top of page
Search

Kush gjen një mik, gjen një thesar

Nga Gladiola JORBUS


Miqtë janë një aset me vlerë në jetën tonë. Dashuria ndaj tyre sfidon vetveten dhe mbijeton në të njëjtën gjatësi vale dhe shtrirje kohore me jetën tonë. “Nga të gjitha ato mallra që mençuria siguron për lumturinë, më e rëndësishmja është blerja e miqësisë".


Ky gjykim epikurian shpreh vlerësimin e vazhdueshëm mbi miqësinë që ka karakterizuar të gjitha kulturat.

Sipas konceptit biblik, miqësia zgjeron horizontin me vizione të tjera shpirtërore dhe njerëzore, madje është një virtyt dhe dhuratë njëherazi. P.sh.: figurat miqësore të mishëruara nga Davidi dhe Jonatani janë emblematike. Në letërsinë botërore kemi plot shembuj miqësish si ajo midis: Sherlok Holms dhe Uatson (Sherlok Holms, Sir Arthur Conan Doyle); Harry Potter dhe Ron Weasley (Harry Potter, JK Rouling); Atos, Portos e Aramis (Tre musketierët, Aleksandër Dyma, me formulën unike “Një për të gjithë, të gjithë për një”); Hakëllbërri Fin dhe Tom Sojer (Aventurat e Tom Sojerit, Mark Tuein); Santiago dhe Manolo (Plaku dhe deti, Ernest Heminguej – këtu kuptojmë se s’duhet të kemi të njëjtën moshë, për të qenë miq); Akili dhe Patrokli(Iliada, Homeri - Akili kryelartë dhe i ashpër, por shumë protektiv kundrejt mikut të tij).


Megjithatë, miqësia, edhe pse përmban komponentë sentimentalë, shkon përtej seksualitetit dhe erosit; ajo kapërcen interesin, instiktet dhe vendoset në fushën e dhurimit të lirë të dashurisë, bashkimit të jetës dhe të përvojave. Kjo është arsyeja pse Aristoteli e vendos atë në kategorinë e virtytit. Është një aleancë që u ofron njerëzve, arsyetime logjike dhe frymëzim për të ecur së bashku drejt së mirës më të lartë .


Miqësia e vërtetë gjallon nën frymën e dialogut, simpatisë, besimit, reciprocitetit dhe sakrificës. Shpeshherë, miqtë dallojnë nga njëri-tjetri, sepse vetë njerëzit kanë cilësi të ndryshme. Për të patur sa më shumë miq dhe raporte të forta, duhet të fokusohemi në anët pozitive të personave, të shohim përtej sipërfaqes dhe të vlerësojmë cilësitë e mira.

Gjithsesi, sinqeriteti mbetet një armë kyçe e një miqësie afatgjatë, pa reshtur së qeni realist: me miqtë mund të qeshësh ose të qash, të jesh budalla ose serioz dhe ndërkohë të ndjesh ngrohtësinë e suportin e lidhjes së vërtetë.

Përsa i përket prirjeve dashamirëse për të kontribuar në momente nevoje, mund të pohojmë se miqtë e mirë dinë të argëtohen në kohë të mira, por përcaktimi i miqve të vërtetë, ndodh kur ata tregojnë delikatesën e mbështetjen e veçantë në kohë të vështira.

Dihet se gabimet janë pjesë e jetës: miqtë e vërtetë nuk të “kryqëzojnë” nëse gabon; ne jemi të gjithë njerëzorë, dhe gabimet janë të pashmangshme. Miqtë e vërtetë rriten dhe përmirësohen së bashku.


Një tjetër komponent interesant është edhe ekuilibrimi i fuqisë: peshorja te miqësitë e vërteta nuk anon nga njëra anë për të dominuar kështu mbi tjetrën, por ekuilibrimi i njohurive dhe potencialit do të thotë të mirëkuptuarit, të pranuarit, mbështetje e dyanshme, interes i duhur për të dëgjuar fjalët e pashprehura, për të lexuar mimikën e shokut/es dhe shpirtin e tij.

Miqtë e vërtetë kanë guximin të flasin hapur me njëri-tjetrin, pa u lënë vend, as urrejtjes dhe as inatit që të rriten midis tyre. Miqtë e vërtetë kuptojnë, dhe pasi të kuptojnë, janë në gjendje të falin e të pranojnë. Solidariteti dhe toleranca janë elemente jetike të marrëdhënies miqësore.

Besnikëria dhe përkujdesja: në një shoqëri të vërtetë, besnikëria është çelësi dhe përkujdesja e pason. Shokët e vërtetë të qëndrojnë pranë, nuk të shesin dhe as të kthejnë shpinën. Ata ecin përbri njëri-tjetrit, edhe pse jeta është dinamike dhe njerëzit ndryshojnë.

Miqtë i japin njëri-tjetrit hapësirën e duhur për t'u rritur, kohën si domosdoshmëri për të kuptuar dhe derën e lënë gjithnjë hapur për t’u kthyer.

Miqtë e vërtetë mblidhen së bashku, ndonjëherë çdo ditë, ndonjëherë për ditëlindje, ndoshta dhe një herë në vit a më rrallë, për shkak të ritmeve të jetës, gjeografisë, obligimeve të panumërta etj., por ata gjithmonë ndihen të veçantë dhe bisedat mes tyre rrjedhin fluide, të qashtra, pa qejfmbetje a të tjera dobësi.


Në fund, miqtë e vërtetë festojnë për çdo sukses të njëri-tjetrit, duke dashur kështu më të mirën për shoku –shokun. Jo më kot kanë thënë: ”Kush gjen një mik,gjen një thesar”.

Comments


bottom of page