top of page
Search

KUFOMA FJALËSH

Nga ALUSH AVDULI

Si Zanafillë lindja e paqënë... Qanë sikur qesh! Imazh nga jashtësia e kaosit.

Vetëm një vlerë për historinë e saj mbetet: Çfarë është. Atje dhimbjet si paraqitje kanë ulërimën!... Ku? .. Në Provincën pa emër ngritur në nisjet e lashta të pavazhdimësisë. Vend pa hapsirë. Si zbrazëti nuk ka mungesa.

Njëherë Zoti dhe njëherë mos-Zoti e popullon përherë me një abuzim të hatashëm sperme, në shpërblime numerike. Kërshëri të njëri- tjetrit me hapa të kolektivizuara nga e paqëna në një tjetër paralele.

Ngjashmëri të rëndomta, monumente hijesh si në romanet e shkrimtarit Pajtim Çaushi, vegjetuese deri në çmeritë; ‘ ‘Heshtja e unit’’.... të vështirë si pranime. Majmunë sinkronik me prejardhje të lashtë njeriu.

Të njohur tek e panjohura. Ku gjëndet njëshi gjëndet dhe sasia. Në Provincën pa emër tanimë lakuriqësia është traditë,të veshurit moderrnizëm edhe pse provincialët mendojnë ndryshe. Këtu nuk ka vend për dituri. Të gjithë janë të ditur. Edhe kanë qënë... mëtojnë se i kanë dhënë dritën sofiste Botës, por gjithsesi ua kanë vjedhur thesarin e shpikur. Pamundësi e çuditëshme!.. Të jesh Hajdut dhe tejet i vjedhur. Edhe në se... Kultura si shpirtërore është pronësi e së tërës. Shënjtorët, Dijetarët,Filozofët, Këngëtarët, Poetët, Artistët..Shkencëtarët.. janë përmbajtja e përjetësisë. Eduart Erio:‘‘Kultura është ajo që mbetet, kur ndonjë i harron të gjitha’’... Dhe kjo mbetje është thelbi. E imja e jotja janë emrat e huaj të iluzionit. Të vërtetat heshtin.


Gënjeshtrat amatoreske në ofensivë. Ah të ishin para gënjeshtrat, vogëlushe mijëvjeçare e palindur do të mbetej varfëria! Po ç’ofron jeta e zhurmës dhe shtesa... Hierarkia e idiotësisë: barazi sasiore në të gjitha katigoritë e quajtura shoqërore.

Më hollësisht( nga një sondazh) : Nëse në 100 barinj, peshkatar, fermerë, dyqanxhinjë , xhandarë, qoftexhinj ,fshesarë, bejdexhinj, hajvanolog, të pastrehë, kryepleqë ,homoseksualë, kahpe, kriminelë, hipotekarë ... ka 70% idiotizëm, po kaq ka edhe në 100 mësimdhënës, avokatë, gjyqtarë, letrarë apo Mjeshtra të mëdhenj, këngëzues, vipa- monedha delire, të çmëndur, vazo mediatike,aktorë-pa role, politikanë, shefa, akademikë... Këtu i mëson pa njohur ‘ ‘ Ligjet themelore të idiotizmit njërëzor’’ të Karlo Çipolas. Në Provincën pa emër kanë vetëm kohën si të tashme të shkuar dhe gojë në panumërim si luftë civile, kutërbuese me kufoma fjalësh. Nuk i urrej, i kam frikë. Idiotët janë funde që lëvizin në paralizë si fillime dhe analogji. Nuk mund t’i fitosh edhe pse nga ana tjetër e Zeros janë të gjallë të rrjepur. Nga se duhet të çlirohen për të jetuar; dhe ç’është kjo mani për të jetuar?!.. Mizëri dëshirash përgjithësuese i pushtojnë, por fytyra e vërtet e dëshirës të jesh skllav, shpërfaqet me maskën e etjes për liri. Fjalët kufoma shpërthejnë vohën delire në sheshe, rrugë,portale, kafene, stane, katedra,klane, sera, ekrane, Facebook, kudo... tërsi në Kryefoltore. Kur në qëndër të Paemrës(provincës) natësohet, të gjithë përçapen në jermin e dritës si vizionarë kozmogonik dhe njëherësh të qorrollisur.


