Nga Bukra Hysenukaj Kastrati
Se sa e thellë është ndarja krahinore në Shqipëri, të paktën për mendjengushtët, që për fat te keq nuk janë pak, e provova edhe mbrëmë në një episod të çuditshëm.
Për të pestën natë mbylla punën rreth orës 23 për shkak të prostestave. Rrugës drejt shtëpisë dëgjoj muzikën time të pëzgjedhur e përmbledhur në një usb. Trafik aspak. Po e shijoja rrugën.
Një patrullë policie më ndaloi për shkak se kisha shkelur fashën e orarit. Ula xhamin, u përshëndetëm, i tregova dokumentin e punës. Nuk e pa me vërejtje. Muzika dëgjohej edhe pse e kisha ulur pak zërin. Ishe Dava Gjergji me këngën e Is Boletinit në Londër. Prej kur ka mbaruar kontrata e mirëmbajtjes së kamerave trupore, policët janë më të lirshëm në komunikim.
"Nga je" më tha njëri nga dy efektivët. Tjetri nuk u afrua. Mendova se i bëri përshtypje kënga tipike e Veriut, ndaj iu përgjigja: "Nga Saranda", ekstremi gjeografik i vendlindjes s'ime. Më buzëqeshi si me ironi.
Ç'ka ? -e pyeta pyeta? Një sarandiote që dëgjon këngë malesh.... tha ai i habitur.
Ndërkohë kënga mbaroi dhe unë e fika kasetofonin. "Më pëlqejnë këngët e veriut dhe jo vetëm këngët", i thash unë duke folur në letrare të pastër që t'a bind për vendlindjen e re.
"Qefe-qefe kjo dynja" - tha polici me mbiemër Çela dhe më uroi "natën e mirë shefe".
Ngrita xhamin e makinës. Kënga e radhës ishte "Xinxëfilja" vlonjate e Aurela Gaçes.
Thash me vete, nëse do isha duke dëgjuar një këngë jo veriore, apo qoftë dhe të huaj, nuk do i nxiste atij as kureshtje se nga jam, e as habi se si një sarandiote të ketë preferenca të tilla. Pas "Xinxëfiles" radhën e pat Nexhmie Pagarusha "E dehun jam"...
Comments