top of page
Search

Kujtime dhe mbresa nga mësuesia / nga Zaide Noka


Qyteti im i vogël t’i sjellë njerëzit më pranë në përditshmërinë e jetës .Shpesh kur kaloj ose në takime pune takoj ish nxënëset dhe nxënësit e mi.Ata kanë marrë profesione të ndryshme dhe punojnë kudo.

Me koleget e mia kam një shprehje të përhershme:

”Është nxënësja ime ose është nxënësi im”.

Duke i përdorur shpesh këto fjalë, një kolege po i thonte nxënëses sime ,tashmë drejtuese shkolle:

”Kjo bën sikur ne nuk kemi nxënës. Hëhë,të gjithë janë nxënësit e saj”...

Unë qesh me vete disa herë dhe them është detaj i bukur që më mban të lidhur me nxënësit e mi.Për mua mbeten peshë fjalët e thjeshta dhe përshëndetjet që marr në cdo kohë nga nxënësit e mi.Unë rritem në gojën e tyre si nënë,mësuese e njeri.

Kam dashur të shkruaj gjithmonë për profesionin tim,për nxënësit e mi.Po bëj përpjekje të mbledh emocionet e shpërndara në njëzet e dy vite punë nga mundësia që na dhatë Ju për t’i ngurtësuar më tej mbresat në memorien tonë.


Kam qenë dikur e vogël dhe improvizoja mësuesen model me shoqet e mia të pallatit.Pikërisht kjo dëshirë loje më bëri të qartë zgjedhjen time për jetën; mësuese e Gjuhës shqipe dhe e Letërsisë.

Përherë të parë pas mbarimit të shkollës fillova punë në një fshat të largët të Kukësit.Vija prej një qyteti tjetër dhe gjithcka më dukej e panjohur.Ishin nxënësit e mi që i jepnin kuptim përditshmërisë sime.Ata dinin si të silleshin ,si të mësojnë si ta jepnin botën në duar.

Akoma ruaj me fanatizëm një fletushkë të vogël të zverdhur prej kohës që mban fjalët më të fuqishme të botës për një mësuese.

Ishin dy vajza Arjana dhe Huma që më një shkrim të kujdesshëm dhe të bukur më dhanë për tërë jetën fjalët:

”Ne të duam shumë mësuese.Mallin që kemi për ty nuk e shuajmë kurrë.Edhe pse mbaron viti shkollor ne të kemi në mendje”…Kjo letër më dha muzën ,fisnikërinë e rrugës që do të ndiqja në punën time.

Udhëtonim në autobuzin tonë të punës dhe isha e interesuar të kapja biseda për nxënësit e mi ,orën e mësimit. Më interesonte bota e pastër fëminore e mbushur plot.

Më shtynte mënyra si luanin në pushim të gjatë,lojërat që bënin dhe i përjetoja si ata.Ishin pak nxënës, pasi shkolla ishte e vogël dhe gjithcka merrej drejtpërdrejt . Dita ime kishte në krahët e saj këta fëmijë të vegjël… .Po largohem pas shkrimit të letrës së nxënëseve të mia në një fshat tjetër,Shtiqën të Kukësit si mësuese në shkollën e mesme.

Nga vitet e punës aty kam marrë me vete shumë mbresa,por njërën prej tyre vendosa ta përjetoj me ju.

Ani kishte vështërësi në artikulim dhe shkruante me gabime drejtshkrimore.Me kalimin e disa orëve e shihja të përkushtuar në maksimun në orën e letërsisë.