Ç’patologji politike e gjumit të vetëdijshëm! Progresi i britmave në fjalë, pa zë dhe pa zë... Mëndje batalle të rraskapitura nga shlodhja. Atje(në të Paemrën) nuk ka kriminelë të mirë dhe të këqinj, ka thjeshtë kriminelë. Të tjerët mbase nga pasiguria e sigurisë jetojnë akoma si turmë. Ah sikur të mësonin të heshtnin! Kafshët janë njerëzit që artikulojnë fjalët në përgjithësime. Si tirani mohojnë ndryshimet ndërmjet ty dhe tjetrit. Barazia si bishë shqyen turmat. Kemi liri të duhemi aq sa kemi për tu urryer.

Në Provincë ‘ ‘Që të të pëlqejnë është e nevojshme të jesh tërësisht budalla dhe lapërdhar. Në një shoqëri të tillë ne duhet të heqim dorë, me përpjekje të dhimbshme, nga tre të katërtat e personalitetit tonë, për t’u bërë i ngjashëm me të tjerët...’’(Artur Shopenhauer). Përballë neurozës shpresa. Por ndryshimi i njeriut do të thotë njëherësh zhdukja e frikës dhe shpresës. Ky është njeriu i ç’shënjtëruar. Premtimet brenda kohës torturojnë. Vdekja gjëndet jashtë saj (kohës), jeta paradhënie në mort, bukuria jashtë njeriut.


Ndërkaq Provinca që ngjitet nga krenaria në ultësirë gjason si një mbytje e lumtur dhe kupton si një fabrikë që prodhon paaftësi të amballazhuar me aftësi. Përparim i majtë, përparim i qendrës, përparim i djathtë... patritiotizëm i dhunshëm , të gjithë mobilizojnë gërmat dhe shkruajnë libra si jashtëqitje pasqyrimesh për të Paemrën sikur tkurrin cakëzime për truallin... SH(KRIM)tarët e saj inertë të hatashëm, pa kapërcime, përkundin pengesat në përgjumje. Rrugë të rrafshta nga gjurmët i vërtitin dhe janë midhenistë të droguar... kuitje në aktrim: Duket se vdekja e natyrshme nuk mjafton, metaforikisht duhen shfarosur disa gjoja në emër zhvillimit..., por edhe këta nuk arrinë.. Janë të pambarimtë... Sipas një terroristi të njohur, mund të përbuzësh atë që vret, por gjithmonë më shumë ata që nuk vrasin: të virgjërit. Mos jeta është një farsë për mohimin total? Thua!?.. Urrejtja është Princesha e kësaj bote. Ai që e paralizon Dashurinë quhet Idiotizëm-Përjetsisht betejë e humbur.

Zgjuarsia në Provincën pa emër mbijeton me autoçensurën, goja mbyllet kur guxon të shpreh të pathënat... Akoma jemi produkte mjerane të frikës edhe pse qënia duket absurde. Konsumojmë jetë- dhuratë nga vdekja për llogari të kotësisë. Realja si shëmtyrë deri në neveri. Kështu do të jetë deri tek vijimi i ndërprerë. Në Provincën pa emër sërishmi përfundimet vërshojnë me fillesa të përdorura si ato që ikën ose janë. Qartësitë çngjyrosin fytyrsimet. Ah, Provinca pa emër! Sa e ndershme dhe kaq bordello e mrekulluar! Lavdi idotizmit trimtar! Kufoma fjalësh për duartrokitjen....! Bilanci në apologji: Provincialët pa emër gjithë jetën përgatiten për të jetuar... E në mbarim të përgatitjes barsin Arkivolin!...


Comentarios


bottom of page