndësishëm. Së katërti, Sot, ndërtimi është fusha më "e pasur" me literaturën përkatëse të standardeve teknike për kontrollin dhe testimin e materialeve, madje e standardeve dhe botimeve më të fundit, një pasuri që është trashëguar prej dhjetra viteve në vendin tonë. Mjafton që secili të sigurojë këtë thesar dhe ta vërë në shërbim, së pari për të ngritur nlvelin e tij profesional dhe së dyti, të sigurojë cilesinë dhe qëndrushmërinë e ndërtimeve. Nga ana tjetër, e rëndësishme është të kryhen nga zbatuesit marrja e mostrave të materialeve, sidomos hekur, beton dhe çimento sipas standardeve dhe të bëjë rregullisht kontrollin e tyre pranë laboratoreve të akredituar. Një kontroll i vazhdueshëm nga specialistë të aftë nga institucionet shtetërore për zbatimin e punimeve, dhe më e rëndësishmja vlerësimi i këtij zinxhiri dokumentacioni para se të jepet leja e shfrytëzimit të objekteve do të sigurojë atë për të cilën të gjithë jemi të interesuar. Kaq duhet të bëjmë, mjafton dhe secili ka bërë detyrën e Tij. Faleminderit!


Comments


bottom of page