“Lima e butë të ha trutë”, tregojnë nahijes time. Kështu edhe gazetrët, pak e nga pak e ditë për ditë, duke devijuar interesat e lexuesve, shikuesve e dëgjuesve, flasin e shkruajnë ata për politikë më shumë se politikanët profesionistë e ordinerë, për politikë bëjmë potere dhe ne.
I hedh një sy pasqyrës së shtypit në mëngjes, rrallë shikoj lajmet televizioneve në mbrëmje dhe po rrallë dëgjoj opinionet. Kam filluar t’u hedh një sy edhe disa blogjeve, me një synim tjetër, për klikimet e komentet dhe shoh se më të shumtat janë në opinionet politike, shikoj grindjet politike dhe “konfliktet” midis tarafeve të gazetarëve. Nuk thonë kot se, po hëngre fasule, të fryhet barku. Te ne bën emër si opinionist dhe, o burra, të gjithë të shkruajmë opinione dhe, mundësisht, të marrim pjesë në opinionet televizive.
Gazetarët ulur në kanapetë e lëkurta, kondicioneri nga prapa, ekrani i televizionit nga para, në syprynë të tavolinës plot tituj gazetash, mbi gjunjë laptopi dhe poshtë derës njoftimi për honoraret. Këndej dëgjo, andej shiko, matanë lexo e poshtë shkruaj. Bëhën kalamendës për politikën deri sa intervistojnë edhe njëri-tjetrin, po për politikë. Kalemxhinjtë tanë rrokullisen e rrëshqasin si tapa mbi shpinë të detit të politikës(sigurisht s’i fus të gjithë në një thes). Edhe pse lodra bie për tjetër valle...
Jo i gjithë faji është i gazetarëve, as i pronarëve, as i financiuesve, as i politikës, as i... Faji u bë qyrk dhe ia veshim “banorëve”. Ku janë reporterët, që gjezdisin tavolinave për ndonjë kafe apo pë ndonjë shkrim të porositur(domosdo edhe të paguar)? Ku janë reportazhet? Ku janë informacionet e virgjëra? Ku është përditshmëria me diell e hënë, me re e bubullima, me lotë e maska, me këngë e vaje, me nanurisje e lebetisje, me lindje e vrasje, me ngrica e baltovina,...? Eshtë barrë e rëndë gazetaria, si në përgjegjësi edhe në portofol. Por është edhe e kollajshme allashqiptarçe, sepse çdo gjuajtje e bën gol.
Ku janë reporteret, ku ? Ku janë reportazhet, ku ?... Atje janë qytetarët. Të djeshmit, të sotmit e të nesërmit.
Comments