top of page
Search

Kur do bëhemi si Perëndimi?

Nga Tanush Çaushi

“Ate mbremje gjyshi, ndonese i moshuar, m’u afrua me shpejtesi te nervozuar që me ngjau me shpejtesine e dallgeve. Kishte hipur mbi mushken e tij gjysmë te ngarkuar dhe po i ngjitej Pllakotisë së Markatit*

– Si thua, a do behet edhe Shqiperia vertete si Europa ndonjehere?

– Nuk besoj, ma ktheu prere dhe menjehere, a nuk i vëren ti keta mijera qe ia mbathin?”


Jeta i ngjan amfiteatrit antik. Në fillim njeriu i ngjit shkallët duke shpresuar që ta shoh sa më bukur shfaqjen – jetë. Kur ulet në ndenjëset e para e deri diku afër mesit ëndërron si romantikët, ndërsa kur u afrohet rrathëve të kreut dhe sheh se është larg të ëndërruarës, kupton njëllojshmērinë me Sizifin e mitit me shkëmbin e absurdit mbi shpinë në ngjitje zbritjet brinjëve të malit absurd të shpresës.

 

Fëmijëria

Disi të habitur, po dhe të mrekulluar, në fëmijët tetë – nëntë vjeçarë shihnim sheshet e qyteteve të mbushur me tubime njerëzish që thirrnin: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”

Në fantazinë tonë shfaqeshin bukuritë e përrallave të Njëmijë e një netëve!

Në sytë tanë llamburisnin xixëllonja që na shkelnin syrin!

Në ëndrrat fëmijërore vallzonin yje e diej të shumëngjyrtë!

Sa ëndërronim, sa fluturonim!

 

Rinia

Atë mbrëmje gjyshi, ndonëse i moshuar, m’u afrua me shpejtësi të nervozuar që më ngjau me shpejtësinë e dallgëve. Kishte hipur mbi mushkën e tij gjysmë të ngarkuar dhe po i ngjitej Pllakotisë së Markatit*. Më foli gati me britmë:

– Nip, u trazuan shumë gjërat!… Kur ju të rriteni do bëheni deputetë e ministra dhe nuk do na e fyshkëlleni më. Do ta harroni gjyshin tuaj. Mallkuar qofshin këta politikanët kokosharë!

Ai, pasi shqiptoi fjalët i ra kafshës dhe vazhdoi të përpjetës. Buzëqesha, isha ende gjimnazist.

 

Trishtim

Vendi pati hyrë në një epokë të re dhe rinia ëndërronte të ecte me shpejtësi në udhët e emancipimit të përgjithshëm. Megjithatë shpesh na coptohej zemra e na brente dyshimi kur dëgjonim për vaporët e gomonet me refugjatë që largoheshin detit apo shihnim vargun e pafund të shqiptarëve që ikte natën dhiareve të malit.

Një verë diku nga fillimi i mijëvjeçarit i fola gjyshit që ishte ende në jetë:

– Gjysh, a mund të të pyes për diçka?

Më vështroi i heshtur me vetullat e trasha mbledhur hark.

– Si thua, a do bëhet edhe Shqipëria vërtetë si Europa ndonjëherë?

– Nuk besoj, ma ktheu prerë dhe menjëherë, a nuk i vëren ti këta mijëra që ia mbathin? Kot ikin nga dheu i tyre, thua?…Politikanët tanë ua kanë bërë jetën të vështirë. Ata po e boshatisin Shqipërinë nga njerëzit e saj. Ata po na shkatërrojnë vendin tonë të bukur.

Aty m’u shfaqën mijëra e mijëra të rinj që po largoheshin me gëzim nga vendi i tyre si nga një mallkim. Paradoks tragjik! Largohesh me gëzim nga dheu yt!

I turreshin Perëndimit si Parajsës pasi nuk shihnin rreze shprese në vend të tyre. Gjermania zinte vendin e parë si më e preferuara.

Si në filmat komikè ekraneve shfaqeshin politikanë gjakftohtë që bënin llogaritë jo për numrin e popullsisë të larguar, por për milionat e vjedhura e të fituara. Në sy u dallohej një gëzim gjarpri.

E keqja e harakirit të vetvetes nisi në korrik të ’90 kur qytetarët për t’i shpëtuar mjerimit e dhunës së Diktaturës iu sulën ambasadave të huaja.

