Kur dashuria e nënës bëhet mbytëse...
(ka raste kur nënat sjellin dëshpërim tek fëmijët e krijohen gjendje ankthi, pasigurie familjare e deri në shkatërrim të familjes prej mungesës së reflektimit)
Dashuria e një nënë, ndonjëherë (sidomos në rastin kur fëmija është djalë) bëhet mbytëse, pranguese, barrë e rëndë për t`u quajtur marrëdhënie e paqtë dhe e bukur. Duket sikur fëmijës i mungon ajri e ndonjëherë ndodh të bëhet dhe afiksuese. I heq fëmijës hapësirat vitale, i pret krahët për të kërkuar dashuri të reja me frikën se ato do të jenë më të mëdha sesa dashuria që fëmija ka për nënën. Pengon rritjen e shëndetshme të fëmijës duke e futur atë në një lloj kurthi të padukshëm për t`i kujtuar gjithnjë se ai është i vogli i saj prej të cilit varet ekzistenca e saj e se nëna pa të nuk mund të jetojë. Imagjinoni si ndjehet një fëmijë, sado i rritur të jetë, përballë një prononcimi të tillë nga nëna.
Disa nëna, duke u nisur nga personaliteti i tyre, reflektojnë në marrëdhënie më fëmijët e tyre, sidomos tek djemtë, palumturinë që nënat e tyre më parë iu kanë shkaktuar atyre vetë kur kanë qenë fëmijë, ose në mënyrë të pavullnetshme, prej mosdijes e mos studimit të fenomeneve të tilla, reflektojnë tek djemtë e tyre të njëjtin shembull nëne si nënat e tyre dikur. Kjo u ndodh zakonisht grave që i kanë rritur djemtë e tyre krejt të vetme, pa praninë e një partneri pranë. Për të gjitha këto arsye, shto këtu edhe vështirësitë e tjera të jetës që një grua e ndodhur në kushtet e lartpërmendura është gjendur në jetë, këto nëna bëhen asfiksuese, super vigjilente, kontrolluese, zevëndësuese të të gjitha nevojave të fëmijës së tyre.
Praktikisht, këto efekte të padukshme në jetën e një gruaje si fëmijë i dikurshëm, sjellin një spostim shumë të rrezikshëm të nevojave dhe ekzigjencave të tyre më të fshehta nga jeta e tyre në atë të fëmijëve të tyre.
Duke u përpjekur të kontrollojnë gjithçka, mendojnë se janë të gjendje të dinë me siguri se çfarë është më e mirë për fëmijën e tyre, sjellje këto të cilat bëhen më të forta e më të dukshme kur fëmija fillon e rritet e pretendon të drejtën për të qenë disi autonom e për të vendosur vetë mbi zgjedhjet e tij. Tmerrin më të madh në këto raste djemtë e përjetojnë kur janë të dashuruar e dëshirojnë t`i prezantojnë nënës vajzën e zemrës. Kanë ndodhur raste kur momente të tilla janë shoqëruar me parehati shumë të mëdha për djemtë sepse për nëna të tilla, asnjë vajzë nuk është mjaftueshëm e mirë dhe e duhura për djalin e tyre. Në rastet kur kryhen martesa të tilla, përfundojnë gati gjithnjë në divorc. Zakonisht nënat që janë shkaktaret kryesore të këtyre divorceve, fajësojnë vajzën për gjithçka që ka ndodhur e u bëhen urë djemve për të mos marrë përgjegjesitë e duhura.
Djemtë që rriten nga nëna të tilla, që në thelb kanë qenë gra të palumtura, të abuzuara, të trajtuara keq, që nuk e kanë ndjerë veten të rrethuara me dashuri në familje por të përdorura, etj., gjatë rritjes përjetojnë një lloj boshllëku të pakapërcyeshëm. Kur nëna ka bërë vetëm nënën e asgjë më shumë se kaq, ajo nuk i mbijeton dot shkëputjes së lidhjes me djalin që vjen prej ndryshimit të moshës së tij e statusit të tij të ri. Një nënë e tillë nuk di të transformojë lidhjen e dikurshme me të voglin e saj në një lidhje të rriturish, miqësie me dashuri. Një nënë e tillë do të ndjehet gjithë kohën e vetmuar duke akuzuar djalin e saj e shumë më shpesh gruan e djalit si fajtorë për shkatërrimin e lidhjes afektive që ajo kishte më parë me të birin.
Ajo do ta “dënojë” veten duke u bërë egoiste, narciziste e manipulatore, qoftë edhe duke u përpjekur për të shkatërruar marrëdhënien ndërmjet djalit të saj dhe gruas së tij e nëse nuk e arrin dot këtë do të përpiqet të ndërhyjë me keqedashësi në marrëdhënien ndërmjet fëmijëve të djalit dhe nënës së tyre. Këtë do ta përjetojë si triumf të merituar për të voglin e saj të dikurshëm prej të cilit ajo nuk e pranon dot ndarjen graduale.
Në pamje të parë, kjo duket sjellje prej një njeriu të keq, plotësisht negativ që dëshiron të prishë lumturinë e djalit të saj e të familjes së tij prej xhelozisë, por nuk është e gjitha kështu. Këto lloj marrëdhëniesh apo ndryshimesh të marrëdhënieve nuk lindin sepse nëna të tilla janë njerëz të këqinj, përkundrazi. Dikur kanë qenë nëna të shkëlqyera për të vegjëlit e tyre, ato që kanë sakrifikuar më shumë e kanë bërë fatkeqësisht vetëm nënën për fëmijën e asgjë më shumë. Pikërisht këtu qëndron problemi madhor.
