"Me shekuj kam shitur gjakun
E jam rritur me gjakun e shitur
-Me shekuj kam hëngër veten
E ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!"
Ali Podrimja (28.8.1942 – 21.7.2012)
Ali Podrimja u lind më 28 gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, në kohë lufte e rrethanash aspak të volitshme dhe pati një fëmijëri mjaft të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare.
Botën e vet poetike poeti e artikulon përmes një sistemi figurativ të konsoliduar (veçanërisht me simbolin dhe metaforën) dhe me një shkallë mjaft të lartë ndjeshmërie. Poezia e tij është epitomë e hermetizmit ku metaforat përbëhen nga disa nivele dhe nën-nivele kuptimore. Manifestimi i kësaj forme poetike u bë i domosdoshëm për poetin, sepse i shërbeu si mburojë kundër sulmeve ndaj ish-pushtetit serb në Kosovë. Pas pavarësisë së Kosovës, poezia e tij rifitoi lirizmin dhe ndjenjën poetike, por pa mundur të dalë krejtësisht nga stili i ngjeshur tradicional shqiptar.
Ndër veprat më të njohura të tij janë : “Thirrje” 1961 , “Dhimbë e bukur” 1967 , “Sampo” 1969 , “Torzo” 1971 , “Folja” 1973 , “Credo” 1976 , “Sampo 2” 1980 , “Drejtpeshimi” 1981 , “Lum Lumi” 1982 ,”Fundi i Gëzuar” 1988 , “Zari” 1990 , “Në bisht të sorrës” 1994 , “Buzëqeshje në kafaz” 1995 , “Ishulli Albania” , “Pikë e zezë në blu” 2005
Hija e Tokës
Ara e misrit është kallur
(nata si kalë hamshor vrapuar ka
jashtë e brenda shtëpisë sime
me mua vrapuar ka
e ara e misrit kallur është)
dhe livadhi rrëzë shtëpisë
dhe vreshta ime e vogël
dhe plepi.
gjithë natën e lume kallur janë
me sytë e mi të përgjakur
Ara e misrit është herrur
Plepi ka rënë
Dhe zogu im i mbramë.
Unë kam kafshuar etjen
Deri sa vdekja pikon
– O, si ta ndjell atë zog të bardhë,
si të bëhem dritë, o vëlla, mbi varrin tënd?
Medet, na i dogj krejt
Fushat e bukës
Dhe livadhet tona
ANKTHI
Toka ime digjet, toka ime e dashur,
balli im i ngrysur,
pishë…
Caqet e tua herët t’i kam përbirë me hijet e mia,
Kosovë, përrallë e lashtë!
Herët m’i ke lidhur këmbë e duart me skamje,
vuajtje e vdekje…
Medet, kë më parë të shpëtoj: veten apo zogjtë
e ngrirë n’ajër? Nipave ç’tu them për këngën time të vdekjes? – Heu, edhe kryet po të ma hiqni, tjetra do t’më kish mbirë!
Toka ime digjet në çdo pëllëmbë të trupit tim – toka e mallkuar…
UNË BIRI YT
Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan,
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,
Unë, biri yt.
EPIKA
Me shekuj kam shitur gjakun
E jam rritur me gjakun e shitur
-Me shekuj kam hëngër veten
E ditur s’kam të qesh me veten e tepruar…
Miq,
Kosova është gjaku im që nuk falet!
Comments