top of page
Search

Legjenda e përroit të Pirros Konispol

Nga Hekuran Halili


Muzgu u vinte nga para, andej nga dielli tretej magjishëm mbas malit të Orlës, ndërsa nga mbrapa u vinte frika e ndjekjes nga armiqtë, frika e vdekjes. Bënte ftohtë. I ftohtë janari. Por i ftohti në këto vise jugore asnjëherë nuk është bezdi, përkundrazi, atyre dy kalorësve që kishin gjithë ditën që kalëronin u kishte bërë mirë. Njëri prej kalorësve mbante para shalës një djalë të vogël që si kishte mbushur ende tetë vjeçët. Ishte djalë mbreti. I mbretit të Epirit që para tri ditësh e kishin rrëzuar nga froni në Artë.


Dhe ndjekësit donin ta kapnin, ta vrisnin. Dy kalorësit ishin dy roje besnike të babait të tij. Burra trima të fortë, të besës.

Pasi e kishin fshehur djalin tri ditë, tani po e sillnin në fisin e së ëmës, te prasaibët, me kryeqëndër çukën e Ajtroit.

Pjesëtarët e tjerë të familjes mbretërore i kishin vrarë.

Sapo kaluan lumin Thyamis, lanë mbrapa Lopsin me kalanë pellazgjike në të djathtë dhe, ndonëse muzg, shquan bokërimat e kuqe të Qafë Botës, ku fillonin trojet prasaibe.

Kalorësi që rrinte mbrapa ktheu kokën. Një re pluhuri dhe një koshadhe kalorësish që po i ndiqnin po u afroheshin. Nuk ishin as një kilometër larg.

- Ec se na zunë! - i bërtiti shokut dhe fshikulloi kalin e tij.

U bënë erë, por edhe ndjekësit e shtuan turrin.

- Nuk arrijmë dot në Ajtroj, ndaj kthehu në Kondispol! - i tha kalorësi që mbante djalin në prehër.

Ashtu bënë. Në të hyrë të Kondispolit bënë përpjetë dhe kalorësi që kishte djalin e vogël u fut në një përrua të ngushtë, të thellë, të mbuluar me gjelbërim të dendur. Tjetri ruante në të hyrë të përroit. Kalorësi që kishte hyrë në përrua eci nja dyqind metra në të dhe gjeti një shpellë të mbuluar me tufa dafine e prralli. Nga kali hyrja e saj arrihej lehtë. E zbriti djalin në hyrje të saj. I vari një varëse floriri ku kishte të shkruar emrin e tij, Pirro. I hodhi krahëve një pelerinë mbretërore të trashë, i puthi flokët e verdhë, i dha një fllaskë druri me ujë dhe një napë me bukë e djathë, një thikë të vogël dhe i tha të futej thellë e më thellë në shpellë e të mos dilte andej pa dëgjuar zërin e tij. Turrazi u kthye tek shoku e bënë më të poshtë që të mos dihej vendi ku e fshehën djalin. Në zbritje, pikërisht aty ku fillonte fusha e Kondispolit, u takuan me ndjekësit e filluan betejën. Ishin luftëtarë të zotë, të sprovuar në shumë beteja dhe nuk u bëri syri tërr, ndonëse armiqtë ishin gjashtë.


Beteja mes tyre vazhdoi gjatë në atë fillim fushe. Mbetën të vrarë të gjithë, edhe dy kalorësit që shoqëronin djalin, edhe të gjashtë ndjekësit. Kuajt, të mbetur pa kalorës, u turrën pa fre më të poshtë fushës, pa e ditur se do t’i jepnin asaj fushe emrin e tyre, Fusha e Kuajve ….

Djali, i trembur dhe i tronditur me ato që kishin ndodhur këto tri ditë, u fut brenda në shpellë thellë e më thellë, siç i tha kalorësi shpëtimtar. Ndjeu një hungërimë, por nuk u zmbraps. Befas, para i dolën dy këlyshë ujku, jo më të mëdhenj se tre muajsh. Ishin të vegjël e nuk mund t’i bënin keq. I vinin vërdallë nëpër këmbë e djali i largonte me kujdes, duke i kujtuar si këlyshë qeni. Ku t’i njihte ai djalë i vogël këlyshët e ujkut …?!

Shpella nga brenda zgjerohej e lartësohej. Gjeti një vend të ngritur ku këlyshët nuk ngjiteshin dot, shtroi pelerinën e trashë dhe u shtri. Nga lodhja e madhe e zuri gjumi shpejt e ashtu fjeti disa orë, derisa u çlodh. Kur hapi sytë, para i qëndronte një ujkonjë e madhe, e hirtë, të cilës i shndrisnin sytë si zjarr. Ishte e ëma e këlyshëve dhe në atë shpellë kishte strofkën e vet.

Pirroja nuk kishte parë kurrë ujk me sy. E kujtoi si qen, se vërtet ngjante shumë me qentë e pallatit të babait të tij në Artë që i donte shumë, dhe e përqafoi. Filloi edhe ta përkëdhelë. Çuditërisht, ujkonja uli kokën dhe i pranoi ato përqafime e ato përkëdhelje me një hungërimë të lehtë kënaqësie dhe dhembshurie. Kur djali i shkëputi duart nga qafa e gjoksi i ujkonjës, vuri re se i ishin lyer me gjak. Qentë e staneve aty afër e kishin çarë keq ujkonjën që mezi kishte arritur tek shpella, tek kulishët e saj. Ata kishin ditë pa vënë gjë në gojë. Ujkonja, e bindur se fëmijëve të saj nuk u vinte gjë e keqe nga ajo qenie që kishte hyrë në shtëpinë e saj, u tërhoq tek këlyshët.