Një nënë nuk bëhet agresive prej dashakeqësisë o prej kënaqësisë për të qenë e tillë por shpesh prej jetës që kanë jetuar në fëmijërinë e tyre e që nuk është përpunuar aspak me kohën por është riprodhuar në faza akute plotësisht e rrezikshmërisht e pandryshuar. Ato përsërisin modelet e prindërve të tyre. Bëhet fjalë për nëna që dikur janë rritur vetë prej nënash të ashpra, kontrolluese, që nuk kanë qenë të afta të japin dashuri por komanda e detyra, që janë mjaftuar duke i dhënë fëmijës displinë e ushqim e përtej kësaj asgjë më shumë. Gra që dikur edhe ato vetë kanë pësuar të njëjtin trajtim nga nënat e tyre e kur janë bërë vetë nëna nuk kanë qenë të afta të nxjerrin përfundime të duhura prej padrejtësive të pësuara apo mënyrës së paduhur me të cilën i kanë rritur.
Këto lloj nënash nuk kanë mundur të dalin nga kurthi i lëndimit prej plagëve të shkaktuara nga nënat e tyre më parë dhe në mënyrë amatoriale e krejt të gabuar janë përpjekur të krijojnë një lidhje kompensimi me fëmijët e tyre më vonë.
Jo më kot thuhet se: profesioni më i vështirë është prindërimi e shpesh pikërisht nënat që nuk kanë bërë asgjë më shumë sesa thjesht nënën në jetë, i sheh të mburren e të japin këshilla të prera, gati urdhërore për mënyrën sesi duhet të prindërojnë të tjerët, duke e quajtur veten nëna shumë të suksesshme. Unë kam njohur gra të tilla, nëna që në sytë e tjerëve janë dukur plotësisht qesharake e këtë e kanë marrë si shenjë zilie prej të tjerëve. Pastaj ekziston edhe një problem tjetër, nënat e tilla ose më mirë gra të tilla mendojnë se janë shumë të mençura e se vetëm ato kanë ditur të rrisin djem të shkëlqyer që mbi të gjitha duan nënat e tyre e janë në gjendje të prishin dhe familjet e tyre nëse nëna është e pakënaqur me ta.
Një nga mekanizmat më të fuqishëm të psikës është shtrëngimi i përsëritjes, një lloj kurthi që sjell përsëritje të kopjeve të marrëdhëneve të vjetra, edhe të atyre më jo funksionaleve. Historia përsëritet por kësaj here rolet ndryshojnë: viktima bëhet “agresori” dhe djali që nuk është rritur në mënyrën e duhur, duke marrë gjithçka të duhur brenda familjes, do të jetë vetë një prind jo i devotshëm, ndonjëherë dhe i padurueshëm.
Herë të tjera, sjellja e nënave manipuluese i atribuohet karakterit e personalitetit të vetë këtyre nënave që është i pamodifikueshëm. Ato janë gra të forta, shpesh shumë kokëforta, që kanë mbivlerësim për veten e që mendojnë se dinë gjithçka, sidomos mbi djemtë e tyre. Janë gra që dëshirojnë të komandojnë, të kontrollojnë, të pyeten për gjithçka e të kenë vendin e parë në jetën e djalit të tyre përjetësisht. Nëna të tilla kanë arritur të shkatërrojnë edhe familjet më të shëndosha që kanë qenë fryt i dashurisë së pastër e jo interesit. Nëna të tilla manipulojnë djemtë e tyre dhe i kujtojnë pothuajse çdo ditë se ato kanë sakrifikuar jetën e tyre për t`i rritur ata, duke i peshuar kështu fëmijës në diçka krejt të padrejtë.
Një nënë e divorcuar apo e mbetur vejushë në moshë të re sidomos, apo një nënë e palumtur me bashkëshortin e saj, spostojnë tek djemtë nevojat e tyre të mohuara, sublimojnë, kompensojnë. E ndërtojnë marrëdhënien me djalin e tyre sikur ai të jetë zëvendësi i një partneri të mundshëm (nuk ka vend për keqkuptim në këtë rast), e bëjnë atë të ndjehet i pari i shtëpisë e shtylla kryesore e saj. Djali duke menduar se po burrërohet e se ky është roli që i përket nuk do të mundet kurrë më vonë, kur të jetë vetë bashkëshort apo baba të kuptojë sesi duhet ushqyer familja me dashuri të shëndetshme e sesi të gjithë pjestarët e tjerë brenda saj kanë vendin e tyre të merituar, pa komanda e pa qenë të detyruar t`u binden urdhrave të marra. Një familje nuk funksionon si një kazermë ushtrie!
Të duash një njeri e ta lesh atë të lirë shpesh janë e njëjta gjë.
Ndaj nënat kanë detyrën më të vështirë në rritjen e brezave sepse ndodh që të jenë ato shkaku i problemeve të shtuara, i mosedukimit apo mos dhënies së mjaftueshme të dashurisë e përgjegjësive që sjellin liritë e zgjedhjes, tek brezat që lindin.
p.s. Shpesh duke kërkuar të sjellësh diellin në tavolinë ndodh që të verbosh fëmijët e tu!
Teksti i mësipërm është marrë nga fjala e mbajtur në një konferencë mbi marrëdhëniet familjare në Milano, të psikologes, specialistes së seksologjisë klinike, autore e librit “Un clandestino a bordo”, Valeria Randone
Përktheu
Ervina Toptani
Comments