“Duhet të keshë kurajë për të shkruar të vërtetën”, thotë mjeshtri i letërsisë botërore, Bertolt Breht. Duhet kurajo; zgjuarsi për të njohur atë, mprehtesi për të zgjedhur pikërisht ata njerëz, në duart e të cilëve kjo armë të bëhet e efektshme; si dhe DINAKËRI për ta përhapur në mes të njerëzve të atillë.
E vërteta fshihet aq thellë; është aq e mbytur mes rrangallinave e fjalëve boshe e shabllone, saqë gënjështarët e sofistikuar të cilët janë të pangopur nga leverdia që ajo i ka sjellë në raport me pushtetarët; saqë edhe ata vetë kanë humbur aftësinë e njohjes. E atëherë, eja e gjejmë të vërtetën e asfiksuar në mënyrë që të marrë frymë organizmi në kllapi i shtetit drejtues. Faktet janë ato të cilat na e rrëfejnë katrahurën në të cilën ndodhet vendi që ti jeton e ke vendosur të kesh familjen, e bashkë me të gjithë paketën që një individi i duhet të posedojë.
Faktet flasin për katrahurë njerëzore. Faktet rrëfejnë se individi i asfiksuar nga stresi për të hyrë në punë, për ta mbajtur atë, për të qënë aty ku ai mund të ketë mundësi t’i ofroj vetes dhe familjes jo vetëm bukën e përditshme është impresionuese. Është impresionuese teksa përballesh me çudira mbijetese, ku kryefamiljari duhet të jetë në një mëndje me budallallëkun e shefit, kolegut të sjellë në rrugë partie apo format e përfshirjes në kënaqësitë personale për të bërë karrierë. Je e detyruar të kalosh mbi absurditetet kolektive pasi absurditeti zinxhir duhet të përfshijë vetëm absurdët e bindur që duartrokasin e trumbetojnë kryeabsurdin që drejton.
Kryeabsurdi ka humbur tashmë aftësinë njohëse të batakut ku ka rënë pasi është në shok dhe mbahet me makineritë ndihmëse në jetë, përfshi edhe medikamentet gjithashtu ndihmëse. Vaj-medet çfarë na gjen të jesh mes tyre. Vaj-medet çe gjen kolegun, familjarin tënd të dashur teksa e sheh se si përpëlitet pasi ka parë një superskenë mashtrimi nga ku edhe ai vetë duhet të jetë pjesë. Vaj-medet ç’më gjeti edhe mua që tashmë jam e rrethuar me kufoma të tilla. Vaj-medet për vazhdimin pa dritë e fëmijët që s’po dinë nga të ikin se ne jemi që vendosim për ta, pra jemi ne që i kontradiktojmë më keq . Jemi ne që po vijojmë të bëjmë pakte me paudhësinë teksa na marin gjithçka e ligji i xhunglës vendos ende.
Sot votohet. Dikush thotë po, dikush thotë jo. Dikush tërhiqet, dorëzohet; dikujt as që ia ndjen fare, largohet. Sido që të veprosh tashmë, ajo që është programuar do të bëhet. Por cili është problemi që ne bashkëjetuesit e kësaj kohe paguajmë për kategorinë e tërhequr, ose më keq akoma “të mirët”. Duhet kurajë për të thënë të vertetën mbi veten tënde, specifikisht kur je i mundur, kur je në kaosin e trysnisë së të fortëve. Brehti precizon se “Ka shumë njerëz të cilët nga frika e persekutimeve humbën aftësinë për të njohur gabimet e tyre. Të jesh i persekutuar i duket atyre si e keqja më e madhe. Të këqijtë janë persekutuesit, meqë ata persekutojnë, kurse ata që persekutohen del atëherëse se qënkan domosdo të mirët. Por kjo mirësi është thyer, është mposhtur, është mundur, prandaj del se ajo na paska qënë një mirësi e dobët, një mirësi e paqëndrueshme, tek e cila s’mund të mbështetesh e të kesh besim, një mirësi e keqe” Duhet të kesh kurajë të thuash se të mirët u thyen jo se ishin të mirë, por se ishin të dobët.
Sigurisht që kur lufton kundra gënjështrës, duhet të shkruash të vërtetën jo në përgjithësim e të fryrë e me shumë kuptime. Shqipëria po kullëzohet, Shqipëria po është tregëtuesi më i fuqishëm i shpërndarjës së lëndëve narkotike, Shqipëria po shkrin teatrin e të gjitha derivatet e saj, po blen bashkëpunëtorët e minimumit të ngritjes krye dhe po denigron njeriun. Në Shqipëri nuk ka sindikata, se edhe ato që janë, manipulohen njëherazi; Shqipëria duhet të jetë e gjitha një shoqëri civile ku qytetari duhet të mbrojë e protestojë mbi atë ç’ka i duket e padrejte dhe arrogante.
Shqipëria po mbahet në patericat e disa të punësuarve të ngratë pa dinjitet, kokëulur, të shtypur klloun të shefave nga halli i të qënurit i punësuar; shefa të cilët ushtrojnë të njëjtën trysni mbi ata. Këto janë disa të vërteta të cila po mbajnë prej vitesh orët televizive të debateve oratoriale në ekranet e gënjështarëve të majmur. Flitet për to, por vetëm flitet e mbushen me kotësi dixhitale.
Ne jemi vetë ata që do të ndryshojmë këtë kënetë. Ne nuk duam më t’ia dimë për askënd sipër nesh e kjo nis nga mendja jonë. Duhet të vetorganizohemi dhe indiferenca ndaj emrave të politikës automatikisht zbeh potencën e tyre. Ne nuk kemi asnjë nevojë më për to. Ne dimë t’i bëjmë vetë të gjitha ato ç’ka mendojmë se duhet të lehtësohen nga të pushtetshmit.
Vetë studiojmë, vetë zgjedhim edhe formën e jetësës që do të bëjmë, vetë ringrihemi edhe pas humbjes, vetë krijojmë grupet tona të bashkëpunimit, vetë programojmë edhe zbavitjen. Por po vetë duhet t’ia dalim të kemi kurajë e të fshijmë njëherë e përgjithmonë termin shtet, pusht..et. Ne që vijmë nga një sistem diktatorial ku gjithçka shtypej e ndrydhej dhe ku komuniteti ishte primar, sot ia dalim pa dyshim.
*E Drejta e publikimit eshte siguruar nga vetë autorja
Comments