U shtri. Forcat po e linin dalëngadalë nga ajo gjakderdhje që s’i pushonte. Këlyshët iu futën në gji e kërkonin të thithnin ndonjë pikë qumësht, por gjinjtë e nënës ujkonjë kishin shteruar.

Pirroja kishte mbetur i shtangur e shikonte këlyshët që, duke mos gjetur gjë në sisët e nënës, i vinin asaj vërdallë, herë sipër trupit, here te koka e here te goja. Ajo, në fuqitë e fundit të saj, herë pas here u merrte erë, i lëpinte, i ngrohte me avullin që nxirrte nga goja, ngrinte kokën, angullinte lehtë e trishtueshëm, si ta ndjente fundin e vet. Nënat janë njëlloj, pavarësisht cilës specie i përkasin. Kishte çaste që sytë që po i shuheshin si kongjijtë e zjarrit i kthente nga Pirroja. E shikonte sikur donte t’i linte amanet këlyshët e vet.

Këto shikonte djali e nuk po e mblidhte dot veten se ç’kishte ndodhur me të e pse ndodhej në atë shpellë. Solli ndërmend rrugën me kalorësit dhe porosinë që i dhanë të mos dilte nga ajo shpellë pa dëgjuar zërin e atij që e strehoi aty.

Koha rrodhi dalëngadalë dhe nga gjysmerrësirë në shpellë po bëhej errësirë e plotë. U ngjit përsëri tek vendi, hapi napën me bukë e djathë, hëngri, piu ujë nga fllaska dhe u shtri.

Kishte fjetur boll, ndaj gjumi s’e zinte. Dëgjonte angullimat e kulishëve dhe të ulkonjës, që gjithnjë e më shumë mezi dëgjohej.

Zbardhi, e në shpellë filloi të bëhej dritë. Zbriti dhe u afrua te këlyshët që kishin kaluar natën në gji të së ëmës pa pirë gjë. Ujkonja kishte dhënë shpirt. Këlyshët iu pështollën nëpër këmbë, si ta ndjenin se tani e tutje jeta e tyre varej nga ai, Pirroja. Nxori nga napa atë pak bukë që i kishte mbetur e ua hodhi.

Doli tek hyrja. Poshtë përroi, anash një udhë sa mezi kalonte edhe ujkonja. Bëri pas asaj udhe. Eci sa eci dhe doli në një shesh nga ku pa kasollet e një stani. Qentë, ata që kishin shqyer ujkonjën, qenë të lidhur, por e nuhatën e filluan të lehnin. Dolën stanarët. E morën djalin e filluan ta pyesnin. Djali tregoi aq sa dinte e aq sa mund të thotë një fëmijë tetëvjeçar.

Stanarët mbetën të habitur, kur djali nxori nga gjoksi varësen e florinjtë dhe e morën vesh me kë kishin të bënin. Bënë gati kuajt dhe e shoqëruan djalin për tek qyteti i Ajtrojt, tek gjyshi nga e ëma. Nuk ishte as një orë larg.

I pritën me gjithë të mirat. I shpërblyen me flori e falënderime pa fund. Gjyshi e mori nipin në krahë gjithë dashuri dhe e pyeti imtësisht për gjithçka. Ai foli e i tregoi aq sa mundej, aq sa lejonte mosha dhe situata në të cilën ai kishte përjetuar ato ngjarje të frikshme. Të gjithë sa dëgjuan mbetën gojë hapur, kur djali foli për ngjarjen në shpellë. Nuk e besonin.

Si kishte shpëtuar djali nga ujkonja e përroit që ishte me nam për egërsinë e forcën e saj?! Kishte ndodhur mrekullia.

Gjyshi, kur Pirroja i tha se kishte përqafuar ujkonjën e ajo i ishte bindur, e kuptoi se nipi do të bëhej njeri i madh. Ndërkohë që po i shpjegonte të nipit se nuk kishte qenë qen, por ujkonjë ajo që kishte përqafuar, ai e ndërpreu.

- Dua të vemi përsëri në shpellë. T’i marrim këlyshët. Dua t’i rris vet.


Pa një, pa dy, së bashku me çobanët që e kishin sjellë në pallat e shumë kalorës të gjyshit, kryezot i asaj zone, u kthye në përrua, mori këlyshët e ujkonjës dhe i çoi në qytetin e gjyshit. I rriti vetë me shumë dashuri e përkujdesje.

Kur Pirroja u bë mbret dhe mori mbretërinë e të atit në Artë, nuk i ndau këlyshët e ujkut nga oborri i tij mbretëror dhe as në luftërat e shumta dhe të vështira që bëri.

Shumë herë ata këlyshë që i bindeshin vetëm atij i shpëtuan jetën.

Që nga ato kohëra, ai përrua në Konispol, ku kishte strofkën e saj ujkonja e ku u fsheh Pirroja, u quajt përroi i Pirros.

Kështu quhet sot e gjithë ditës, edhe pas dymijë vitesh, ai përrua, përroi i Pirros …!

Comments


bottom of page