top of page
Search

Kush do t’ua shlyejë dëmin moral shqiptarëve? Nga : Jeta Dedja




Ndërkohë që Mihali ende bën xhiro në rrjet, përveçse në rrugët e Borshit, dy punëtorë kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë dëmtuar në pallatin e zv.kryeministrit Erjon Braçe. Shumë pak lajme qarkullojnë për ngjarjen e aq më pak reagime në media sociale. Firma e skelave “Syla”, me një histori të vjetër bashkëpunimi me Erjon Veliaj qysh kur ky i fundit drejtonte “Mjaft”, nuk ka marrë masat të zbatojë rregullat teknike duke lejuar punëtorët të ngjiten si superheronj filmash për të zbukuruar fasadën e pallatit ku çdo ditë vë kokën i qetë e i siguruar zv.kryeministri i vendit. Për këtë ngjarje të rëndë, askush nga qeveria vendore a qendrore nuk porositi një buqetë lulesh ngushëlluese e as ndonjë deklaratë ndjese të thellë publike.


Duket se jeta e dy punëtorëve nuk vleka sa qetësia e një turisti spanjoll. Një ministër preokupohet për disa turistë që largohen pa paguar, u shkon me tufa lule e komplekse inferioriteti për të mbrojtur një imazh fals të një qeverie që po mbahet me thonj. Me një ndjenjë faji për shkak se ka lejuar informalitetin e Mihalit dhe shokëve të tij, ministri i njëanshëm Klosi nuk ka shfaqur ndjesë të tillë ndaj turistëve të Kosovës, të trajtuar edhe më keq prej të përkëdhelurve të pushtetarëve në jug të vendit. Por e lëmë Klosin në varfërinë e tij psiko-motore e të vazhdojmë me zëvendës kryeministrin Brace të cilit nuk i është ndjerë zëri për tragjedinë e ndodhur në derë të shtëpisë. As kryetari i Bashkisë Veliaj nuk ka thënë gjë për “Sylën” dhe 5 punëtorët, ndoshta nga meraku se mos zgjon historinë e Arditit të varfër në varrezat e Sharrës.


Fasada, fasada ka rëndësi. Prandaj zyrat e propagandës punojnë natë e ditë, që të trukojnë çibanët që dalin si pasojë e mikrobit me emrin « korrupsion ». Ngjarje që mbulojnë ngjarje, njëra më rëndë se tjetra, por çuditërisht arrijnë të zbuten me make-up televiziv.


« Mjerë ai që ikën » thotë populli, se jeta vazhdon. Me këtë pjesë të dytë në mendjen e pavrarë ecin pushtetarët e sotëm. Dhe vërtet, pas çdo skandali, ka dalë një skandal tjetër, pas një tjetri edhe një tjetër. Dhe jeta në Shqipërinë e kapur nga një dorë njerëzish keqdashës edhe pse duke u përpëlitur vazhdon. Por deri kur? Edhe sa Edvin a Erjon do parakalojnë të pandëshkuar për dëmin moral dhe ekzistencial që u kanë shkaktuar qytetarëve shqiptarë? Nëse llogarisim të gjitha ngjarjet e ndodhura në kurriz të shqiptarëve, qofshin raste individuale qofshin ato publike, do të ndërtonim lehtësisht raste gjyqësore kundër qeverisë dhe organeve vendore, të cilave nuk do t’u mjaftojë buxheti të shlyejnë dëmin e shkaktuar ndaj popullatës. Por për këtë do të na duhen organet e drejtësisë të pakorruptura dhe disa avoketër me integritet për të mbrojtur interesin e klientit popull, të përdhosur rregullisht nga drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe falangat e tyre ndër vite.


Burimi:FlasShqip.ca


Коментарі


bottom of page