top of page
Search

Kur ta pshurrin profesionin! / Opinion nga Erisa Sipri


Nuk do të kisha guxuar kurrë të shkruaja në kohë të tillë, ku të gjithë janë me dhimbje koke, me nerva të shkatërruara, lajthitje në sjellje etj. Kuptohet duke shprehur në mënyrë të pakontestueshme mbështetjen dhe mirëkuptimin tim në këtë pjesë, sepse natyrisht pjesë e juaja jam dhe unë si njeri, por edhe si profesioniste.


Që prej mesit të kësaj zezome që nisi dhe na ngërtheu në shtëpi, u ndoll një lloj kaosi n’total me botën e mësuesit, sepse në fakt përjashtuar shtresës më fisnike dhe më të vuajtur, pra, atyre të punëtorëve të thjeshtë, ne jemi hallka e dytë që e vuajmë këtë pjesë.

Fillimisht turbullimi se ç’do të bëhet më mësimin, se si do të shpjegojmë, se si ta përdorim atë dreq kompjuteri në programe të caktuara, si të përdorim Zoomin, Flipgrid, Google Classroom etj. Shkaktoi jo pak stres te mësuesit.

Sidomos halli më i dukshëm i atyre që janë në prag të pensionit dhe jo vetëm, por edhe të disa të tjerëve që i qëndrojnë besnik rolit tradicional të mësuesit me letër përpara dhe fundja nuk duhen gjykuar sepse gjithkush e di vetë se me ç’pjesë ndien siguri.

Të ngecur edhe ata mësues të shkretë që dalin në Tv dhe që një ditë të bukur me diell të shndritshëm u njoftuan se duhet të bisedojnë me kamerën, të pamësuar, të pastërvitur të ndierë në presion se tashmë do t’i shohin nxënësit përmes një ekrani, do t’i shkohin prindërit që kanë radhitur doktoraturat stif dhe do të bëjnë rolin e orakullit, dhe më e frikshmja gazetarë që duan të sigurojnë ditën e punës, patjetër nuk u vihet faj për aq kohë sa kanë një drejtues që ua shkul veshin po nuk e kapën atë mësuesin në Tv gabim, dhe kështu me shpresën se mësuesi do të shkruajë fjalën “ standard” me “t” siguruam një superlajm; “Mësuesit nuk dinë shqip” “ Kur e dh...ni gjuhën shqipe” etj. Në fakt më therën në zemër këto tituj, sepse kuptoj që i vetmi gabim që bën njerëzimi sot është që nuk i mëson njerëzit të jenë njerëz.

Nuk përpiqemi të mendojmë se ngatërrimi ndodh, frika, emocioni, stresi se ç’do thonë pasi të kenë dëgjuar ndodh. Ra virusi ndë nesh, duartrokitëm mjekët, i bëmë heronj ( dhe jo se nuk janë), por ne sërish vazhdojmë të jemi një shoqëri që interesin vetjak e vendosim të parin dhe kur s’kemi më interes nuk kujtohemi për ato që thamë dhe e gjitha kjo dëshmon për një shoqëri pa skrupuj.

Jo! Nuk më duartrokitën në ballkon edhe pse plasëm trutë çdo ditë me fëmijë që refuzojnë të shkruajnë, të bëjnë provimin, të përgjigjen në mësim, me fëmijë që nuk dinë se mësuesit nuk i shkruhet pas orës katër të pasdites. Me prindër që nuk kuptojnë që mësuesi është njeri me shumë gjëra për të bërë pas orës katër të pasdites.

Kështu në fund ne jemi ata që marrim pak para në muaj dhe thjesht jemi një copë mesuese. Për të hedhur dritë mbi atë që thash, nuk ka vend për ankim page sepse mjaftojnë uratat plot mirësjellje të qeveritarëve dhe gjysmëpagat e privatëve, por askush nuk na pengon të mësojmë të respektojmë pozitën e tjetrit e sidomos të profesionit të dytë më të prekur nga e gjithë kjo valë, ai i mësuesit.

Pa lek të plota, pa duartrokitje, pa vlerësim, pa dëmshpërblim për telefonat e shkatërruar e kompjuterët që tashmë ngecin keqaz, do të jetojmë, sepse fundja jemi mësuar me këtë, por kemi të gjithë nga pak në dorë të jemi mirëkuptues, me ata që sfidojnë veten, ndrydhin dridhjen e gjunjëve për të dalë para kamerave e për të bërë një orë mësimi, kush me shkumës e kush me platformë të digjitalizuar. Unë e ndiej profesionin e mësuesit të gjunjëzuar para një mosrespektimi total ndjesor, humatitar dhe monetar.

Duhen vënë punët në udhë, sepse askush nuk ka të drejtë të gjykojë një mësimdhënie në Whatssap me numrin personal të mësuesit, fundja qeveria po qe e zonja t’u japë mësuesve laptopin personal në çdo fillimviti. Ndër vite zbuloj një përdhosje deri në pshurrje të një profesioni që dikur kur i dilnim përpara të skuqte faqet, sepse na detyronte të meditonim thellë ndaj asaj që kishim bërë.

Lerini mësuesit të qetë në në majën e atij zgripi ku tashmë padëshirë ndodhen, sepse do fillojmë edhe ne të shkruajmë për gazetarë, që ngatërrojnë stilet e të shkruarit, që i lëshojnë fjalët pa doganë, sepse kështu u duket vetja “Open minded” dhe rrojnë me ëndrra se kanë bërë një media të pavarur, që s’pyesin për ligje e shtet etj., do merremi edhe me moderatorët që esperanton në soj të dytë e qajnë sepse vetëm shqip që s’flasin etj.. Etj…

Erisa Sipri


Comments


bottom of page