Kur bëmë dy orë hartim e shikoja të përqëndruar në shkrimin e tij me pak fjalë.Në kontrollin e shpejtë të shkrimit lexova disa fjali magjepëse që shprehnin bukur konceptin e dhënë si temë.Mbeta pa mend nga shkrimi i tij.Në korigjim i tolerova për disa gabime drejtshkrimore duke ia treguar si duhen dhe i vura notën 10-të.Krijimin e tij e lexova para klasës dhe të gjithë e duartrokitën .Në një bisedë të lirë më tregoi se si ndjehet në orën e letersisë dhe si e kishte vlerësuar mësuesi paraardhës me notë negative duke I humbur një vit shkollor.Një ditë më dhuroi një foto që më kishte bërë në oborr të shkollës me shikimin lart nga një ballkon i vogël i ndërtesës, me shkrimin pas:”Njeriu që flet me perëndinë”…

Kjo foto për mua mbetet dhurata më e bukur që u reziston të gjitha kohërave.Nga Shtiqni kam marrë me vete dashurinë e shumë nxënësve që mbetet vlerë për mua.Shumë prej tyre kanë pozicione të rëndësishmë në punë dhe ndjehem krenare për to.Prandaj prap përsëris shprehjen:”Është nxënësja ime ose nxënësi im”…Kam lënë dicka timen te këta fëmijë që rriten….Me vete në vite marr pasurinë më të madhe, dashurinë fëminore.

Pas gjashtë viteve punë në fshatra caktohem si zv/drejtore në një shkollë 8- vjecare të qytetit të Kukësit.Vazhdoj të jap mësim Gjuhën shqipe dhe Leximin letrar.Shkolla ime u krijua me nxënës të katër shkollave të qytetit.Kontigjenti i nxënësve të larguar nga shkollat e tjera kishte mangësi në përvetësimin e njohurive.Identifikova 20 nxënës me probleme të theksuara në shkrim e lexim,gjysma prej tyre analfabetë.Kishin shumë komplekse për atë gjendje ku ndosheshin.Në disa momente gati sa nuk u rrëzoja nga vështërësitë e lindura.Me komunikim të ngrohtë duke ua ruajtur anonimatin arrita t’i bindja sa e rëndësishme është të mësosh gjuhën tënde .

Mira në klasë të gjashtë erdhi nga një shkollë fshati.Në orët mësimore të gjithë nxënësit zienin në përgjigjet e tyre të shpejta dhe interesante.Mira të shikonte në sy,por asnjëherë nuk dëshironte t’i përgjigjej qoftë edhe një pyetjeje të vetme. Shmangej nga diskutimet dhe debatet në klasë. I thoja të lexonte pjesën letrare,por ajo vec më shikonte në sy dhe nuk fliste. Vazhdoi kjo situatë për dy- tre orë mësimi.E ndava nga pjesa tjetër e klasës ,bisedova me të për vështërsitë e saj në marrjen e njohurive.Ajo nuk dinte të lexonte.Punoja me të në mënyrë të vecantë.I jepja detyra për të njohur e bashkuar shkronjat e rrokjet.Nxënësit e tjerë e kuptonin situatën dhe e mbështetnin në vështërësinë e saj.Mira nuk e duronte gjendjen e saj në mes të tjerëve.Filloi të lexonte vjersha,pjesë letrare.Cdo ditë u kërkoja bashkëmoshatarëve të saj duartrokitje në përballjen e saj me vështërsitë e mbledhura në vite.

Ishte fitore për mua dhe nxënësen që e zhdukëm gjendjen e strukur të padijes me shumë shpejtësi .Nuk ishte faji i saj ,por i atyre që e kishin mësuar. Sytë e mi shikonin Mirën për ta mbështetur në rrugën e saj të leximit dhe shkrimit shqip.Një e drejtë e mohur keq për fëmijët tanë nga papërgjegjshmëria jonë. Eliminuam gjendjen më të rëndë për t’u nisur drej dijeve të domosdoshme

