Për rreth një javë, nga data 29 korrik deri më 5 gusht, njësia operative e Komandës së Operacioneve Speciale të Forcës Ajrore të Shteteve të Bashkuara, kreu veprime dhe fluturime stërvitore në hapësirën ajrore shqiptare.
Tre avionë “MC-130J Commando II” dhe ekuipazhet e tyre kryen fluturime stërvitore në mbështetje të operacioneve speciale në Evropë. Avionët dhe trupat amerikanë u dislokuan në pjesën ushtarake të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku u vizituan nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila shoqërohej nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e ShBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, zëvendëskomandanti i Forcës Ajrore kolonel Editson Zarka dhe atasheu ushtarak amerikan kapiten i Rangut të Dytë James Hilton.
Ministrja Xhaçka u njoh me qëllimin e stërvitjes si dhe me misionin dhe detyrat e Krahut të 352-të të Operacioneve Speciale, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. E shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ministrja Xhaçka u ngjit në bordin e një prej avionëve të tipit “MC-130J Commando II” ku u njoh me kapacitetet dhe aftësitë e këtij mjeti fluturues dhe ekuipazhit të tij.
Përdorimi i hapësirës ajrore shqiptare dhe bazave shqiptare nga njësia për mbështetjen e operacioneve speciale amerikane është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e Mbrojtjes. Aktualisht pilotët dhe teknikët shqiptarë janë duke u trajnuar nga kolegët e tyre të Gardës Kombëtare të New Jersey për helikopterët “Black Hawk”.
Krahu i 352-të të Operacioneve Speciale shërben si pikë qendrore për të gjitha aktivitetet e operacioneve speciale të Forcës Ajrore të SHBA në të gjithë Europën. Kjo njësi është e përgatitur të kryejë një shumëllojshmëri misionesh me përparësi të lartë e shikueshmëri të ulët, që mbështesin forcat speciale të SHBA dhe aleatëve në kohë paqeje, në stërvitjet e përbashkëta dhe operacionet luftarake.
Nga ana tjetër, trupat shqiptare të Forcave të Armatosura, pjesë e kontigjentit të pestë në Herat, Afganistan janë dekoruar me medaljen e NATO-s. Medalja ka ardhur si rezultat i shërbimit të shquar “Ressolute Support Mission”.
Comentários