Por kokët e kuçedrës së gllabërimit të kombit tonë të lashtë u shtuan përgjate këtyre tridhjetë viteve të turpit demokratik. Kokët e kuçedrës edhe sot dalin, rriten e shtohen.

 

Mbase i ndikuar nga përrallat apo romanet e realizmit magjik dhe i nxitur nga përditshmëria, një mbrëmje fantazova…

Sikur të mund të dilte dikush si vigan nga shtati e si hyjni nga mendja dhe të ndalte mijërat që vazhdojnë ta braktisin nga e keqja Atdheun dhe t’u thoshte:

– Vëllezër, ç’bëni, kujt ia lini vendin tuaj të rrallë për nga bukuria e pasuria? Ua dhuroni hajdutëve, ua falni hienave, ua jepni drogmenëve?…Ndalni, kthehuni në vatren tuaj dhe shporrni nga trualli varrmihësit e Shqipërisë së Zotit! Ju qëndroni, ata i largoni!

Ah sikur, por tashmë Atdheu im e ka marrë tatëpjetën e rrezikshme!

 

Bashkëkohësi

Në një fshat të Shqipërisë së jugut rritet bima e koçimares prej nga nxirret një raki e fortë që i lë pasoja në zhvillimin mendor jo vetëm pijetarit, por edhe pasardhësve që lindnin.

Politikanët tanë, po mendoja një ditë, ndoshta kanë ‘’pirë’’ nga kjo raki. Dhe kështu paska ndodhur besoj gjersa po i bëjnë gjëmën vendit që i lindi e i rriti.

Pasi u dehën mirë e mirë këtyre zotërinjve iu duk Shqipëria si konaku i tyre. Dorën e lëshuan e vodhën dhe po vjedhin cfarë t’u dalë përpara. Zyrat e shtetit u dukën si mullarët me bar të thatë, ku rezervohej tagjia për në dimër. Me kosën e tyre në vend të barit, korrin çdo gjelbërim jete. Gjithë vendin e shkelën si vandalë dhe e poshtëruan si zaptues! Edhe atë pak zhvillim që patëm nga djersa jonë po na e varrosin me pakot e drogës dhe me sherret për kapje klanesh.

Vendi ecën një hap para dhe dy hapa mbrapa.

 

Ata dhe këta


Le të identifikojmë përemrat.

Ata janë pushtuesit e hershëm: njëmijë vjetë romako bizantinët dhe pesëqind vjet osmanët e vogëlanet e Ballkanit. Na dëmtuan e na sakatuan si vend e si komb, por s’e shpopulluan e nuk e zhdukën dot vendin nga banorët autoktonë.

Përemri dëftor Këta shënjon politikanët tanë të sotëm. Me dashje apo pa dashje nuk e di, por di që po bëjnë atë që s’mundën të realizonin të huajt pushtues. Shqipëria po zbrazet me shpestësi të kobshme nga shqiptarët.

Arsyeja?… Papunësia, pashpresa, varfëria, korrupsioni e plot të këqija të tjera.

Shkaktarët?… Domosdo, ata që drejtojnë vendin: karrocieri, trenisti, shoferi, kalorsi.

Sjellja e tyre?…

Papërgjegjshmëri dhe hipokrizi për vendin dhe integrimin europian. Politikanë pa marreveshje nuk ekzistojnë në rruzullin tokësor, vetëm këta tanët po.

Papërgjegjshmëri për lotët e nënave të braktisura nga pjellat e tyre.

Papërgjegjshmëri për ato që thonë e bëjnë. Frymën negative me akuza, sharje. ofendime, vulgaritete e shpërndajnë në popull si pluhur droge.

Papërgjegjshmëri për ekonominë, pagat, pensionet, shkollat, spitalet, për gjithçka.

Ndërkohë që BE-ja u jep detyra vit pas viti, politikanët tanë kujtohen njëherë në katēr vite.

Kjo maskaradë ka nisur me kohë dhe vazhdon në mënyrë të çuditshme pa u hyrë asnjë gjemb në këmbë.

 

Dy pyetjet e fundit

E para:

– Çfarë kujtoni se jeni ju more zotërinj drejtues, mos ju duket vetja Zot?

E dyta:

– Si është më mirë: të largohen nga vendi të rejat e të rinjtë, apo hienat e gjarpërinjtë?…

Përgjigjen le ta japin votuesit tek kutia e votimit.

Ndërkohë gjyshi tashmë ishte zhdukur si në eter, duke mi marrë edhe ato pak shpresa që kisha…


Comments


bottom of page