Në vitin 2004 në orën e mësimit krejt papritur erdhën ca vizitorë të universitetit të mësuesisë me studentët e tyre nga Zvicrra për të shkëmbyer përvojë..Kisha një orë me një temë të rilindasit Sami Frashëri.Unë u përpoqa t’i vija në shërbim të gjitha aftësitë e mia që ora të dilte sa më bukur.Në fund morëm vlerësime për orën,shkëmbyem dhurata të thjeshta.Pas disa vjetësh shikoj në Google: LAPSH,Zvicër,kumtese për mësimdhënien time! Hap materialin dhe shikoj foton me nxënësit e mi gjatë orës mësimore.Asnjehërë nuk e kisha ndjerë veten më të përkëdhelur profesionalisht sa në atë moment.Një kumtesë me rastin e 7- Marsit e bërë nga Pedagogu i mësuesise së një universiteti në Zvicër me origjinë kosovare, Z.Mahir Mustafa që analizonte dhe vlerësonte mësimdhënien time …



Vazhdonin orët e mësimit në vite dhe fillova të krijoj vargje për ndjesitë e mia në arsim.Si mund të rrëshqiste një detaj i bukur i fëmijëve pa u vënë re nga unë?Merrja një shqiptim të gabuar të një shkronje tek një fëmijë,një lojë aq të dësshiruar për to ,një veprim mbresëlënës sic është plot bota fëminore dhe shkruaja .Shumë herë spektatori më i mirë në botë,fëmijët duartrokisnin poezinë time.Dëshira ime për të krijuar rritej me ëndrrat e tyre.

Nuk ka gjë më të bukur kur dëgjon vargjet e kënduara nga fëmijë të vegjël në festival të këngës për fëmijë.Kjo ndjesi më pasuron tej mase shpirtërisht.Në dhjetor të vitit 2005 u emërove drejtore e shkollës .Momentet e shkëputjes me klasën kujdestari ishin të vështira.Për t’i patur më afër u caktova një klasë afër zyrës sime.I vizitoja shpesh duke ua theksuar se jam pranë jush.Kisha deshirë ta mbaja lidhjen e fortë me to.Kujtimet e bukura nuk kanë rradhë.Vërshojnë përnjëherësh dhe shtyjnë njëra-tjetrën në fletën time të bardhë…

E paharruar mbetet dita kur në shkollën tonë”Lidhja e Prizrenit”Kukës në qershor të vitit 2006 erdhën shkrimtarët më të mirë kosovarë,”Karvani i letërsisë për fëmijë” me Z.Agim Deva dhe shumë të tjerë. Të gjithë para nxënësve interpretuam vargje kushtuar fëmijëve.Njëkohësisht nxënësit tanë dhanë një koncert me këngë të kompozuara nga mësuesja e shkollës që jepte muzikë dhe vargjet prej meje.Ishin shumë këngë që alternoheshin me interpretimet e shkrimtarëve dhe aktorit kosovar Nimon Mucaj duke u shkrirë në gëzimin fëminor.Mbetën momentet më të bukura të veprimtarive që kemi realizuar ndonjëherë,pasi ato dinin të preknin botën e fëmijës me shumë kujdes dhe kurrë nuk i kisha parë nxënësit e shkollës kaq të lumtur dhe të lirë, sa mes njerëzve që shkruanin vec për to... Tashmë jeta ime si drejtuese e ka bukurinë kur vizitoj klasat e CU-t ,sidomos klasat e I-ra dhe të II-ta. Në disa momenet më hidhen në qafë pa e patur mendjen dhe gati sa nuk më rrëzojnë.Cdo mëngjes marr buzëqeshjen dhe dashurinë e tyre për ta dashur profesionin tim mes fëmijëve.

Mbetem e lidhur me nxënësit e mi sa të kem jetë dhe shkruaj vazhdimisht për to.

Nxënësit e mi


Klasë e vogël

Botë e madhe…


Cdo nxënës

një pjesë e botës…


Botë e pambarimtë

Tek nxënësit e mi…


Sytë e mi mbi sytë e tyre

Përpiqem ëndrrat t’ua mbledh…


Aty më duket qielli e toka

Aty shtrihet gjëre e gjatë bota…

mars 2010 zn

Comments


bottom of page