top of page
Search

Kur politika vret ekonominë nga Dr.Klodian Muço

Shkaku primar pse Afrikanët janë të varfër ka të bëjë me zgjedhjen e drejtuesve të tyre politikë sipas G. Mills. Afrika ka përfituar ndër vite nga hapja preferenciale dhe aksesi në tregjet ndërkombëtare por vazhdon të jetë shumë e varfër pasi ekonomia varet kryesisht nga eksporti i lëndëve të para të pa përpunuara. Shumë vende afrikane ashtu si edhe Shqipërisë, nuk u mungojnë burimet natyrore përkundrazi nëntoka e tyre është e pasur me metale të çmuar por jo vetëm. Vendet në fjalë janë të varfëra pasi burimet natyrore menaxhohen keq, ato përdoren kryesisht për të pasuruar një elitë politike të caktuar, të cilët me anë të praktikave korruptuese devijojnë zhvillimin ekonomik.

Drejtuesit e korruptuar kanë tendencën të korruptojnë bashkëpunëtorët e tyre ose të mbajnë afër njerëz të korruptar. Drejtuesit në fjalë kanë nevojë për besnikëri ndaj tyre jo për aftësi; kanë nevojë për kontribute elektorale jo për kapacitete intelektuale; kanë nevojë për njerëz të bindur dhe jo për njerëz me vizion. Në Shqipëri ashtu si dhe në Afrikë, problemi primar dhe konstant i ekonomisë së vendit është kryesisht klasa e saj politike që edhe pse drejton një vend kapitalist vepron njëlloj sikur të jetë një shtet monopartiak dhe diktatorial.

Ne konsiderohemi një vend kapitalist, kapitalizmi në historinë humane është një sistem ekonomik i orientuar nga e ardhmja. Një investues, vë bast mbi rendimentet që do arkëtojë në të ardhmen. Një bankier, për të financur proçeset prodhuese ofron kredi kundrejt një premtimi për pagesat e kësteve të kredisë. Një sipërmarrës inovator ndërmer iniciativa që ndoshta edhe nuk ekzistojnë, pa e pasur mundësinë të bëjë përllogaritje empirike mbi prespektivat ekonomike të investimit. Konsumatori në bazë të disponueshmërisë monetare dhe produkteve në treg, vlerëson raportin më të mirë cilësi-çmim. Praktikisht çdo aktor ekonomik në epokën kapitaliste, e sheh të ardhmen si një ispirim nga risia dhe surprizat që ofron e ardhmja. Ndërsa në periudhat e kaluara historike e ardhmja ishte një vazhdim i të kaluarës osë një konseguencë e së kaluarës. Pra ndiqte një traditë të konsoliduar apo ish një skenar mëse i parashikueshëm.

Në kapitalizëm, aktorët social në politikë kanë një sjellje egoiste, kërkojnë me çdo kusht të konsolidojnë apo zgjerojnë “kuotën” e tyre tregut politik. Ndërsa elektorati shpesh zgjedh në bazë të interesave personale pa marrë në konsideratë nevojat kolektive. Nëse dikush ka interesa nga një parti ai do kërkoj me çdo kusht të votohet për atë parti e do tentojë “të bindi” të tjerët që të bëjnë të njëjtën zgjedhje.

Në një kontekst të tillë edhe partitë kompromentohen nga elektorati. Programi apo zgjedhjet e tyre influencohet nga elektorati i tyre dhe jo më nga interesi kolektiv. Po vallë çfarë sjell e gjitha kjo për ekonominë? Mungesa e hartimit të ofertës politike për të gjithë dhe mospërfshirja e gjithë qytetarëve në të, sjell një pasiguri ekonomike për të ardhmen.

Çdo ndërmarrje ekonomike apo individ do të kërkojë të shtyjë në kohë zgjedhjet e investimeve. Nëse të gjithë do të veprojnë në këtë mënyrë rritja ekonomike largohet. Sipas një studimi empirik të kryer nga Baker, Bloom e Davis mbi pasigurinë politike dhe konseguencat ekonomike, del në pah se rritja e pasigurisë politike sjell reduktim të prodhimin industrial dhe reduktim të punësimit.

Çfarë mund të thotë e gjitha kjo sot për ne? Pasiguria politike te ne sot, po largon investitorët e huaj. E bën më të vështirë integrimin e Shqipërisë në BE. Humbet shpresa për të nesërmen dhe stimulohet emigracioni. Bie rritja ekonomike dhe rritet papunësia. Rritet mosha mesatare nga ikja e të rinjve dhe sistemi i sigurimeve shoqërore shkon drejt kolapsit.

Rritja ekonomike që konsiderohet si një ekuacion kompleks bëhet gjithmonë e më i vështirë për “tu zgjidhur”. Prandaj politik-bërësit tanë fillimisht duhet të mendojnë për të ardhmen e vendit pasi zgjidhen dhe paguhen pikërisht për këtë gjë. Qeverria nuk është një pronë personale ku mund të veprosh sipas dëshirës.

Comentarios


bottom of page